Shkollat në Kosovë ende pa tekste mësimore

Kosova

Shkollat në Kosovë ende pa tekste mësimore

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 22:18
Foto ilustrim

Data e fillimit të vitit shkollor dihet por librat e nxënësve ende nuk janë gati.

Ani pse mësimi nis me 1 shtator, shkollat nuk janë pajisur me tekste shkollore.

Për këtë ka reaguar Asociacioni i Komunave i cili ka kërkuar nga Ministria e Arsimit furnizimin me libra.

“Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës. Kjo vonesë tepër e panevojshme mund tê shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor. Viti i ri shkollor për çdo vit nis dhe është i planifikuar të nis njëjtën datë. Së këndejmi vonesat e tilla në shpërndarjen me kohë të teksteve mësimore janë të pakuptimta por edhe të papranueshme. Asnjë justifikim në këtë vonesë nuk i intereson askujt, e më së paku nxënësve dhe arsimtarëve tanë”, thuhet nga Asociacioni i Komunave.

E sipas Sindikatës së Arsimit, procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore ishte paraparë të realizohet që nga fillimi i këtij muaji.

“Zonja Nagavci iu ka premtuar në fillim të këtij muaji që të fillohet me shpërndarjen e librave por kjo gjë nuk paska ndodhë dhe është e tmerrshme të fillohet një vit shkollor pa të vetmin mjet që shkollat tona fatkeqësisht e kanë, librin pra tekstin shkollor. Duhet koxha kohë për të shpërndarë sepse nuk është vetëm një klasë, por janë 1-9 dmth nëntë lloje klasë, e këta i kanë bërë nga 10-15 libra për qëllime biznesi dmth nuk është e lehtë të shpërndahet gjithë ai material brenda një kohe të shkurtë dhe po them është tmerrësisht zhgënjyese në qoftë se fillon viti shkollor edhe pa libra”, thotë Rrhaman Jashari, kryetar i SBASHK-ut.

Por lidhur me këtë, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci  tha se ka vërejtur parregullsi në kontratat për blerjen e teksteve.

“Nuk kam parë reagimin e Asociacionit të Komunave, por duhet të kemi parasysh se ëhstë një proces i cili përballet me shumë sfida. Për ne është tejet e rëndësishme, jo vetëm t’i dërgojmë librat në shkolla, por edhe të dërgojmë tekste cilësore. Në fund të kësaj jave do t’iu informojmë më hollësisht në lidhje me furnizimin dhe ndryshimet që po planifikojmë për këtë vit në lidhje me furnizimin e fëmijëve me tekste shkollore, por më lejoni të përmendi që nga marrja e detyrës, kemi punuar shumë në përmirësimin e cilësisë të këtyre teksteve shkollore… Unë shpresoj të arrijmë me kohë të furnizmojmë me tekste shkollore, gjithsesi jemi duke shikuar mundësitë të mos ketë vonesa në këtë drejtim. Me aq sa jam njoftuar nga ekipi i cili negocion kontratat për blerjen e teksteve, kam parë anomali mjaft të mëdha. Kam parë tekste shkollore që janë përcaktuar me shuma të mëdha 13-15 euro. Dhe, si Ministri kemi përgjegjësi edhe për përkujdesje ndaj buxhetit të shtetit, përveçse për cilësi të teksteve”, tha ministrja.

Vonesa në dërgimin e teksteve mësimore nëpër shkolla ka pasur edhe vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat