Uji i Badovcit ende s’pihet – autobotët iu çojnë ujë qytetarëve

Kosova

Uji i Badovcit ende s’pihet – autobotët iu çojnë ujë qytetarëve

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 17:07
Foto ilustrim

Uji që vjen nga Liqeni akumulues i Badovcit, nuk është aktualisht i përdorshëm për pije ose gatim. Alarmi është ngritur të premten nga IKSHP’ja, pas rritjes së vlerave të manganit.

Vlerat janë 3-4 herë më të larta se që parashihen, por nga Instituti thonë se s’ka pasoja në shëndet edhe nëse dikush e pi këtë ujë.

Ndërkohë, se si vjen deri te rritja e vlerave të manganit kanë folur nga KRU “Prishtina”. Të premten, kjo kompani ka publikuar fotografi të autobotovëve nëpër kryeqytet dhe rrethinë duke iu cuar ujë qytetarëve

Nga e premtja e javës së kaluar, qytetarët që furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit, është dashur që ta blejnë ujin për pije dhe gatim. Shkak për këtë është bërë rritja e nivelit të manganit në ujin e këtij liqeni akumulues.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike doli me një njoftim ku tha analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit nga uji i prodhuar në fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badovcit, kanë treguar se ka vlera të rritura të Manganit.

“IKSHPK ka ngritur shkallën e gadishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë. IKSHPK apelon te qytetarēt të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgaditje të ushqimit deri në njoftimin e rradhës”, njoftoi IKSHP’ja, derisa tregoi se edhe cilat zona nuk duhet ta përdorin ujin për pije e përgatitje të ushqimit.

Një përditësim tjetër rreth cilësisë së ujit, Instituti e ka bërë dje, ku ka treguar se ka ulje të vlerave, por që ende s’janë arritur ato standarde.

“Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera, përveç përgatitjes së ushqimit, sepse vlimi i ujit nuk e zvogëlon sasinë e manganit”, u tha në fund të njoftimit, derisa u kërkua që të ndiqen vetëm njoftimet zyrtare të IKSHPK-së për këto të dhëna.

Më shumë detaje rreth niveleve të manganit ka dhënë sot Drejtori i Qendrës së laboratorëve testuese në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, doktorin Ergyl Binqe. Ai ka deklaruar se vlerat e manganit janë 3-4 herë më të larta sesa që janë të lejuara me Udhëzimin Administrativ.

“Mangani i cili duhet të jetë 0.05 miligram në litër, kemi tejkalim gjatë ditëve të fundit…Po sillen diku 3-4 herë ma shumë se qe janë të lejuara, ndonjëherë shkojnë edhe më lartë, por edhe bien brenda ditës”, ka deklaruar Binqe.

Binqe ka thënë se nuk mund të përdoret uji për pije apo për gatim derisa të bien vlerat, por ka shtuar se edhe nëse dikush e pi, nuk ka rrezik për shëndetin.

“Ne nuk do të mund të lejojmë që të përdoret uji me sasi të rritur të manganit deri në momentin kur ajo bjen në nivelet që kërkohen me Udhëzimin Administrativ. Popullata s’ka nevojë për shqetësim. Në qoftë se dikush edhe e pi këtë ujë, nëse nuk e ka dëgju informatën, nuk do të ketë kurrfarë problemi sa i përket shëndetit”, ka deklaruar ai në RTK.

“Ne edhe në literaturë nuk kemi gjetur që dikush që ka pi ujë në një kohë të gjatë me nivele shumë më të larta me udhëzimin administrative, edhe nëse ka pi, nuk ka pas pasoja”, ka shtuar ai.

E për arsyet se si vjen deri te rritja e vlerave të manganit, është deklaruar zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

“Rritja e sasisë së manganit në Liqenin e Badovcit, është dukuri natyrore. Kjo ndodh sidomos në fillim të stinës së vjeshtës, kur nata është shumë e ftohtë dhe ditët janë të nxehta. Pastaj në afërsi të Liqenit të Badovcit, kemi minierën e Kishnicës, ka metale më të rënda, e pastaj dhe ndotja dhe të gjitha këto ndikojnë në rritjen e sasisë së manganit në liqen”, ka deklaruar Mjeku.

Në të gjitha zonat e prekura, Ujësjellësi ka shpërndarë ujë me autobot.

Ndërkohë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar dje se janë drejt  finalizimit të sistemeve të monitorimit për pesë Digat Ekzistuese në Ujman, Radoniq, Batllavë, Badovc dhe Përlepnicë, si dhe realizimit të pesë Digave të Reja në Firajë, Kamenicë, Kuqicë, Dragaqinë dhe Pollatë.

Aliu ka thënë se përvç synimit me ujë të pijshëm, synimi është që digat e reja të jenë për destinime multifunksionale si për sistemin e ujitjes së tokave bujqësore, menaxhimin e përmbytjeve, si dhe prodhimin e hidroenergjisë në Digat ku ka potencial të tillë.

Përveç furnizimit me ujë të pijshëm, synimi është që digat e reja të jenë për destinime multifunksionale si për sistemin e ujitjes së tokave bujqësore, menaxhimin e përmbytjeve, si dhe prodhimin e hidroenergjisë në Digat ku ka potencial të tillë.

“Deri më tani kemi kompletuar sistemet e monitorimit gjeodezik, hidraulik, gjeologjik, sizmik dhe hidrometeorologjik, si dhe po vendosim sistemet automatike të alarmeve në Ujman, Radoniq, Batllavë, Badovc, Përlepnicë dhe Livoç. Gjithashtu, shumë shpejtë do e themelojmë Komitetin Shtetëror për Diga.

Si Ministri e kemi prioritet që të kemi një model të duhur mjedisor, që të balacojmë ndikimet mjedisore dhe sociale duke marrë masa lehtësuese për rehabilitimin dhe mbrojtjen e habitateve, por edhe duke ruajtur zonat me vlera të larta konservuese”, ka shkruar Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat