Refuzimi i Krasniqit në Bujanoc, shkelje e Marrëveshjes së Brukselit

Kosova

Refuzimi i Krasniqit në Bujanoc, shkelje e Marrëveshjes së Brukselit

Më: 11 prill 2014 Në ora: 22:04

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, vendimin e sotshëm të Qeverisë së Serbisë për moslejimin për vizitë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqit në këtë komunë, e konsideron si shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

Ministri Krasniqi nuk është lejuar që ta vizitojë komunën e Bujanocit për të marrë pjesë në një ekspozitë të organizuar nga kjo komunë në përkujtim të gjenocidit serb bërë ndaj shqiptarëve në shekullin e 19-të.

Kreu i Komunës së Bujanocit, duke shprehur keqardhje për ndalesën që i është bërë ministrit Krasniqi, ka thënë për lajmi.net se, politika serbe vazhdon të ketë qasje kundër shqiptarëve.

“Neve na vije keq, por kjo është politika serbe e cila gjithmonë ka qenë kundra shqiptarëve. Shpresoj që vijnë ditë më të mira që jo vetëm ministri Krasniqi por edhe ministrat tjerë do të vinë në Luginën e Preshevës”.

“Është një gjest i Qeverisë së Serbisë, edhe pse është nënshkruar marrëveshja në Bruksel, prapë ata tregojnë politikën të them kështu, anti-shqiptare”.

“Serbia shumë pak ka ndryshuar me të kaluarën. Shpresoj se BE do të bëjë në të ardhmen trysni dhe Serbia do të ndryshojë ashtu siç duhet, si çdo shtet i BE-së”.

Sipas Arifit, në këtë mbledhje, që u ndalua të merrte pjesë ministri Krasniqi, do të flitej për Sanxhakun e Nishit, gjersa vërteton ftesën që i është bërë atij zyrtarisht.

“Zyrtarisht, ministri Krasniqi ka qenë i ftuar nga Pushteti Lokal. Sot, kemi pasur një manifestim, të them, të aspektit historik, me historianë nga Lugina e Preshevës, gjegjësisht, në Bujanovc kanë organizuar një prezantim të Sanxhakut të Nishit ku janë dëbuar shqiptarët nga këto troje”.

“Qëllimi i ekspozitës ka qenë Sanxhaku i Nishit. Kemi pasur synim që historianët të tregojnë të kaluarën e hidhur të shqiptarëve të këtyre trojeve, dhe, për t’i treguar edhe opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar politikën gjenocidale të serbëve ndaj shqiptarëve në këto troje”.

Në mbledhje ka qenë i ftuar edhe Valdet Sadiku, i ngarkuar me punë në zyrën e Kosovës në Beograd, por që nuk është bërë pjesë e ekspozitës për arsye të caktuar.

“Edhe ai s’ka ardhur, sigurisht, për shkak të refuzimit nga Qeveria Serbe për zotin Krasniqi”, ka thënë Arifi për lajmi.net.

Ndryshe, refuzimi i ministrit Krasniqi është bërë për shkak të “informatave” të Qeverisë së Serbisë, që sipas saj prania e ministrit kosovar në një manifestim “ku do të propagandohej për Serbinë gjenocidale, spastrimin etnik të shqiptarëve nga ana e serbëve dhe pro Shqipërisë natyrale, do të ishte me shumë e rrezikshme për Republikën e Serbisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat