Mosbesimi po e mban peng parlamentin

Kosova

Mosbesimi po e mban peng parlamentin

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 08:43

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa mund të kenë vendosur nënshkrimin në një marrëveshje për partneritet, por dy rivalët e deridjeshëm nuk e kanë tejkaluar mosbesimin që dy subjektet e tyre kanë ndaj njëra-tjetrës. Mosbesimi po bën që grupet punuese për krijimin e qeverisë së re të kenë pengesa të mëdha, kanë bërë të ditur burime të gazetës.
Palët ende nuk kanë arritur te çështja më delikate e që është se kush do të jetë kryeministër i vendit, pasi që me marrëveshje kanë vendosur që kjo të jetë pika e fundit për të cilën do të negociojnë.

Ndërkohë, probleme të mëdha po dalin edhe në përzgjedhjen e emrave të ministrave, derisa LDK-ja po refuzon të pajtohet për konstituimin e parlamentin derisa nuk ka marrëveshje të plotë për qeverisjen.

Këtë kushtëzim partia e Isa Mustafës e ka vendosur si garanci se PDK do t’i mbetet besnike, pra se nuk do të ndërrojë partner pasi të ketë zgjedhur kryeparlamentarin ose se nuk do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve, shkruan Tribuna.

Në fakt, me të konstituuar parlamenti, presidentja fillon mandatimin e kandidatëve për kryeministër, dhe dështimi dy herë i cilitdo prej tyre për ta marrë shumicën e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

I kontaktuar nga gazeta, kryetari i grupit punues të PDK’së, Arsim Bajrami, kur është pyetur pse nuk po thirret seanca dje çfarë faze ka hyrë procesi i negocimit dhe arritjes së marrëveshjes për qeverisje, ai ka thënë se nuk prononcohet për media.

“ Nuk prononcohemi për gazeta e portale. Është arritur pajtim mes grupeve që në këtë fazë ku jemi, ku nuk ka një dokument të mos prononcohemi. Pasi të arrihet kjo do të kemi një konferencë për media”, ka thënë Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat