Kërkohet drejtësi për masakrën e Dubravës

Kosova

Kërkohet drejtësi për masakrën e Dubravës

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 22:47
Burgu i Dubravës

Nga Haga është kërkuar hetim edhe për masakrën e Dubravës. Rreth 700 persona mund të jenë dëshmitarë potencialë për të dëshmuar për njërën ndër masakrat më të rënda që kreu regjimi i Serbisë në vitin 1999 në Burgun e Dubravës.

I mbijetuari i kësaj masakre Enver Dugolli, i cili i ka kërkuar prokurorisë së specializuar në Hagë që t'i nisë hetimet për këtë masakër, ka njoftuar se ka marrë përgjigje se kjo kërkesë do të shqyrtohet. Por njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë kanë dilema nëse do të mund të gjykohej kjo masakër nga ana e Hagës.

Bislim Zogaj është njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Dubravës. Tash e 23 vjet ai dhe të mbijetuarit e tjerë por edhe familjet e viktimave presin drejtësinë.

Zogaj thotë se është i gatshëm të dëshmojë për tmerrin që përjetuan në majin e vitit 1999.

"Po shpresojmë që më në fund do të lëvizë diçka në favor të popullit të Kosovës që janë dëmtuar aq shumë, e sidomos në rastin e burgu të Dubravës ka qenë një masakër e llojit të vet, ka qenë gjenocid. Për këtë masakër kemi dëshmitar dhe fakte të mjaftueshme që besoj që mund të lëvizë diçka”, tha Zogaj.

Në emër të të mbijetuarve e familjeve të viktimave, muaj më parë ish i burgosuri politik Enver Dugolli, ka adresuar kërkesë për nisjen e hetimeve ne Hagë. Së fundmi ai është njoftuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë të cilët i kanë konfirmuar se kërkesa e tij do të shqyrtohet nga ana e tyre.

"Unë jam optimist se më në fund drejtësia do të shkon në vend sa i përket masakrës së Dubravës dhe vënies së drejtësisë si i planifikuesve, organizuesve të kësaj masakre që sipas të gjitha dëshmive dhe argumenteve vija institucionale e shtetit serb është ajo që kryekëput duhet ndjekë, sepse e vërteta është aty, ata kanë organizua dhe planifikua prandaj edhe si të tillë”, ka thënë Dugolli.

Por Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi, tha se Gjykata Speciale do ta ketë mision të pamundur që ta hetojë dhe gjykojë këtë masakër sepse, sipas tij, të dyshuarit janë kryesisht në Serbi.

Holanda ka marrëveshje me Kosovën në raport me dërgimin e personave, të cilët dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë, por nuk ka me Serbinë... Gjasat që Serbia t'i ekstradojë në Hagë janë pothuajse minimale apo zero, kështu që më shumë e shoh si një përgjigje sa për të thënë sesa që mund të ndryshojë diçka në realitet”, tha ai.

Sipas Miftarajt, deputetët e Kuvendit të Kosovës por edhe Qeveria do të duhej ta forconin Prokurorinë Speciale, e po ashtu do të duhej që të kishin vullnet politik që brenda mekanizmave të vet t'i hetojë, ndjekë dhe gjykojë krimet e luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat