Handikos rrezikon të mbyllet pas 15 janarit 2024

Kosova

Handikos rrezikon të mbyllet pas 15 janarit 2024

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 23:36
Gresa Stublla

Organizata “Handikos”, rrezikon të mbyllet në mungesë të fondeve, pas datës 15 janar 2024.

Kështu deklaroi, menaxherja e projekteve në “Handikos”, Gresa Stublla, derisa tha që deri më tani s’kanë ndonjë përgjigje konkrete, apo ndonjë linjë buxhetore të ndarë nga Komuna e Prishtinës, për ta parandaluar këtë problem.

“Aktualisht Handikosi është në një gjendje në të cilën s’jemi përballur më herët, është gjendje bukur shqetësuese. Kjo për shkak se shumica e projekteve që kanë qenë aktive në vitin 2023, po përfundojnë këtë vit, përjashtuar një projekt i cili mbështetet nga Komuna e Prishtinës, deri më 15 janar. Pas kësaj date, organizata e Handikosit, me të gjitha shërbimet që i ofron, rrezikon të mbyllet. Kemi pasur takime të shumta me Komunën e Prishtinës, me kryetarin Rama, e me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale. Me ç’rast, bashkë me Komunën, kemi ndarë një dokument i cili është i detajuar dhe përmban të gjitha shërbimet që i ofron organizata jonë, përfshirë këtu shërbimet për fëmijë, për të rritur, e të tjera shërbime. Mirëpo, deri më tani, s’kemi pasur ndonjë përgjigje, apo ndonjë linjë buxhetore të ndarë nga Komuna e Prishtinës”, potencoi Stublla në emisionin “Infonata”.

Po ashtu, Stublla tregoi se me mbylljen e kësaj organizate, qindra e mijëra persona me aftësi të kufizuara, do të mbesin keq dhe mbrapa me zhvillimin e tyre në shëndetin fizik dhe në atë mendor.

Ndërkaq, e pyetur se qe sa kohë u kanë treguar institucioneve përkatëse për këtë mungesë të financave, Stublla tha se Komuna e Prishtinës është e njoftuar që 1 vit.

“Ato janë të njoftuara vazhdimisht me gjendjen financiare dhe vështirësitë të cilat Handikos i ka. Komuna e Prishtinës që 1 vit është e njoftuar rreth gjendjes financiare të Handikosit. Rreth këtij viti kanë marrë shërbime rreth 70 fëmijë me aftësi të kufizuara në regjionin e Prishtinës, ndërsa 20 të rritur”, shtoi tutje Stublla në Tëvë1.

Kujtojmë se Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, të shtunën bashkërisht me HANDIKOS Prishtina dhe Grupin Avokues të Prindërve të fëmijëve e të rriturve me aftësi të kufizuara në Prishtinë, kanë adresuar shqetësimin rreth situatës me të cilën po përmbyllet ky fundvit dhe ndërprerjen e shërbimeve në Qendrën e Resurseve, si pasojë e përfundimit të të gjitha projekteve që kanë qenë të fokusuar në këtë fushë.

Ata në një konferencë të jashtëzakonshme, kanë dhënë detaje për gjendjen e rëndë ekonomike, derisa prindërit kanë paralajmëruar edhe protesta.

Handikos është organizatë e cila punëson më së shumti persona me aftësi të kufizuar dhe ndërmjetëson punësimin e tyre në tregun e punës, duke ngritur kapacitetet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat