Këtë të shtunë mbahet provimi i maturës shtetërore

Kosova

Këtë të shtunë mbahet provimi i maturës shtetërore

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të shtunën (24 qershor) do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.

Sipas njoftimit, në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MASHTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi.

Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë, njofton MASHTI.

Tutje, kërkohet që për çdo parregullsi ë qendrën e testimit, të raportohet, me shkrim në DKA dhe në MASHTI.

“Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi.”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, njofton se kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi.

“Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.”, njofton ministria.

Testi do të organizohet në 178 qendra të testimit, bën të ditur ministria.

“Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master). “

“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit.”

Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 3 korrik, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat