Parashkruhet lënda e vrasjes së kryer nga hakmarrja para 33 viteve në Deçan

Kosova

Parashkruhet lënda e vrasjes së kryer nga hakmarrja para 33 viteve në Deçan

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 20:14
Ilustrim

Pejë- Vepra e vrasjes nga hakmarrja për të cilën akuzohej i pandehuri Hasan Zenelaj, ka arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale.

Për këtë vrasje, Prokuroria e Pejës e akuzonte Zenelajn se për qëllim të hakmarrjes në vitin 1989, në Deçan, në bashkëkryerje me vëllanë e tij S.Z, e kishin vrarë Zekë Ukajn.

Për këtë vrasje, fillimisht ishte dënuar vëllai i Hasanit, S.Z me 11 vite burgim në shtator të vitit 1991, mirëpo sipas Prokurorisë i pandehuri Hasan pas vrasjes ishte arratisur duke ndryshuar emrin nga Besim në Hasan, deri kur në vitin 2019, ishte arrestuar në Zvicër përmes urdhërarrestit ndërkombëtar.

Në një konstatim të tillë, ka ardhë kolegji i Gjykatës Supreme i kryesuar nga gjykatësja Mejreme Memaj, me anëtarët Valdete Daka dhe Rasim Rasimi, të cilët duke aplikuar Ligjin Penal të Serbisë, të cilin e kanë konsideruar si ligj më të favorshëm, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, ndaj vrasjes që akuzohej të ketë kryer i pandehuri, kanë konstatuar se ishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Edhe pse i pandehuri Hasan Zenelaj ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 11 vite burgim nga Gjykata e Pejës dhe Gjykata e Apelit për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë,  Gjykata Supreme ka arsyetuar se këto gjykata kishin aplikuar ligjin e disfavorshëm ndaj të pandehurit.

Supremja në këtë përfundim ka ardhë pasi sipas këtij kolegji, vepra penale e vrasjes sipas Ligjit Penal të Serbisë parashihte dënimin me burgim jo më pak se 10 vite ose me dënim me vdekje.

Duke qenë se dënimi me vdekje ishte hequr me Rregulloren e UNMIKUT- nr.1999/24, e vitit 1999, mirëpo kjo rregullore sipas Supremes nuk kishte përcaktuar maksimumin e dënimit për veprën penale të vrasjes së rëndë, kur ishte shfuqizuar dënimi me vdekje dhe rezulton se ishte Ligji Penal i Serbisë më i favorshëm për aplikim ndaj të pandehurit.

Kjo rregullore sipas Supremes më pas ishte ndryshuar më 27 tetor 2000, e cila kishte parashikuar dënimin maksimal prej 40 vitesh, mirëpo me dispozita kalimtare kjo rregullore aplikohej vetëm për veprat penale të kryera pas kësaj date.

“Meqë me rregulloren e parë vetëm është shfuqizuar dënimi me vdekje dhe nuk është përcaktuar dënimi afatgjatë me burgim deri me ndryshimin e saj që përfshinë periudhën prej 10 qershor 1999 deri me 27 tetor 2000 posaçërisht bazuar nenin 4 të Rregullores se ndryshuar e cila qartë ka përcaktuar se dënimi me burgim afatgjatë vlen vetëm për krimet e kryera pas datës 27 tetor 2000, duke pasur parasysh edhe parimin e ndalimit të veprimit retroaktiv të ligjit penal, faktit se nuk ka bazë ligjore për shqiptimin e dënimit me burgim afatgjatë apo të përjetshëm gjatë kësaj periudhe dhe parimin e zbatimit të ligjit me të favorshëm, kjo gjykatë vlerëson se për të gjitha veprat penale të cilat janë kryer deri me 27 tetor 2000 maksimumi i dënimit të shqiptuar me burgim është 15 vite, ngase që nga koha kur është hequr dënimi me vdekje e deri me ndryshimin e rregullores nuk është paraparë dënim tjetër përveç maksimumit të dënimit, e përveç kësaj sipas ligjit penal të Jugosllavisë neni 38 par.2 për vepra penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje gjykata ka mund të japë dënim me burgim deri në njëzet vjet por që me heqjen e dënimit me vdekje ka ra poshtë edhe kjo mundësi”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Kurse, thuhet se sipas Kodit Penal te Republikës së Kosovës ( të vitit 2013) për veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 179, par.1, nënpar.1.8 dhe nenit 31 të KPRK sipas të cilës është cilësuar vepra penale me akuzë, parashihet dënim me burgim jo më pak se dhjetë vite ose me burgim të përjetshëm.

“Pra, rezulton se ligji që ka qenë në fuqi në kohën kur ngarkohet i dënuari se e ka kryer veprën penale ka qenë me i favorshëm”, thuhet më tej.

Pasi Supremja ka konstatuar ligjin e favorshëm, e njëjta ka ricilësuar veprimet e të pandehurit nga vrasja e rëndë në veprën penale të vrasjes dhe ka ardhë në përfundim se vepra penale e vrasjes është parashkruar.

“Sipas dispozitës së nenit 95 par.1 pika 2 të Ligjit Penal të Jugosllavisë që është i zbatueshëm në rastin konkret ndjekja penale nuk mund të ndërmerrej kur të kenë kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga kryerja e veprës penale për të cilën në bazë të ligjit mund të jepet dënimi me mbi dhjetë vjet burgim. Ndërsa, sipas nenit 96 pika 6 të po këtij ligji parashkrimi i ndjekjes penale lind në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet në bazë të ligjit për parashkrimin e ndjekjes penale – ndalesa absolute mbi ndjekjen penale. Pra, parashkrimi i ndjekjes penale lindë me kalimin e kohës së caktuar nga kryerja e veprës penale deri në marrjen e vendimit të plotfuqishëm. Nuk ka dyshim se në rastin konkret ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, ngase që nga koha e kryerjes së veprës penale (20.10.1989), e deri sa aktgjykimi ka marrë formë të prerë kanë kaluar më tepër se 30 vite, pra parashkrimi absolut ka arritur me 20.10.2019 para se aktgjykimi te behej i formës së prerë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Po ashtu, Supremja ka arsyetuar se sipas Ligjit Penal të Jugosllavisë, neni 38, par.2 parashikohej se gjykata ka mundur të japë dënim deri 20 vite burgim për veprat penale për të cilat ishte parashikuar dënimi me vdekje, mirëpo pasi dënimi me vdekje ishte hequr përmes Rregullores 1999/24, atëherë sipas Supremes kishte rënë poshtë edhe mundësia e shqiptimit të dënimit deri 20 vite burgim.

Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka konsideruar të ligjshëm përfundimin e Gjykatës Themelore të Pejës, se ishte Hasan Zenelaj, i cili së bashku me vëllanë e tij tani të ndjerë, S.Z  para 32 vitesh nga hakmarrja, kishin vrarë 25 vjeçarin Zekë Ukaj në qendër të Deçanit.

Kurse më 23 gusht 2021, për të dytën herë, Gjykata Themelore në Pejë e kishte  dënuar me 11 vite burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, Hasan Zenelaj.

Në shkurt të vitit 2020, ish-kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, e kishte gjetur fajtor të pandehurin Zenelaj dhe e kishte dënuar me 11 vite burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit i kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurit, avokatëve Ramiz Krasniqi dhe Berat Tmava, me ç’rast e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasan Zenelaj, i njohur më parë me emrin Besim Zenelaj, akuzohetj se më 20 tetor 1989, rreth orës 9:30, në Deçan, në rrugën ish “Eduar Kardeli”, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, i moshës 25 vjeçare nga fshati Strellc i Epërm.

Sipas aktakuzës, rasti kishte pikënisjen në një rrahje që kishte ndodhur më 12 qershor 1989, në mes të pandehurit dhe vëllait të tani të ndjerit.

Bazuar në akuzë, tani i ndjeri Zekë Ukaj, ishte përcjellë për një kohë, e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht i dënuari Selim Zenelaj, e kapë për qafe me dorë të majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i ndjeri në mbrojtje e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj, bien në kanalin e ujit, i pandehuri Hasan Zenelaj, zbret në kanal dhe derisa i dënuari Selim Zenelaj, po e mbante tani të ndjerin për duarsh, e godet disa herë në shpinë e pjesë të tjera të trupit, gjithsej 16 goditje, shumicën prej tyre në organe vitale ku për pasojë edhe ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në shkresat e lëndës, thuhet se i akuzuari Hasan Zenaj, i njohur me emrin Besim Zenelaj është arratisur menjëherë pas ngjarjes kritike dhe nuk i është ditur vendndodhja, me ç’rast ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 28 tetor 1989, kishte lëshuar letër-rreshtim.

Pasi që i akuzuari ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, thuhet se Gjykata e Pejës ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar, më 5 dhjetor 2015, ndërsa i pandehuri është arrestuar në shtetin e Zvicrës, më 27 janar 2019, ku edhe është ekstraduar në Kosovë më 8 maj 2019.

Kurse, për të pandehurin tjetër S.Z (i ndjerë), i cili akuzohej se me Hasan Zenelajn ka kryer vrasjen e rëndë, ishte vazhduar procedura, me ç’rast më 20 shtator 1991, ishte dënuar me 11 vjet burgim, me aktgjykim të plotfuqishëm, raporton betimiperdrejtesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat