​Kamenica bëhet me Qendër të re Rinore

Kosova

​Kamenica bëhet me Qendër të re Rinore

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 18:19
Kamenicë

Është bërë hapja e Qendrës Rinore në qytetin e Kamenicës, ku nga sot të rinjtë e kësaj komune do të kenë kushte shumë më të mira për zhvillimin e aktiviteteve kulturore

Hapësira të mjaftueshme e të pajisura me kompjuterë e infrastrukturë të nevojshme, qendra Rinore është quajtur "Fanar" për të ndriçuar të ardhmen e të rinjve të Kamenicës.

Qendra Rinore është mundësuar nga Komuna e Kamenicës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondacioni Jahjaga dhe Hugary Helps.

Në hapjen e Qendrës Rinore, kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, tha se ndërtimi saj nuk ka qenë i mundur vetëm nga komuna.

Ai tha se shpreson që Qendra tashmë do të jetë një prej vendeve ku të rinjtë do të kalojnë kohën dhe do te organizojnë aktivitete të shumta.

Kastrati: Kjo qendër do të shërbejë për zhvillimin e rinisë

"Për neve si komunë veç vet nuk ka qenë e mundshme dhe nuk ka qenë e përballueshme me mbulua një investim të tillë...Uroj që kjo qendër ka me qenë një prej vendeve ku të rinjtë me dëshirë, pasion kanë me ardhë dhe kanë me e kalua kohën dhe kanë me bë zhvillimin që duhet", tha ai.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se kjo qendër duhet të shërbejë si një vend ku të rinjtë e Kamenicës mësojnë dhe arrijnë suksese të shumta.

Jahjaga: Kjo qendër do të jetë pikë referuese edhe për komunat e tjera

"Sot ne po hapim qendrën rinore të Kamenicës dhe jo rastësisht ne e kemi quajtur "Fanar", sepse kjo hapësirë do të shërbejë si një udhërrëfyes për të ndërtuar dhe për të ngritur dijen për të rinjtë e Kamenicës dhe do të ndriçojë jo vetëm me njohuritë që do të marrin në këtë vend dhe në këtë lokacion, por edhe ju si të ri të Kamenicës do te zgjeroni edhe rrjetin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve që juve ju nevojiten për të ardhmen tuaj. Jam e bindur që kjo qendër rinore që do të jetë jo vetëm si një shembull i mirë për komunën e juaj, por jam e bindur plotësisht se do të jetë një pikë referuese i një shembulli të mirë edhe për komunat e tjera, duke u bazuar në rezultatet që ju do të jepni tash e tutje. Kësaj hapësirë i është dhënë shumë përkushtim, dashuri dhe vëmendje nga Komuna, por edhe nga fondacioni po edhe nga partnerët e saj, të cilët e kanë dhënë maksimunim e tyre për ta shndërruar çdo cep të kësaj ndërtese në diçka produktive", tha ajo.

Ajo u ka bërë thirrje të rinjve të Komunës së Kamenicës që ta shfrytëzojnë ketë qendër, duke thënë se tashmë e kanë hapësirën dhe kushtet e duhura për të arritur suksese.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, tha se si ministri do të jenë afër të rinjve gjithmonë, derisa i porositi të rinjtë e Kamenicës që të shfrytëzojnë qendrën rinore.

Osmani: Të rinjtë e Kamenicës duhet të kenë një rol aktiv

"Shpresoj që kjo qendër do të jetë plotë gjallëri e plot aktivitete e shumë kreativitet nga ju. Të rinjtë e Kamenicës duhet të kenë një rol aktiv dhe shumë të rëndësishëm në mbushjen e kësaj qendre me aktivitete, andaj mos hezitoni asnjëherë me i shpreh idetë e juaja nga trajnimet profesionale e deri tek punëtoritë artistike. Le te shërbejë kjo hapësirë për juve dhe vetëm për juve...Mos harroni ta përdorni këtë hapësirë për aktivizëm qytetarë, zëri juaj është zëri i qytetit ashtu sikur zëri i të gjithë të rinjve në Kosovë, sepse vendimet që merren sot nga ju ndikojnë në të ardhmen tuaj. Andaj mos hezitoni të vini tek ne dhe ti shprehni idetë, nevojat dhe kërkesat ashtu si në ministri, Komunë dhe në çfarëdo niveli tjetër institucional", tha ajo.

Menaxher i projekteve në Hungary Helps, Peter Zelei, tha se të rinjtë e Kamenicës tashmë do të kenë një vend të jashtëzakonshëm për të kaluar kohën.

Zelei: Pamë një vend të mrekullueshëm mbushur me njerëz të mrekullueshëm

"Si menaxher i projektit nuk po kam dëshirë të flas edhe shumë, bashkë me kolegët tanë puna jonë kryesore është të shkojmë në lokacionin e projektit dhe të shohim çka ka ndodhur dhe ne çfarë pamë sot është se pamë një vend të mrekullueshëm mbushur me njerëz të mrekullueshëm", tha ai.

Qendra Rinore është mundësuar nga Komuna e Kamenicës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondacioni Jahjaga dhe Hugary Helps.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat