INPO: Kryetari i Komunës së Vushtrrisë me para publike tenton ta promovoj punën e tij

Kosova

INPO: Kryetari i Komunës së Vushtrrisë me para publike tenton ta promovoj punën e tij

Më: 19 prill 2022 Në ora: 14:19
Komuna e Vushtrrisë

Prishtinë, 19 prill 2022- INPO reagon  kundër praktikave të disa institucioneve publike që me paranë publike promovojnë kasta të ndryshme politike dhe individë, sikurse Komuna e Vushtrrisë, e cila ka hapur tender për promovimin e qeverisjes komunale.

INPO në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë ka shpallur tenderin me titull “Shërbime mediale për aktivitete të Komunës Vushtrri-Ri tenderim”, me numër të prokurimit 644-22-3067-2-2-1 dhe vlerë të parashikuar 10,580 euro.

INPO ka analizuar dokumentet e tenderit dhe vlerëson se shërbimet e kërkuara për kontraktim, janë shërbime audio-vizuele për promovimin e qeverisjes komunale dhe në asnjë formë nuk i shërben interesit qytetarë dhe objektivave zhvillimore të komunës.

Në dosjen e tenderit përveç tjerash është kërkuar “Përgatitja e videove promocionale: Do të përgatitet video promocionale që përcakton zyra e informimit, për një projekt apo punë e cila ka përfunduar, duke cekur statistika të ndryshme (05-20 minuta) dhe intervistë me kryetarin e komunës, me kërkesë të zyrës së informimit caktohet data dhe vendi i intervistës me kryetarin e komunës (05-15 minuta)”.

Në këtë drejtim, INPO shpreh shqetësim edhe për mënyrën e hartimit të termave të referencës në dosjen e tenderit e cila është jashtë çdo standardi profesional si dhe përdorimin e kriterit “çmimi më i ulët me peshim të çmimit” për këtë tender. INPO vlerëson se shërbimet mediale janë lehtësisht të matshme dhe të kalkulueshme, dhe nuk ka pasur nevojë të përdorej kriteri “çmimi më i ulët me peshim të çmimit”, i cili mundëson porositjen e një shërbimi deri në përfundimin e shumës kontraktuale, dhe është argumentuar shumë herë se ky kriter po keqpërdoret nga ana e institucioneve publike.

Tutje, INPO i bën me dije Komunës së Vushtrrisë se implementimi i projekteve dhe qeverisja e mirë janë obligime fundamentale të organeve të komunës dhe nuk ka nevojë që për qëllime të promovimit të shpenzohet buxheti i komunës edhe ashtu i varfër karshi nevojave të qytetarëve. Promovimi më i mirë dhe krijimi i marrëdhënieve të mira me publikun dhe qytetarët është qeverisja e mirë, shpenzimi racional i parasë publike dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve.

Andaj, shpenzimi i parasë publike me qëllim të promovimit të kastave politike dhe individëve të caktuar është keqpërdorim i parasë publike dhe shkelje e parimeve të qeverisjes së mirë.

INPO i bënë thirrje kryetarit të Komunës së Vushtrrisë dhe zyrtarit përgjegjës të prokurimit që këtë tender ta anulojnë. Ndërkaq, i bëjmë thirrje organeve përgjegjëse që të mbajnë përgjegjëse të gjitha institucionet tjera që e kanë shëndërruar në traditë përdorimin e parasë publike për të promovuar individë të caktuar dhe kasta të ndryshme politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat