Vetëvendosje me Rezulutë kundër Gjykatës Speciale në Kuvend

Kosova

Vetëvendosje me Rezulutë kundër Gjykatës Speciale në Kuvend

Më: 23 prill 2014 Në ora: 11:25

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! ka ftuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin përmbajtësor kundër Gjykatës Speciale në bazë të Nenit 65, paragrafi 1, të Kushtetutës së Kosovës dhe në bazë të Nenit 52, paragrafi 2, të Rregullores së Kuvendit.

Kjo është Rezoluta të cilën e ka dorëzuar VV kundër Gjykatës Speciale:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon refuzimin e çdo kërkese që pret nga Kosova pëlqimin për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë jashtë sistemit të brendshëm të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës të mos marrë pozicion apo të diskutojë zyrtarisht mbi këtë temë pa marrë pëlqimin me votim të Kuvendit.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën thirrje zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të unifikojë qëndrimet e veprimet me Kuvendin e Republikës së Kosovës në refuzimin e kërkesës për ngritjen e Gjykatës Speciale si dhe dhënien e mbështetjes për sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë. Ngarkohet kryesia e Kuvendit ta komunikojë dhe bashkërendojë këtë kërkesë.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të bashkërendojë veprimet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në lidhje me kundërshtimin e kërkesës për formimin e Gjykatës Speciale.

5. Raporti i hetimeve të Clint Williamson, Prokuror i Task Forcës për Hetime Speciale në lidhje me pretendimet e Senatorit Dick Marty, të përfshira në Dokumentin 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i datës 7 janar 2011, duhet të trajtohet nga Prokuroria e Kosovës. Institucionet shtetërore të Kosovës do ta mbështesin dhe përkrahin Prokurorinë e Kosovës, do t'i vihen asaj në shërbim për të gjitha nevojat si dhe shprehin gatishmërinë për bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat