Haradinaj: Thaçi duhet të dalë jashtë loje

Kosova

Haradinaj: Thaçi duhet të dalë jashtë loje

Më: 20 prill 2014 Në ora: 12:38

E sollën vendin në këtë gjendje dhe tashti po e kërkojnë edhe një mandat të tretë, por ata që qeverisin sot e kanë humbur të drejtën të kërkojnë edhe një mandat, ka thënë këtë të shtunë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka prezantuar planin qeverisës të këtij subjekti politik, një kopje të të cilit e mbante në dorë, duke thënë se ai shumë shpejt do të jetë edhe në duar të qytetarëve.

Sipas Haradinajt, thënë shqip, ata që po qeverisin po duan ta rrejnë edhe një herë qytetarin e Kosovës, punë kjo që s’bëhet.

“Thaçi shkoi në qeverisje pa ide, pa asgjë të gatshme e tashti po premton gjëra, të cilat i kishte premtuar edhe në mandatin e parë. E kjo është e tepërt”, ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se programi që ofron AAK-ja është materie burimore, vlerësim i duhur i gjendjes dhe se edhe preokupimet e qytetarit të Gjilanit dhe të Anamoravës janë në programin e AAK-së, ngase ky program bazohet në resurset që i ka Kosova, në potencialin njerëzor dhe me të synohet zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë, një mesatare e pagës që do të jetë rreth 1000 euro dhe se Gjilani e Anamorava nuk do të jenë të harruara, por se realitet do të bëhet autostrada që e lidh Dheun e Bardhë me Gjilanin e që më pas vazhdon për në Prishtinë.

Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, tha se kjo qeverisje edhe kësaj radhe po shkon pa e mbyllur mandatin e saj. Sipas tij, me AAK-në në qeverisje, Anamorava nuk do të jetë e anashkaluar dhe do të krijohet jetë më e mirë dhe më e begatë në këtë pjesë.

“T’i mbledhim energjitë për të dalë fitues”, ka kërkuar Ahmet Isufi, kurse të pranishmëve u është drejtuar edhe Nijazi Idrizi, i cili kishte lëshuar PDK-në dhe i ishte bashkëngjitur vizionit të AAK-së.

Për herë të parë në Gjilan, AAK është në bashkëqeverisje e nënkryetari i komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se Gjilanin nuk e gjetën mirë, por se tashti, drejtoritë që i ka AAK-ja po punojnë më së miri, duke marrë shembull qeverisjen 100-ditëshe të Ramush Haradinajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat