INPO: Komuna e Suharekës kontrakton punë 45 mijë herë më të shtrenjtë se çmimi i tregut

Kosova

INPO: Komuna e Suharekës kontrakton punë 45 mijë herë më të shtrenjtë se çmimi i tregut

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Organizata INPO reagon kundër dyshimeve për keqpërdorim të parasë publike përmes prokurimit publik nga ana e Komunës së Suharekës dhe kërkon nga organet e ndjekjes që të hetojnë ecurinë e tenderit, respektivisht kontratën e ndërtimit të kolektorit në Suharekë.

INPO njofton se në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, kjo organizatë ka gjetur se Komuna e Suharekës ka kontraktuar punë me çmime jo reale apo 45000 % më të shtrenjta se çmimi real i tregut dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik (LPP) në Kosovë.

Për ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, respektivisht për punët përgatitore në pozicionin 1.1. të paramasës me parallogari “Shënimi i trases para se të fillojnë punimet dhe përcjellja gjatë ekzkutimit, stacionazha 77 – 206” komuna do të paguajë 450.00 euro për 1m . Ndërkaq, çmimi real për këtë pozicion në treg varion nga 0.50 deri në 1.00 euro për 1m2 apo 45000 herë më lirë se çmimi në kontratë. Po ashtu, INPO ka gjetur se në kontratë për të njëjtën punë por në stacionazhën tjetër (206 – 089) komuna do të paguajë vetëm 0.80 euro për 1m. Kësisoj, për punët e shënimit të trasesë në stacionazhën 77 – 206, komuna për 317 m do të paguaj gjithsej 142,893.60 euro, ndërkaq për 2436m në stacionazhën 206 – 089 do të paguaj gjithsej, 1,948.80 euro. Po ashtu, në paramasën me parallogari të kontratës, përseritet për së paku dy herë i njëjti përshkrim i punës, por në segmente të ndryshme, të cilat kanë çmime po ashtu të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas INPO-s kjo kontratë është nënshkruar më 21.07.2023 me grupin e operatorëve ekonomikë “Iseferi Sh.P.K&KAB Holding Sh.P.K & JOSS & Krasniqi Sh.P.K” në vlerë prej 929,426.34 euro apo 59,426.34 EUR më shumë sesa vlera e parashikuar e kontratës.

Ky tender është ritenderuar pas dy dështimeve të komunës për të lidhur kontratë, për shkak se nuk kishte pranuar oferta të përgjegjshme. Dy procese të shqyrtimit të prokurimit janë zhvilluar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), dhe palë të përshira në këtë shqyrtim ishin pothuajse të njëjtit OE të cilët edhe në ritenderim kanë ofertuar”, thuhet në njoftim.

Për më tepër, INPO ka gjetur se për projektin e ndërtimit të kolektorit, komuna kishte paraparë edhe zgjerimin e një segmenti të rrugës “Skëndërbeu” të cilën qytetarët e kishin kundërshtuar edhe përmes një peticioni në adresë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Insrastruktuës (MMPHI) për shkak të cënimit të interesave të banorëve dhe bizneseve që operojnë në atë rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat