Komuna e Dragashit gjatë vitit 2022

Kosova

Komuna e Dragashit gjatë vitit 2022

Nga: Muharrem Qafleshi Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Të pyetur se sa janë të kënaqur me atë që është arritur gjatë vitit 2022, shumë qytetarë të Dragashit shprehin edhe kënaqësinë edhe pakënaqësinë e tyre, duke theksuar se gjatë këtij viti kemi të njëjtën problem, 15 fshatra ende kanë mbeten pa ujë të pijshëm.

Edhe pse ishte premtuar në fushatën zgjedhore se prioritet i prioriteteve do të jetë sigurimi i ujit të pijshëm për këto fshatra dhe rregullimi i një kanalizim të vetëm për gjithë komunën e Dragashit.

Sipas drejtorit të drejtorisë komunale për Administratë Vetim Ramadanit, për realizimin e këtyre projekteve kapitale për komunën e Dragashit duhet edhe mbështetja financiare nga qeveria Kurti, andaj kryetari Bexhet Xheladini, përmes kërkesave zyrtare i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit, Ambasadorit të BE-së Tomas Szunyog, Ambasadorit të Suedisë Yonas Westerlund, Zyrës Zvicrane për Zhvillim dhe Ministrive të ndryshme por pavarësisht kërkesës, Qeveria Kurti preferojë që t’i mbajë 271 milion €, të pashpenzuara dhe të mos e ndihmojë komunën e Dragashit për realizmin e projektit për ujësjellësin, që do t’i furnizonte 15 fshatra të komunës, të cilët vuajnë tash e dy dekada për ujë të pijshëm.

Por drejtori Vetim Ramadanit zotohet se ky projekt do të realizohet me ose pa ndihmën e qeverisë qendrore.

Po ashtu Qeveria Kurti refuzoi mbështetjen financiare edhe për dy projekte tjera, rrugën për gjatë Lumit Pllavë dhe rindërtimi i stadiumit të qytetit.

Pra, qeveria lokale e komunës së Dragashit paraqiti tri projekte për mbështetje financiare nga Qeveria Qendrore e Kosovës, por për çudi që të tria u refuzuan, që është një paradoks në vete.

Prandaj 15 fshatra do të mbesin akoma pa ujë të pijshëm.

Ky projekt i ujit të pijshëm u fillua para shumë vitesh që të sillet uji nga lumi i fshatit Radeshë për fshatrat që kanë më së shumti nevojë, por me gjasë Dragashi dhe banorët e saj, do të vazhdojnë të përpëlitet në pellgun e pafund të varfërisë dhe të vuajtjeve të trashëguar.

Ujërat e zeza, po ashtu janë një problem jetik i kësaj komune, bërlloku dhe mbeturinat e ndryshme ende hidhen në Lumjetë e komunës edhe pse në çdo fushatë zgjedhore u premtua se do të ndërtohet një impiant i përgjithshëm që do t’i mblidhte ujerat e zeza përmes kanalizimit nga Zapluxha, Brodi dhe Restelica dhe do të bashkohen nën fshatin Orqushë ku do të ndërtohej një fabrikë për filtrimin e tyre. Por sot e kësaj dite nuk është bërë as një përpjekje në këtë drejtim.

Realisht, çka i solli ky vit kësaj komune? – Si projekt më serioz mund të merren: asfaltimi i rrugës Xerxe-Plljanik, kubëzimi i rrugës Buzëz – Kroi Minës, traseja e rrugës në fshatin Zapluxhe të gurra nën Presllop, kubëzimi për të katërtën herë në qendrën e Bresanës, hapja e trasesë së rrugës në bjeshkën e fshatit Kuk, rruga Glloboçicë-Zliotok-Krushëve dhe investime të tjera të parapara për secilin fshat.

Si gjithandej në Kosovë edhe në këtë komunë papunësia është plaga më e rëndë që rëndon prore në shpirtin e të rinjve. Kështu, për çdo vit në armatën e të papunëve rekrutohen pandërprerë gjenerata të reja, ndërsa nepotizmi edhe në këtë komunë është i theksuar, ende kemi raste të ushtrueseve të detyrës së drejtorëve, pse nuk hapet konkursi dhe të pranohet tamam drejtor i rregullt e jo ushtrues, kjo praktik një herë e mirë duhet të merr fund, ngase Udhëzimi Administrativ i MAShT-it për këtë gjë mjaft mirë e precizon se kur mund të emërohet ushtruesi i detyrës së drejtorit të një shkollë dhe sa mund të zgjasë në pikëpamje kohore.

Po ashtu një problematik e kësaj komune është edhe ikja e nxënësve pas mbarimit të shkollave fillore për t’u regjistruar në shkollat e mesme të Prizrenit dhe të qyteteve tjera të Kosovës.

Andaj për ta ruajtur personelin arsimor ose normat e mësimdhënëseve, përgjegjësit arsimor janë të detyruar që të krijon klasa xhuxhe për shembull në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash, janë 6 klasa me nga10-të nxënës e më pak.

Por si duket kjo problematikë askënd nga politika komunale nuk e trazon dhe shqetëson.

Ndërsa në trevën e Gorës, arsimi është mjaft problematikë dhe delikat. Ky etnitet është i ndarë në dysh, në boshnjak – mysliman, që mësimet i ndjekin sipas udhëzimeve administrativ të MAShT-it. Dhe goran që punojnë sipas plan-programeve serbe, me ditar dhe libra me alfabet cirik të sjell nga Serbia.

Sipas të dhënave zyrtare të komunës së Dragashit, buxheti total i realizuar për këtë vit është:

Investimet kapitale janë realizuar 86%

Mallra dhe shërbime 96%

Shpenzime komunale 96%

Paga dhe mëditje 100%

Subvencione 100%.

Realizimi i përgjithshëm e buxhetit komunal është 94%.

Edhe pse është dukshëm më i mirë se i qeverive lokale të mëparshme, prapëseprapë 14 % -shi i investimeve kapitale i pa shfrytëzuar është pak si shumë.

Pritet që viti tjetër kalendarik të jetë më i suksesshëm në realizimin e projekteve të parapara e të premtuara nëpër fushatat zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat