Refuzohet plani i vilave

Kosova

Refuzohet plani i vilave

Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Shpesh investitorët në Kosovë përballen me vështirësi dhe sfida gjatë realizimit të projekteve të tyre.

I tillë është edhe një rast ku dy pronarë akuzojnë Komunën e Podujevës në ndërhyrje të realizimit të projektit të tyre në Batllavë. Madje për këtë rast ata edhe kanë paditur komunën kurse kjo e fundit ka thënë se janë duke zbatuar ligjin.

Mbi 260 metra larg zonës së mbrojtur të liqenit të Batllavës, dy sipërmarrës Visar Geci dhe bashkëpunëtori i tij Blend Zymi, kishin në plan të ndërtonin rreth 30 vila.

Fillimisht afaristët kanë thënë se kanë marrë pëlqim nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ata po prisnin që të merrnin përgjigje edhe për lejen e pëlqimi mjedisor.

Por, sipas Gecit, përgjigjja u ishte kthyer negative, me arsyetimin se fletëpagesa ishte e paqartë dhe se drejtori i Urbanizmit në Podujevë, Leutrim Krasniqi, kishte thënë në letrën zyrtare se në zonat pyjore është i ndaluar ndërtimi, dhe se investitorët fillimisht duhet të aplikojnë në komunë për kushte ndërtimore, e pastaj në komunë për leje ndërtimore.

Visar Geci, këtë veprim të Komunës së Podujevës e quan si vepër penale.

“E kemi marrë mendimin profesional prej Agjencisë Pyjore të Kosovës, ku edhe ata na kane thënë se vazhdoni me procedura për leje, sepse ju lejohet pasi që ARPL-ja ia ka aprovuar. Kjo është brenga se ka bërë falsifikim të informacionit. Mes tjerash në e-mail që iu ka drejtuar Ministrisë ka thënë se kinse fillimisht duhet nxjerrë kushtet ndërtimore në komunë dhe, pastaj, pëlqimin mjedisor e që ligjërisht është e kundërta”, tha Visar Geci, sipërmarrës.

Kurse Leutrim Krasniqi, drejtori i Urbanizmit në Podujevë, në rrjetin social Facebook shkroi se, edhe pse procedura për “Pëlqim Mjedisor” zhvillohet në Ministri, si komunë thotë se kanë bërë kërkesë për anulim, por jo në ndërhyje në vendimin e tyre. Të gjitha këto veprime thonë se po bëhen me qëllim të mbrojtjes së Liqenit të Batllavës dhe se ajo çfarë kërkojnë këta pronarë është të mos zbatohet ligji, por këtë gjë, sipas tij, nuk do ta lejojnë dhe nuk do të mund as të shantazhohen.

Geci i referohet ligjit nr. 04/L-110, i cili thotë se para lëshimit të lejes së ndërtimit kërkesës I bashkëngjiten pëlqimet ujore, mjedisore e të tjera.

Megjithatë, dy sipërmarrësit kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen duke ndjekur rrugët ligjore.

Ata thonë se kanë ushtruar edhe kallëzim penal ndaj Komunës së Podujevës dhe kanë paditur edhe Ministrinë e Mjedisit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat