Sos Fshati nganjëherë nuk ka vend për fëmijët e braktisur

Kosova

Sos Fshati nganjëherë nuk ka vend për fëmijët e braktisur

Më: 19 janar 2024 Në ora: 13:23
Foto ilustrim

Lindja e një foshnje jo çdoherë po shoqërohet me ngrohtësi dhe dashuri, pasi ende ka prindër të cilët po ua kthejnë shpinën fëmijëve të tyre të vegjël. E fëmijëve të braktisur vazhdon t’i dal në ndihmë SOS Fshati i Fëmijëve të Kosovës, ku aktualisht jetojnë 37 fëmijë, të cilëve po u kushtohet kujdes e vëmendje e madhe.

Megjithatë, sfidat për ata fëmijë nisin kur mbushin 18 vjeç, pasi kjo mbështetje fillon të zbehet, derisa ata të rinj nisin të pavarësohen si nga kujdesi, ashtu edhe nga ana ekonomike.

SOS fshati mbetet mbështetja e vetme për fëmijët që u mungon kujdesi prindëror. Megjithatë, drejtuesit e këtij institucioni i përjetojnë rënd momentet kur nuk kanë vend për t’i strehuar fëmijët.

Udhëheqësi i kujdesit alternativ në SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës, Besnik Peci thotë për KosovaPress, se në këtë fshat janë 37 fëmijë të vendosur në shtatë sos familje, në kuadër të këtij fshati, të cilëve iu ofrohen shërbime me qëllim që të mos e ndjejnë mungesën e familjes.

Këta fëmijë në Sos Fshat, aktualisht janë nën përkujdesjen e sos nënave dhe ekipit mbështetës.

Peci: Në Sos Fshatin e Fëmijëve aktualisht i kemi 37 fëmijë

“Në Sos Fshatin e Fëmijëve, aktualisht i kemi 37 fëmijë, të cilët janë të vendosur te 7 familje sos, të cilat ne i kemi ndërtuar për ata, si dhe i kemi 12 të rinj që janë pjesë e programit të gjysmë pavarësimit që vazhdojnë të jemi organizata e vetme që ofrojmë përkrahje për të rinjtë pa përkujdesje prindërore, të cilët i kanë mbushur moshën 17 vjeçar, do të thotë përkrahen tri vite përpiqemi me ndihmën e donatorëve, me ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë, që më u siguruar së paku standardin minimal të kushteve për jetës. Secili fëmijë e ka shtratin e vet, e ka dollapin e vet dhe tavolinën e vet, ku ai mëson dhe mandej pjesa tjetër e hapësirave të përbashkëta të shtëpisë, është si ne që i shfrytëzojmë shtëpia tona, ashtu edhe ata”, tha ai.

Peci derisa tregon se gjatë viti 2023, janë pranuar katër fëmijë në Sos fshat, thekson edhe vështirit që i kalojnë ata në rastet kur nuk ka vend për pranimin e fëmijëve të ri në fshat.

Peci: Në vitin 2023 kemi pranuar katër fëmijë

“Për Sos Fshatin e fëmijëve është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe, emocionale dhe profesionale për të gjitha rastet që ne kemi hapësira për t’i pranuar dhe punojmë me adaptimin e tyre që ata të integrohen sa më shpejt që me stopuar procesin negativ të zhvillimit të tyre dhe thjesht të ndërtojnë dhe t’i zhvillojnë të gjitha sprovat që i nevojiten për jetë. Është shumë e vështirë rastet kur nuk kemi vend dhe kemi shumë kërkesa për me pranuar fëmijë dhe me keqardhje detyrohemi me i refuzuar. Në vitin 2023, i kemi pranuar katër fëmijë të rinj, mirëpo kemi pasur kërkesa më tutje, por për fat të keq për shkak të hapësirës të limituar s’kemi mbërri me i pranuar më fëmijë”, tha ai.

Peci tregon se për fëmijët e moshës katër deri në 18 vjeç, kujdesen 14 punonjës.

Peci: Kemi fëmijë prej moshës 4 deri në moshën 18 vjeçare

“Për fëmijët të cilët janë të shpërndarë në shtatë sos familjet, do të thotë përkujdesen 14 punonjës, të cilët ofrojnë kujdes bazik, janë sos nëna dhe sos tezja dhe kuadri mbështetës profesional, do të thotë është psikologu, pedagogu, punëtori social, edukatori dhe këshilltari për të rinj, të cilët përpiqen me intervenuar, me i identifikuar nevojat e fëmijëve dhe me punuar mbi ato nevoja që fëmijët me qenë të përmbushur dhe me i marrë shërbimet në kohë dhe mënyrë adekuate..... Kemi prej moshës 4 vjeçar deri në moshën 18 vjeçar”, tha Peci.

E vështirësi për fëmijët që jetojnë në sos fshatra, është kur ata mbushin 18 vjet.

Peci: Kur i mbushin 18 vjeç ne i mbështesim edhe tri vite

“Gjatë gjithë kohës sa fëmijët sos qëndrojnë në Sos fshatrat e fëmijë të Kosovës, kuadri psikopatologjikë punon me ata që me i përgatit ata drejt jetesës së pavarur, kryesisht dhe më intensivisht prej moshës 16 vjeçare deri në moshën 18 vjeçare, do të thotë është puna më e dendur që bëhet me ta, me qëllim që ata me qenë të gatshëm për të vazhduar tutje. Kur i mbushin 18 vjeç, ne i mbështesim edhe tri vite, pasi që dalin nga organizata jonë, do të thotë fillimisht i mbështesim me 75 përqind nevojat e tyre jetësore, në vitin e dytë 50 përqind dhe në vitin e tretë, 25 përqind. Krejt kjo përkrahje financiare bije, mirëpo përkrahja psikologjike, përkrahja me këshilla dhe me orientimet në punë dhe në karrierë dhe motivim për punësim, vazhdojnë vazhdimisht deri sa i riu ta gjen veten dhe të jetë plotësisht i pavarur për jetën e tij”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat