Ferronikeli reagon pas protestës së banorëve: Po punojmë me përgjegjësi e kujdes të lartë

Kosova

Ferronikeli reagon pas protestës së banorëve: Po punojmë me përgjegjësi e kujdes të lartë

Më: 24 maj 2021 Në ora: 16:45
Ferronikeli

Para objektit të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë protestuar banorët e Drenasit për të shprehur pakënaqësitë për gjendjen mjedisore në këtë komunë dhe fshatrave përreth fabrikës së “Feronikelit”.

Pas kësaj proteste, ka ardhur reagimi zyrtar nga Ferronikeli.

Në reagim thuhet se Newco Ferronikeli aktivitetin e saj e zhvillon me përgjegjësi dhe kujdes të lartë për ruajtjen e ajrit, tokës dhe ujit, duke i bërë të gjitha investimet e nevojshme në teknologjitë më të reja që i shërbejnë këtij qëllimi.

“Ndërmarrja metalurgjike “Newco Ferronikeli” mbështetë të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mendimet e tyre, prandaj ndërrmarrja ka ndërtuar raport të afërt me komunitetin në Drenas dhe ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë qytetarët. Megjithatë, në protestën e sotme përpara objektit të Ministrisë së Mjedisit, u ngritën disa pretendime të pasakta lidhur me Ferronikelin. Përmes këtij reagimi, synohet sqarimi dhe sigurimi i qytetarëve që aktiviteti i ndërmarjes është i sigurt dhe do të vazhdojë të jetë i tillë.

Ferronikeli aktivitetin industrial e zhvillon me përgjegjësi dhe kujdes të lartë për ruajtjen e ajrit, tokës dhe ujit, duke i bërë të gjitha investimet e nevojshme në teknologjitë më të reja që i shërbejnë këtij qëllimi. Për të siguruar mosndotjen e ambientit, vetë ndërmarrja dhe laboratoret e institutet me përvojë dhe me kredenciale të bollshme profesionale, monitorojnë dhe paraqesin raporte periodike për ndotjen e shkaktuar, për ta mbajtur brenda parametrave të paraparë mjedisor.

Deponia e skorjes në Çikatovë të Vjetër, menaxhohet me kujdes të veçantë, duke përfillur të gjitha kushtet sipas lejes së aprovuar nga Ministria e Mjedisit. Te lokacioni ku deponohet skorja nuk ka ujë burimor, por ekziston një pellg, i krijuar nga ujëra sipërfaqësore si pasojë e të reshurave atmosferike. Për t’u siguruar se nuk tejkalohen nivelet e ndotjes së paraparë, Ferronikeli bën matje vetanake në baza mujore, dhe matje në bashkëpunim me Institutin INKOS në baza tremujore. Të gjitha rezultatet e analizave fiziko-kimike dhe bakteorologjike, janë brenda parametrave dhe konstatojnë se nuk ka ndonjë ndotje që paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve përreth.

Monitorime e analiza bëhen jo vetëm për deponinë e skorjes. Monitorimi bëhet bazuar në lejet mjedisore që kompania i ka për fabrikën, deponinë e skorjes si dhe për minierën e Gllavicës. Nga raporti i vitit 2020, nga matjet e laboratorit “Tehnolab”, bazuar në monitorimin e aerosedimentit (pluhurit total) dhe metaleve të rënda, që bëhet në baza mujore, rezulton se nuk ka pasur asnjë tejkalim të ndotjes sipas standardit të OBSH-së, që është 300mg për m2 në ditë.

Menaxhmenti i Ferronikelit i trajton me seriozitet shqetësimet e banorëve të Drenasit e rrethinës dhe të gjithë Kosovës, duke qenë se në etikën e saj të punës tanimë mbrojtja mjedisore është parim thelbësor që kultivohet brenda kolektivit të gjerë të punonjësve dhe drejtuesve të saj. Megjithatë, për të konstatuar ndotje të ambientit, duhet bërë monitorimi dhe matje e vazhdueshme.

Ferronikeli siguron të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që protestuan sot, se nga aktiviteti industrial i ndërmarrjes nuk shkaktohet ndotje që paraqet rrezikshmëri për shëndetin e banorëve dhe ambientin në përgjithësi. Ky është konstatim shkencor, që vjen duke marrë parasysh matjet e vazhdueshme që bëhen brenda kompleksit dhe jashtë tij.

Për më tepër, Ferronikeli bënë investime milioneshë në vazhdimësi në sistemin e parandalimit të ndotjes dhe monitorimit të saj. Në kuadër të këtyre investimeve, së fundmi është vendosur teknologjia më e re për reciklimin e gazrave, e njohur si “Off-Gas technology”, që redukton ndotjen në nivelet më minimale të mundshme.

Përveç tjerash, investimet vazhdojnë edhe në sektorin e punësimit. Përkundër vështirësive të paraqitura nga situata e pandemisë dhe përkrahja e zbehtë institucionale, Ferronikeli ka rritur për 150 numrin e punëtorëve, duke i kontribuar ekonomisë lokale dhe asaj kombëtare” thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat