FSK-ja do të dënojë pjesëtarët që lexuan Kuranin

Kosova

FSK-ja do të dënojë pjesëtarët që lexuan Kuranin

Më: 12 mars 2013 Në ora: 21:07

“Allahu është një”, sugjerojnë me një gisht këta pjesëtarë të FSK-së në këtë fotografi, të cilën e kanë shpërndarë grupet islame. Ajo shoqërohet me lajmin se pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në një garë për leximin dhe memorizimin e Kuranit, të mbajtur në Arabinë Saudite. Një delegacion kosovar, i kryesuar nga ministri Agim Çeku ka qenë në vizitë zyrtare në shtetin arab. Në këtë kohë, Princi i kurorës, Selman bin Abdul Aziz dhe ministri i Mbrojtjes, Khalid bin Sultan bin Abdul Aziz, organizojnë një garë për memorizimin e Kuranit, të quajtur çmimi “Princ Sulltan”. Burimet kanë thënë se ministri Çeku ka kërkuar mirëkuptimin e arabëve që për shkak të specifikave të Kosovës, ushtarët e FSK-së të mos marrin pjesë në këtë garë. Ai u ka dhënë urdhër atyre që të mos marrin pjesë në të. Por, së paku, dy prej tyre bashkë me kolegë nga Sudani, Senegali, Bahrejni, Jordania, Kuvajti dhe vende të tjera, kanë lexuar librin e shenjtë mysliman. Thyerja e urdhrit ka alarmuar FSK-në, e cila sot gjatë ditës i ka identifikuar këtë dy pjesëtarë dhe ka vendosur të marrë masa. Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati. “Ne kemi nisur sot një hetim të brendshëm, pasi kemi mësuar se çfarë ka ndodhur. Po pres të më vij një raport dhe nesër mund t’ju jap më shumë informacion.” Bashkëpunimi dhe trajnimet nga Garda Kombëtare e Iowas në SHBA, kanë qenë vendimtare për zhvillimin e FSK-së ndër vite.Në qershor të këtij viti, NATO-ja duhet të marrë një vendim nëse FSK-ja i ka përmbushur Kapacitetet e Plota Operacionale, për të ndërruar më pas strukturën dhe misionin. 4 nga 28 anëtaret e NATO-s nuk e njohin Kosovën dhe kundërshtojnë planet e shndërrimit të saj në ushtri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat