​“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, flasin pjesëmarrëset e protestës

Kosova

​“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, flasin pjesëmarrëset e protestës

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 21:59
Pamje nga protesta

Sonte në Prishtinë u mbajt një marsh-protestë e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, e cila kishte për qëllim dënimin dhe ndalimin e vrasjeve dhe dhunës së ushtruar ndaj grave e vajzave.

Pjesëmarrësit në këtë protestë thonë se vajzat e gratë në Kosovë janë në rrezik si rezultat i dhunës së ushtruar nga burrat dhe se kjo dukuri negative duhet të merr fund.

Aktivistja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Liridona Sijarina tha se shteti duhet të trajtojë me seriozitet dhunën që po ushtrohet ndaj grave dhe vajzave, sidomos pas rastit të fundit të vrasjes së Liridona Ademajt.

“Jemi mbledhur, sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për ta treguar edhe njëherë se kjo gjendje lufte, që ne vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë nëse të gjithë ne bashkohemi në luftën që si gra po e bëjmë çdo ditë, shtëpi, punë, rrugë, shkollë e në shtet. Ne, si vajza e gra, e dimë mirë se si duket patriarkati, të cilin po e denoncojmë, si dhunuesin e vrasjen e shoqeve tona. Patriarkati është kudo e nis që në familje, aty ku vajzat disiplinohen ndryshe nga djemtë që në fëmijëri, aty ku vajzave iu mësohet që morali i një shoqërie është në trupin e tyre, aty ku vajzat urdhërohen të durojnë dhunë, ku një vajzë nuk shihet e barabartë me një djalë. Ky patriarkat është i gjithë sistemi, i cili na ka rritur me besimin që ne si vajza e gra kemi ardhur në këtë botë për të qenë robër të burrave. Është ky sistem që sot e qeveris çdo sistem të shoqërisë e shtetit, që prodhon burra dhunues e vrasës dhe gra viktima ... Kjo luftë kërkon gjithashtu që ky shtet ta trajtojë seriozisht sigurinë e grave dhe mos ta kornizojë si çështje gjyqësore,” tha Sijarina.

Qytetarja Arjeta Krivaça tha për KosovaPress se vrasja dhe dhuna e ushtruar ndaj grave është një ngjarje shumë e rëndë.

“Mendim që nuk ka shpjegim, është shumë e rëndë çka po ndodh. Qe tri ditë nuk kam dalë prej shtëpisë duke i dëgjuar fjalët e gjërat që kanë ndodhur. Të mjerat ne, me këtë popull që po vuajmë me këso gjërash,” u shpreh ajo.

Fjolla Muçaj, aktiviste, tha se protesta e organizuar sonte në Prishtinë është bërë me qëllim që t’i bëhet thirrje shtetit se siguria e grave çdo ditë është duke u cenuar gjithnjë e më shumë.

“Sot kemi protestuar për vrasjet e grave, dhunën dhe padrejtësitë që po iu bëhen grave. Në rastin e fundit, ne kemi dalë në protestë për të thirrur edhe një herë shoqërinë, shtetin, familjet, për të alarmuar edhe një herë vrasjet që janë duke ndodhur dhe dhuna që është duke ndodhur në përditshmëri për gratë. Siguria e tyre çdo ditë e më shumë është duke u bërë më e cenueshme. Ne dëshirojmë që çdo ditë të flasim kudo, por në anën tjetër të dilet në rrugë për të protestuar dhe kërkuar drejtësi për të gjitha gratë,” tha Muçaj.

Marshim-protesta “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek objekti i Policisë së Kosovës, për të përfunduar e qetë, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat