Hyseni: Marrëveshja e Brukselit tradhti kombëtare

Kosova

Hyseni: Marrëveshja e Brukselit tradhti kombëtare

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 10 korrik 2014 Në ora: 11:20

Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e 19 prillit 2013 dhe përgjithësisht Dialogu i Brukselit, që u zhvillua midis kryeministrave Thaçi e Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, ishte një gabim i madh historik me pasoja shumë të rënda, madje të pariparueshme për Kosovën, vlerëson analisti politik Nehat Hyseni.

Hyseni thotë për gazetën “Bota sot” se, ky Dialog u zhvillua pa kurrfarë parimesh dhe në mënyrë krejtësisht jotransparente, madje pa u shtrua për debat të mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës, para se të fillonte ky Dialog, në mënyrë që të përcaktoheshin kornizat dhe parimet bazë për zhvillimin e tij.

“Prandaj, ndodhi ajo që as skeptikët më të mëdhenj nuk do ta besonin më parë: nuk u shtrua çështja e të pagjeturve, që aktualisht gjenden në varrezat masive në Serbi, nuk u shtrua çështja e të drejtave të shqiptarve në Luginë të Preshevës dhe barazimi i të drejtave dhe pozitës së tyre me atë të serbëve të Kosovës, etj. Madje, grupi negociator i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe Kryeministri Thaçi asnjëherë nuk i kishin shtruar fare këto çështje”, thekson Hyseni.

Ai pohon se, kjo neglizhencë dhe papërgjegjësi totale e palës së Kosovës, nga shumëkush u cilësua si tradhti kombëtare dhe vënie e plotë, me verbëri të pakuptueshme e Grupit negociuse të Kosovës në shërbim të interesave të Serbisë, për ta ndihmuar atë në rrugën drejtë BE-së.

“Kurse, Kosova mbeti akoma vendi i vetëm i izoluar dhe getoizuar në Evropë, edhe pse iu bënë gjithat shërbime Serbisë, e cila, falë bisedimeve të Brukselit, mori ftesën për fillimin e bisedimeve për pranim në BE. Sidomos u dëmtuan shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët me fajin e Grupit negociator të Kosovës, ata nuk u përfshinë në Marrëveshjen e përmendur dhe as në Dialog, fare”, pohon ai.

Sipas tij,pa e përmendur dhe vënë si kusht parimin e reciprocitetit midis të drejtave të serbëve të Kosovës dhe shqiptarve të Serbisë.

“Mjerisht, ata u lanë vetëm, nun mëshirën e Serbisë, pa kurrfarë të drejtash dhe të shtypur e persekutuar si është më së keqi. Por, edhe situata në veri të Kosovës nuk u trajtua si duhet, sepse Serbia sillej sikur ajo pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, të jetë Serbi, duke ia lënë duart e lira Serbisë që të veproj e sillet atje lirshëm, si “në bahçe të babës”. Në popull thuhet se "qeni i dobët ta bien ujkun në torishtë". Kam përshtypjen se kjo thënie askund nuk i përgjigjet më tepër realitetit se sa tek ne në Kosovë dhe sidomos në pjesën veriore të saj, ku qeveria e Serbisë para pak kohësh e sfidoi vullnetin e mirë dhe marrëveshjen midis serbëve lokalë, shqiptarve dhe ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadës mbi Ibër, në Mitrovicë”, thotë Hyseni.

Hyseni potencon se, posa e hoqën ata barrikadën prej dheu, menjëherë erdhi urdhri nga qeveria serbe në Beograd, dhe në vend të dheut vendosën mure prej betoni dhe mbollën pisha, duke e pagëzuar me emër cinik, “Parku i paqes”! Ata nuk u ndalën me kaq.

“Sot, më 9 korrik 2014 morëm lajmin se punëtorët e “Novi Pazar Put” me makinerinë e tyre kanë filluar rreth orës 09:40 prerjen e asfaltit dhe punimeve tjera për fillimin e ndërtimit të sheshit “Car Llazar” në veri të Mitrovicës. Pra, se Serbia është duke punuar në atë pjesë të tokës së Kosovës, pa e pyetur fare Qeverinë e Kosovës! Ndërkaq, Qeveria e Kosovës nuk po reagon fare në këtë veprim të Beogradit dhe cenimin e integritetit territorial të Kosovës, duke u arsyetuar para se, kinse " e kemi mbështetjen e Brukselit për ta heqë barrikadën apo të ashtuquajturin “Parku i Paqes”, thotë ai.

Hyseni thekson se, kjo situatë është e patolerueshme dhe asnjë shtet sovran në botë sot nuk do ta lejonte një cenim kaq flagrant të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së vet.

“Kurse, Qeveria e Kosovës është bërë e verbët dhe nuk reagon fare në një çështje kaq madhore, e cila doemos do duhej ta alarmoj menjëherë Brukselin dhe ta ngrisë çështjen edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjithsesi, është koha për ndryshime në qeverisjen e Kosovës dhe shpresojmë që qeveria e ardhshme, e dalur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014, të mos i përsërisë gabimet e këtilla, si dhe të përpiqet për të riparuar dëmet e shkaktuara nga neglizhenca, papërgjegjësia, mosgatishmëria për t'i dalë zot vendit dhe nga jokompetenca e ekspertizës profesionale të saj”, thotë Nehat Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat