BE dhe KiE përmbyllin fushatën ‘Blloko Urrejtjen – Fal Dashni’ në Prishtinë

Kosova

BE dhe KiE përmbyllin fushatën ‘Blloko Urrejtjen – Fal Dashni’ në Prishtinë

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës përmbyllën sot në Prishtinë fushatën e përbashkët “Blloko Urrejtjen. Fal Dashni” e cila është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor që nga dhjetori 2020, me qëllim luftimin e formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes, e cila shënjestron komunitete dhe individë specifikë në shoqërinë kosovare dhe komunitetet lokale.

Fushata është përcjellë me aktivitete të shumta të komunikimit me publikun dhe kanalet e rrjeteve sociale duke arritur tek qindra mijëra njerëz, transmeton Klan Kosova.

Ngjarja e cila u mbajt në një shesh publik të lojërave në Prishtinë mblodhi të rinj, ambasadorë kundër gjuhës së urrejtjes, zyrtarë dhe OJQ lokale, si dhe ambasadorë të rinj evropian dhe përfaqësues të BE-së dhe KiE-së, të cilët kanë dhënë mesazhe dashurie, barazie dhe solidariteti.

“Të gjitha format dhe manifestimet e urrejtjes dhe intolerancës janë në mospërputhje me konceptet themelore të lirisë dhe barazisë, si dhe me vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e komuniteteve jo shumicë,” tha Johannes Stenbaek Madsen, kreu i Seksionit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Fushata “Blloko Urrejtjen. Fal Dashni!” është vetëm një nga aktivitetet e shumta të financuara nga BE-ja dhe të zbatuara me organizatat partnere në përpjekje për të ndihmuar institucionet vendore që të avancojnë Kosovën në rrugën e saj evropiane duke forcuar respektin për të drejtat e njeriut.”

Duke folur në këtë ngjarje, Tankut Soykan, Zëvendës Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, theksoi rëndësinë e luftës kundër gjuhës së urrejtjes në lëvizjen drejt një shoqërie tolerante dhe të larmishme.

“Është përgjegjësi e të gjithëve ne të kundërshtojmë gjuhën e urrejtjes, sepse ky fenomen kërcënon jo vetëm disa grupe të cenueshme, por edhe vlerat themelore të demokracive tona. Siç nënvizoi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejčinovič Burič, gjuha e urrejtjes është në rritje në Evropë, veçanërisht online, ku shpesh merr formën e racizmit, antisemitizmit ose nxitjes së dhunës. Ne duhet të bashkojmë forcat për të trajtuar këtë kërcënim kompleks ndaj shoqërive tona me masa që janë edhe efektive, por edhe proporcionale”, tha Soykan.

Donjeta Sahatçiu, Nënkryetare e Komunës së Prishtinës në fjalën e saj theksoi, “Nesër është dita ndërkombëtare e shëndetit mendor dhe po gëzohem shumë që kjo kampanjë po organizohet një ditë para kësaj dite dhe rëndësinë që e ka në mënyrë që të ngritët vetëdija që çdo fjalë e keqe e thënë prej dikujt ndikon në shëndetin mendor të tjetrit dhe kampanja “Blloko urrejtjen. Fal dashni!” ka një rëndësi tepër të veçantë, sepse mesazhi është shumë i qartë” tha Sahatçiu.

Afrim Maliqi, Drejtor i Handikos në fjalën e tij deklaroi “Megjithëse këto vite kanë kaluar, Prishtina dhe Kosova janë ndërtuar dhe po ndërtohen, mirëpo gjendja e personave me aftësi të kufizuar ende mbetët e vështirë dhe ka sfida të shumta të cilat i pengojnë personat me aftësi të kufizuar që të jenë të barabartë me të tjerët. Duke filluar nga infrastruktura, megjithëse ka lëvizje, por ato ende nuk janë arritur sa duhet”.

Fushata mbështetet nga figura të shquara publike, institucione dhe aktivistë, të cilët po promovojnë diversitetin dhe barazinë si në nivel lokal ashtu edhe në atë rajonal, përmes rrëfimeve personale, dëshmive dhe shkëmbimit të praktikave të mira.

Fushata zbatohet në kuadër të veprimeve të “Promovimit të diversitetit dhe barazisë në Ballkanin Perëndimor”, që janë pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat