Zymberi: Kosova ka klimë të mirë për investime

Kosova

Zymberi: Kosova ka klimë të mirë për investime

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 13:59
Fatmir Zymberi

Presidenti i Bordit të aksionarëve në Prishtina Mall, Fatmir Zymberi ka thënë se përkundër sfidave të ndryshme, Kosova ka klimë të mirë për investime.

Zymberi në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të Agjencisë së Lajmeve KP tregoi para të pranishmëve ecurinë e ndërtimit të Prishtina Mall, i cili theksoi se ky projekt është një investim më i madhi privat në Ballkanin Perëndimor.

Në panelin e dytë me temën “Hapat e inovacionit në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor”, Zymberi ka përmendur tri çështje sa i përket ndërtimit të Prishtina Mallit dhe stabilitetit politik në vend, për të cilat tha se janë të rëndësishme të prezantohen në këtë panel.

Zymberi: Prishtina Mall është një investim më i madhi privat në Ballkanin Perëndimor

“Prishtina Mall është një investim më i madhi privat në Ballkanin Perëndimor, faza e parë është Prishtina Mall, janë edhe dy faza tjera që ato do të vijnë, por e para është e përfunduar dhe është duke ecur mirë, si dhe ka një rrugëtim shumë të sigurt. Do të doja të përmendi se ne kemi filluar në vitin 2017 organizimin, analizat e tregut të brendshëm edhe të jashtëm për ta parë zhvillimin e tyre në këto rajone. Prej vitit 2017 deri kur u hap Prishtina Mall janë ndërruar shumë qeveri në Kosovë, që do të thotë se ka qenë një vullnet i mirë nga të gjitha qeveritë prej të gjitha partive. Kuptohet se mundësitë e Kosovës nuk janë të mëdha për me mundur me qenë ndonjë përkrahje direkte, por së paku një mirëkuptim edhe aty ku ka pasur mundësi me na ndihmuar na kanë ndihmuar, edhe qeveria e tanishme dhe ato që kanë qenë më herët. Kjo do më thënë që ka klimë të mirë për investime. Të gjithë i mirëpresim investimet. Unë jam një shqiptar i Kosovës i lindur këtu, kam jetuar në Norvegji 25 vjet dhe kam ardhur nga ai shtet me një vullnet më të madh dhe tash jetoj në Kosovë, kështu që ndihna shumë i lumtur”, theksoi Zymberi.

Sa i përket çështje së dytë, ai tha se Kosova ka kapacitete, ka punëtorë dhe ka kompani që janë zhvilluar.

Zymberi: Kosova ka kapacitete, ka punëtorë, ka kompani që janë zhvilluar

“Pika e dytë, është e vërtet që Prishtina Mall është projektuar nga një kompani e madhe ndërkombëtare nga Amerika, me bazë në Nju Jork. Mirëpo, pse e përmendi këtë rast është se pyetja më serioze që është bërë nga ta tek ne, është se a ka Kosova kapacitet për ta ndërtuar një projekt të tillë. E unë po iu them me plot përgjegjësi se nga përvoja ime që jam prej ditës së parë dhe sot që jam me ju, 95 për qind e të gjitha punimeve që janë bërë në Prishtina Mall, janë bërë nga kompanitë e Kosovës. Edhe unë kam qenë i befasuar. Kjo tregon se Kosova ka kapacitete, ka punëtorë, ka kompani që janë zhvilluar në atë nivel për me mundur me bërë projekte të tilla. Prishtina Mall është ndërtuar me të gjitha standardet ndërkombëtare të certifikuara sikur me qenë kjo qendër në Frankfurt, në Nju Jork ose në Stokholm”, tha ai.

Ndërsa për çështjen e tretë, Zymberi theksoi se pavarësisht vullnetit të madh politik që me ec ekonomia përpara, janë disa veprime që duhet bërë për të krijuar një stabilitet politik dhe ekonomik.

Zymberi: Kosova nuk ka stabilitet të mirë politik, që ndikon edhe në ekonomi

“E treta, që nuk është shumë e mirë ka të bëjë me situatën politike në Kosovë, pavarësisht vullnetit të madh politik që me ec ekonomia përpara, janë do veprime që duhet me i bërë më ndryshe për me mundur me krijuar një stabilitet politik dhe ekonomik. Sepse, këto janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, ne kemi përjetuar shumë rëndë këtë situatë, sepse më 3 mars 2020 ka filluar ndërtimi I Prishtina Mall dhe e kemi hapur më 9 mars 2023. Është e pa mundur të bëhet një projekt I tillë për një kohë kaq të shkurt. Prishtina Mall i ka 240 mijë metra katror ndërtim”, theksoi ai.

Në konferencën ku nikoqire është KosovaPress, po marrin pjesë anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar.

Enkas për këtë konferencë, nga Kievi ka ardhur edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.

Paneli i parë është fokusuar në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.

Në panelin e dytë, folës ishte presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat