Kurti e Nagavci ndajnë shpërblime për nxënësit fitues të garave vendore dhe ndërkombëtare

Kosova

Kurti e Nagavci ndajnë shpërblime për nxënësit fitues të garave vendore dhe ndërkombëtare

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 14:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Nxënësit fitues të garave në nivel vendi dhe atyre në nivel ndërkombëtar, u bashkuan sot në një ceremoni kremtimi nën praninë e kryeministrit, Albin Kurtit, dhe ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët i ndanë fituesve mirënjohje e shpërblime simbolike.

Duke vlerësuar të arriturat e të rinjve tanë, kryeministri Kurti tha se këtyre fitoreve u shtohet edhe më shumë vlera, duke qenë nga fushat e matematikës dhe fizikës.

“Këto rezultate nga gara me bashkëmoshatarët tuaj nga vende të ndryshme të botës, janë dëshmi për potencialin që ju e keni. Andaj ushqejeni këtë potencial vazhdimisht e realizojeni plotësisht talentin, dhe imagjinatën, dhe kreativitetin tuaj”, citohet Kurti në komunikatë.

Në njoftimin për media thuhet po ashtu se që nga marrja e mandatit, e pandalshme mbetet mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxënësit dhe studentët.

“Ndër hapat e ndërmarrë në këtë fushë, kryeministri veçoi arsimin dual në 12 profile, 21 shkolla e 14 komuna; arsimin falas në nivelin e lartë publik; si dhe ndarjen e bursave për notë mesatare të lartë, bursave të tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, bursave për studentët e komuniteteve e ata me aftësi të kufizuara, si dhe bursave për vajzat në fushën STEM”, thuhet në njoftim.

“Në vitin 2023, në këtë vit në të cilin ngadalë po e përmbyllim në këto ditët e fundit të vitit, ndamë 1,647 bursa Bachelor dhe Master për studentët me notë të lartë mesatare; 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM; 55 bursa për studentët e komuniteteve; 28 bursa për studentë me aftësi të kufizuara; 43 bursa për studentët e doktoratës që studiojnë jashtë në 500 universitetet më të mira; dhe 100 bursa për profilet deficitare”, citohet kryeministri.

Para nxënësve e prindërve, ai përmendi se hapat e tjerë në krijimin e kushteve optimale për mësim janë edhe miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, pra për edukim të obligueshëm e cilësor nga mosha 0-6 vjeç, dhe Projektligji për Tekste Shkollore ku përcaktohen normat dhe standardet për tekste të sakta dhe kompetente për nivelin parauniversitar.

Ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve simbolike për fituesit e garave në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar, u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat