Xhavit ​Haliti: Jashar Salihu ishte shembull i qëndresës gjatë arrestimeve politike gjatë vitit 1981

Kosova

Xhavit ​Haliti: Jashar Salihu ishte shembull i qëndresës gjatë arrestimeve politike gjatë vitit 1981

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 10:35
Jashar Salihu

Janë bërë 20 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, përfaqësuesit të parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër, dhe njëherit edhe ish-kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit "Vendlindja thërret".

Në përvjetorin e 20-të ka shkruar Xhavit Haliti nga PDK.

Ai thotë se Jashari ishte shembull i qëndresës gjatë arrestimeve politike të pas demonstratave studentore tw vitit 1981.

Postimi i plotë i Halitit:

Sot ka përvjetorin e 20-të të ndarjes fizike nga ne veprimtari i përkushtuar i lirisë së Kosovë, Jashar Salihu.

Jashari ishte shembull i qëndresës gjatë arrestimeve politike të pas demonstratave studentore të vitit 1981. Në kazamatet e ish-Jugosllavisë, në Zenicë dhe Foçë, ku qendroi si i burgosur, kishte bërë shumë miq, jo vetëm të burgosur politikë shqiptarë, por edhe të tjerë, si Alia Izetbegoviq etj. Qëndrimi stoik i tij në hetuesi dhe gjatë mbajtjes së burgut, ndikoj që edhe pas kryerjes së dënimit, organet e pushtetit, pëfshirë edhe shërbimin sekret jugosllav, ta ndiqnin dhe provokonin në mënyra të ndryshme. Si profesor i Gjuhës Angleze që ishte, atij nuk iu dha më mundësia që të punonte në arsim si më parë, që të kishte një punë për ta mbajtur familjen. Këtë pushteti e bënte me qëllim që ta thente. Por, nuk ia doli dot.

Në vitin 1991, Jashari kaloi kufirin Kosovë- Shqipëri me ndihmën e organizatës sonë, në shoqërimin e gruas së bashkëveprimtarit dhe mikut të tij të ngushtë, Xhavit Hoxha, dhe u vendos në Zvicër. Atje pa hezitim iu bashkua radhëve të LPK-së dhe veprimtarisë së saj, në funksion të luftës çlirimtare dhe lirisë së Kosovës.

Së bashku me Jashar Salihun iu nënshtruam një kursi special, intensiv, për të përgatitur dhe ndërtuar guerilën në Kosovë. Ai kishte një paraqitje burrërore të një malësori, ishte tepër i mprehtë, shumë i ashpër me kundërshtarin dhe tepër i afërt me shokët, me të cilët vepronte dhe punonte, e pranonte kritikën, duke mos i mbetur aspak hatri.

Të gjithë ne që vepronim na merrte malli që të kalonim kohë me Jasharin. Ai dhe Xhavit Hoxha ishin dy nga ata që mbanin raporte të rregullta me bashkatdhetarët. Që të dytë shtëpitë e tyre i kishin shndërruar në baza të organizatës sonë. Në vitin 1997 Jashari emrohet drejtues i Fondit “Vendlindja Thërret”, detyrë të cilën e kreu deri në fund të luftës.

Gradimi i tij gjeneral është bërë në përputhje të saktë me meritat dhe angazhimin e tij. Gjatë qëndrimit në Tropojë dhe në bazën tepër sekrete në Syl Bicë, Jashari komunikoi dhe krijoi raporte të mira me të gjithë djemtë dhe vashat që vinin nga Kosova për t’u armatosur dhe kthyer në radhët e UÇK-së, gjithandej në frontet e luftës çlirimtare.

Edhe unë, ashtu si shumë shokë të tjerë, mendoj se jam me fat që punova dhe bashkëveprova me Jashar Salihun. XHH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat