Çadrat me vete sepse moti me shi është deri me 19 qershor

Kosova

Çadrat me vete sepse moti me shi është deri me 19 qershor

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 23:45
Foto ilustrim

Shiu nuk do të ndalet të paktën deri më 18 dhe 19 qershor. Kështu  thonë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Paralajmërohet se nga reshjet mund të ketë edhe vërshime në Kosovë.

Sipas Besim Aliut nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, situata nuk është stabile. Ai tregoi se deri kur mund të kemi reshje të shiut, derisa foli edhe për vërshimet.

“Reshje të shiut do të kemi deri më 18 apo 19 të këtij muaji dhe temperaturat do të jenë 20-24 gradë celsius maksimale”, tha Aliu për RTK-në.

Sipas tij, vërshimet i ka lajmëruar edhe sektori i hidrologjisë dhe ato parashihen të jenë në zona të ndryshme të Kosovës, varësisht prej intensitetit të reshjeve.

Vërshimet nuk u përjashtuan as nga meteorologu Mendim Rugova.

“Toka vetëm është ngopur dhe natyrisht që kjo sasi e të reshurave që po bie gjatë këtyre ditëve të para të qershorit është shtesë, dhe kështu që natyrisht po pritet që ndoshta këtë javë mund të ketë vërshime apo përmbytje të shpejta nëse janë në formë rrebeshesh”, thotë meteorologu Rugova.

Njohës të çështjeve të emergjencave, bënë thirrje tek institucionet që të jenë të përgatitura në rast se ka vërshime.

“Institucionet duhet të jenë të përgatitura kur të ketë të tilla vërshime apo fatkeqësi natyrore, pra duhet që institucionet qoftë ato lokale, qoftë qendrore, në bazë të përgjegjësive që kanë, gjithmonë të jenë të gatshme që t’u dalin në ndihmë qytetarëve nëse ka nevojë kur kemi vërshime”, thotë Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave.

Sidoqoftë, nga instituti Hidrometeorologjik deklarojnë se  mot më të qëndrueshëm mund të ketë pas datës 18 apo 19 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat