Deklarohet i pafajshëm sërish ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Drenasit

Kosova

Deklarohet i pafajshëm sërish ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Drenasit

Më: 19 janar 2022 Në ora: 17:52
Pamje nga gjykimi

Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi me rastin e nisjes së shqyrtimit gjyqësor është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjithashtu në këtë seancë është dhënë edhe fjala hyrëse nga palët në procedurë.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi ka bërë të ditur se seanca ka filluar me vonesë pasi që ishin në pritje të avokates Zahide Gjonaj e cila ishte caktuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), për ta mbrojtur të akuzuarin Veliqi.

“Pasi kam marrë pëlqimin e të akuzuarit Veliqi i cili që nga hapja e shqyrtimit fillestar ka qenë në gjendje jo të mirë për të angazhuar mbrojtës dhe në koordinim me të kam kontaktuar OAK dhe është caktuar që tani e tutje atë ta mbroj avokatja e caktuar sipas radhës nga oda, Zahide Gjonaj, ajo sot është informuar nga ora 8:30 për të qenë këtu, prandaj është shtyrë gjykimi për 20 minuta”, tha ajo.

Gjatë leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, avokatja Gjonaj ka njoftuar gjykatën se  e njëjta nuk ishte e pajisur me shkresa të lëndës, e që asaj i është dorëzuar aktakuza gjatë seancës duke i thënë se i mbrojturi i saj ishte i pajisur me të gjitha shkresat e tjera.

Pasi që i akuzuari Veliqi ka mohuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, gjykatësja Krasniqi Jashanica ka njoftuar palët se do të jepej fjala hyrëse.

Me ç’rast në fjalën hyrëse të saj prokurorja Sadikaj ka njoftuar palët me provat që do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Do të dëgjohet dëshmitari Haxhi Lladrovci, përfaqësuesja e palës së dëmtuar Altina Mulaj, do të bëhet prezantimi i dokumentacionit për rastin  “Hajdini Palace”, “Ana Princess”, “Aktive” dhe “Viva Fresh”, kontrata kornizë e datës 11.05.2015  e lidhur në mes komunës së Gllogovcit dhe operatorit ekonomik “Durimi shpk”  për rrënimin e objekteve pa leje në territorin e komunës së Gllogovcit, shkresat nga drejtoria për planifikimin urban dhe mbrojtje të mjedisit të Komunës së Gllogovci të datës 21.10.2020 për vlerën e shkaktimit të dëmit”, tha ajo.

Deklarimin e prokurores Sadikaj e ka mbështetur edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar Komunës së Drenasit, Albina Mulaj, duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë që i akuzuari Veliqi ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Gjithashtu pala e dëmtuar ka parashtruar edhe kërkesën pasurore juridike për dëmin e shkaktuar ndaj saj në vlerën e përcaktuar nga prokuroria prej 31,176.00 euro.

Kur ishte radha e dhënies së fjalës hyrëse nga mbrojtja, avokatja Gjonaj ka insistuar se e njëjta nuk është e njoftuar me lëndën pasi që nuk është pajisur me shkresa të lëndës.

Lidhur me këtë gjykatësja Krasniqi-Jashanica i ka dhënë mbrojtjes 10 minuta kohë që të konsultohet me të akuzuarin Veliqi dhe më pas të jep fjalën hyrëse, duke shtuar se i akuzuari është i pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

“Sot me shkresat e lëndës i ke të gjitha provat, më tepër se që ka prokurori ka i akuzuari, krejt provat  e aktakuzës i ka marrë te prokurori Rafet Halimi  atëherë që e ka pas këtë lëndë. Në fjalën hyrëse ti vetëm mund ta marrësh mendimin e të mbrojturit tënd se cilat prova ka për qëllim për ti administruar, ka ndonjë dëshmitarë të tij, cilët janë ata dëshmitarë, unë do ta jap një kohë prej 10 minutash që ti të konsultohesh me të dhe të ma japësh fjalën hyrëse sot”, tha ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatëses Krasniqi- Jashanica, deri në këtë fazë i akuzuari nuk ka pasur të angazhuar avokat meqenëse i njëjti nuk ka dashur, e që më pas gjykata i ka caktuar avokaten për interes të drejtësisë.

“Ai kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave e ka bërë vet ska deshtë avokat, 100 milionë herë e kom pyet, i kom thonë bile bile edhe në Komunën e Drenasit me kërkua avokat për ndihmë juridike falas, ka shpreh gatishmërinë por çdo njëri prej avokatëve ka kërkuar atë pagesën që e keni me tarifë, ndërkohë ka njoftuar që do të jep mbrojtjen vet. Po të them sot je angazhuar vetëm sa i përket që po më duket se është më mirë për interesin e drejtësisë për me qenë i angazhuar një avokat për ta mbrojtur atë”, tha ajo.

Pas kësaj avokatja ka thënë se e njëjta do të deklarohej menjëherë, por që gjykatësja ka insistuar që paraprakisht ajo të konsultohej me të mbrojturin e saj pasi që sipas gjykatëses përmbledhjen e provave e bën mbrojtja.

Pas konsultimit prej 10 minutësh, është dhënë fjala hyrëse nga avokatja Gjonaj e cila ka kundërshtuar në tërësi aktakuzën e prokurorisë pasi që sipas saj, me asnjë provë nuk  mbështetet dyshimi i bazuar mirë se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Ndërsa e njëjta ka rezervuar të drejtën që në të ardhmen të propozojë administrimit e provave të tjera në këtë rast, e që sipas saj në fund do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj.

Fjalën e avokates Gjonaj e ka mbështetur edhe i akuzuari Veliqi i cili tha se varësisht prej rrjedhës së shqyrtimit gjyqësor do të propozojë edhe dëshmitarët e tij.

Më pas seanca është ndërprerë nga gjykatësja Krasniqi Jashanica me qëllim të përgatitje së mbrojtjes për marrjen në pyetje të dëshmitarëve në këtë gjykim.

“Unë e pata vetëm të japim fjalën hyrëse sepse nuk duhet të prolongojmë mbrojtjen, këtu do ta ndërprejmë me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes. Trupi gjykues gjithherë në interes të mbrojtjes së të akuzuarit Fitim Velqii që avokatja Zahide Gjonaj të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës për të ofruar mbrojtjen e garantuar me ligj merr këtë aktvendim, shqyrtimi gjyqësor ndërpritet këtu për të vazhduar për një datë tjetër”, tha ajo

Andaj seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 15 mars.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e mjedisit, Ujrave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34,176.00 euro.

Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, e cila dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat