​Ministri Peci në takim virtual me sekretarin për Bujqësi të Iowas

Kosova

​Ministri Peci në takim virtual me sekretarin për Bujqësi të Iowas

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 19:03
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci gjatë një takimi virtual me sekretarin për Bujqësi të Iowas, Mike Naig kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar gjatë këtij viti mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Universitetit të Iowas të Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri Faton Peci gjatë këtij takimi prezantoi hapat e ndërmarrë për avancimin e sektorit të bujqësisë gjatë këtyre muajve, si dhe e njoftoi sekretarin Naig për mundësitë që i ofron sektori i bujqësisë për investime, me fokus të veçantë në kultivimin e drithërave, industrinë e prodhimit dhe përpunimit të mishit dhe nën-produkteve të tij.

Duke theksuar potencialin që ka Kosova për zhvillimin e bujqësisë, ministri Peci e njoftoi sekretarin Naig edhe për fuqinë e re punëtore në Kosovë, si dhe përfshirjen e të rinjve në veprimtaritë bujqësore.

Po ashtu, theksoi se rol në zhvillimin e sektorit të bujqësisë viteve të fundit kanë dhënë edhe gratë fermere, të cilat janë shndërruar në histori suksesi, duke potencuar këtu Kooperativën e Grave të Krushës.

Ministri Faton Peci theksoi se Iowa mbetet ndër shembujt kryesorë për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, duke pasur parasysh që ajo është ndër shtetet më të zhvilluara për nga sektori i bujqësisë, jo vetëm në SHBA, por edhe në botë.

Ndërsa, sekretari Mike Naig shprehu falënderimet e tij për takimin e frytshëm dhe e pranoi ftesën e ministrit Faton Peci për ta vizituar Kosovën në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat