Misin Beqiri merr rrugën çdo ditë nga shtëpia e tij e deri në fshatin Shtuticë të Drenasit, për të marrë ujë të pijshëm.
Kjo sepse ujësjellësi mungon në këtë fshat.
Beqiri thotë se mungesa e ujësjellësit paraqet problem për të dhe bashkëfshatarët e tjerë.
“54 vjet i kam, çdo ditë t’lume vij marr ujë këtu, dy herë në ditë, tjetër ujë nuk pijmë përpos këtij. Ky ujë nuk ka gëlqere. Është problem se ujësjellësi ka tjetër, dmth është, vyn për familje, se për me pi apet marrim na qitu”, tha Beqiri.
Mirëpo, në këtë fshat të Drenasit, baseni është ndërtuar tash e disa vite.
Por prej se janë vendosur gypat, kryetari i fshatit, Islam Syla thotë që puna është lënë në gjysmë.
“Kemi bo disa kërkesa edhe në komunë mirëpo ende nuk na kanë marrë parasysh. Na i kemi edhe këtu me vete disa kërkesa që i kemi bërë, mundeni edhe ju me i vërtetu. Kështu që bazeni i ndërtum diku qe 12-13 vjet, veç janë vendosë gypat, s’kanë marrë mo kurrfarë iniciative për këtu”, tha Syla.
E nga komuna e Drenasit, fajin ua lënë kompanisë së Ujësjellësit.
“Përveç që s’i ka marrë, i ka dëmtu edhe ato që i ka pasë kanë dalë prej përdorimit edhe janë jashtë përdorimit si rezultat i mos funksionimit të asaj kompanie”, thotë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Mirëpo nga Kompania e Ujësjellësit në Drenas thonë se rrjetat e ujësjellësit nuk janë jashtë përdorimit.
“Lidhur me kërkesën tuaj për informacion për furnizim me ujë për fshatin Shtuticë, u njoftoj se ne këtë fshat si edhe në 10 fshatra tjerë të Komunës së Drenasit janë të instaluara rrjetat primare (kryesore) me projektin e financuar nga CDI, si donator, por kyqjet familjare dhe vendosja e ujëmatësve nuk është e kryer për asnjë nga këto fshatra dhe është në proces të punimeve, ku edhe fshati Shtuticë është pjesë e lidhur e këtij projekti. Projekti është i përbashkët dhe nuk mund të veçohet vetëm një fshat. Jemi në procedurat e testimit dhe pranimit Teknik të rezervuarve. Rrjetat e ujësjellësit nuk janë të përfunduara dhe kurrësesi jashtë përdorimit. Ujësjellësi ka në prioritet përfundimin e projektit varsisht prej buxhetit të kompanisë, përkrahjes nga Komuna dhe Donatorët”, thotë Kompania e Ujësjellësit në Drenas.
Banorët e fshatit Shtuticë shpresojnë që sa më shpejt të ndërmerren veprime në mënyrë që të kenë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre.