Gërvalla: PDK-ja parti e farefisit dhe tezakëve

Bota e Yjeve

Gërvalla: PDK-ja parti e farefisit dhe tezakëve

Më: 1 prill 2016 Në ora: 23:50

z. Gërvalla këto ditë nëpër media të shkruara dhe ato elektronike u dha si lajmë i veçantë largimi i juaj nga PDK-ja dhe anëtarësimi në NISMË, pse e bëtë këtë?

Gërvalla: Për të thënë të drejtën jam një figurë që s’kam reshur së vepruari, si në jetën politike po ashtu edhe në atë publicistike e krijuese, qoftë në Kosovë apo në mërgatë. Aktiviteti im s’është ndalur për asnjë moment si para luftës, gjatë saj dhe pas saj, si anëtar i PDK-së, ku deri vonë kur dhe filluan drejtuesit e saj t’i injorojnë veprimtarët e devotshëm. Gjatë kësaj kohe të dilemës, sa isha në PDK, shpesh herë i kam kritikuar drejtuesit dhe politikën e tyre (të PDK-së) se po shkelin mbi parimet e një partie të vlerave, që përkundër kësaj u bë një parti e farefisit, tezakëve etj. Duke par këtë situatë jo të sinqertë ndërrova mendjen dhe u inkuadrova në NISMË me qëllim që të bëja diçka më shumë se sa kjo që po bëja deri më tani.

z. Gërvalla pse e vlerësoni PDK-në si parti të farefisit e tezakëve...?

Për fat të keq kjo dukuri nuk është e pranishme vetëm në PDK po thua në të gjitha partitë tjera, në PDK është më e theksuar nga fakti që është në pushtet dhe të gjitha vendet, qoftë në ministri, drejtori, apo në Ambasada e Konsullata janë të lidhur familjarisht, ju si një gazetar hulumtues besoj se e dini më mirë se unë këtë gjë.

z. Gërvalla NISMA a do të jetë ajo idealja që pretendoni ju?

Gërvalla: Unë jam inkuadruar në këtë parti, pasi më ka dhënë hapësirë, dhe shpresoi se idealet e mija do t’i shprehë e do të kontribuoj që vlerat të dominojnë, kurse jo vlera, korrupsioni të mos zënë vend.

z. Gërvalla ju dhe jeni zyrtarizuar si koordinator i NISMËS për Evropë?

Gërvalla: Po, me një vendim nga NISMA për Kosovën, kah mesi i muajit Mars 2016, në Prishtinë jam zyrtarizuar si Koordinator i NISMËS, për Evropë.

z. Gërvalla Ju dhe keni qenë njeri nderë themeluesit e PDK-së për Austri, mandej anëtar i Kryesisë së PDK-së në Gjermani, po ashtu me vite ishit edhe zëdhënës i PDK-së për Gjermani. Pse u larguat nga PDK?

Gervalla: Ne, thua se të gjithë, krahu i luftës iu bashkuam PDK-ës, më qëllim që t’i qojmë tutje vlerat e luftës. Andaj sikur vitet iknin dhe merrnin mësysh, filloi një lloj mos respektimi, të injorohen veprimtarët të cilët kishim themeluar fuqizuar dhe dhanë shumë për këtë subjekt politik. Duke parë këtë situatë të palakmueshme filluam t’ua tërheqim vëmendje strukturat udhëheqëse, nga që kjo rrugë që e ndiqnin strukturat e ngushta të udhëheqësisë së saj nuk ishte vizion i yni, i PDK-ës. Madje Vërejtjet tona nuk merreshin parasysh, fjala e lirë nuk respektohej, favorizoheshin njerëzit pa merita, thjesht na u ngushtua hapësira për të vepruar. Me një fjalë më nuk është ajo PDK e vizioneve tona dhe i vet PDK-së që ishte më parë.

z. Gërvalla Pse një vendim i tillë, kur strukturat e partisë së NISM-ës ka qenë pjesë e PDK-së, madje edhe në strukturat e larta të saj?

Gërvalla: Keni të drejtë në pyetjen tuaj, por më parë u thash se në momentin kur filloi të injorohen anëtarët e devotshëm të saj për qëllime të ngritjes së rrethit familjar dhe në anën tjetër të afrohen njerëz mbase edhe të dyshuar, kjo më ka shty që të marr një hap të tillë dhe të mendoj se ku mundëm ta ushtroi aktivitetin politik dhe kjo më ka rezultuar se NISM-a është ajo parti që më ofron hapësirë veprimi.

z. Gërvalla Si mendoni ta fuqizoni Nismën tek mërgimtarët në Evropë?

Gërvalla: Funksionimi demokratik i vet partive politike del si një kusht në realizimin e një qëllimi. Duke u bazuar në deklaratën programore, Nisma për Kosovë angazhohet për qytetarët e vendit, për një mirëqenie sa më të mirë pse jo edhe për të udhëhequr proceset e vendit. Madje angazhohet për të favorizuar projektet që krijojnë kushte për të sjellë interesin, punën, dijen e mërgatës në Kosovë, e në veçanti do t´i mbështesim projektet e tyre që janë në interes të shtetit. Nga që në përvojën time, në politikë, shpesh herë kam vërejtur se Partitë politike ua kanë mbyllë dyert mërgimtarëve dhe kjo dukuri mendoj se nuk duhet të jetë më në trend.
Pra, mërgimtarët, me të drejtë janë te zhgënjyer me politiken në vend dhe me injorimin që gjithmonë ju është bërë nga institucionet tona. Ne kemi një Ministri të Diasporës pa asnjë mërgimtar në strukturat udhëheqëse të saj, e për mendimin tim kjo është më tepër se një injorim. Unë pranë subjektit që jam anëtarësuar do të kërkoj qe Ministrin e Diasporës ta ketë sa më shumë njerëz brenda sajë nga mërgata, sepse askush ma mirë se mërgimtaret nuk i din problemet dhe kërkesat e tyre.
Ne si Nisma do të kërkojmë qe se paku zv. Ministri në Ministrinë e Diasporës të jetë gjithmonë një mërgimtar, kuptohet intelektual dhe me autoritet. Ne do t’i koordinojmë kërkesat tona me strukturat tona te NISM-ës në Kosovë dhe ata tutje do i propozojnë për shqyrtim deri te Kuvendi i Kosovës. Po ashtu do të kërkojmë qe edhe Kushtetuta e Kosovës të ndryshoj ligjin apo ta plotësojë me mundësin qe ne Parlamentin e Kosovës të jenë të pranishëm së paku pesë deputet nga mërgata.
Nisma do të fuqizohet së shpejti në këto vende Evropiane, pasi veç kemi filluar t’i caktojmë disa veprimtar që të themelojnë këshillat iniciues. Pra, kur them se shpejti, ju garantoj se brenda një muaji, NISMA për Kosovën do të themelohet në, Gjermani, Zvicër, Belgjik, Itali Austri dhe Suedi, ndërsa më vonë edhe në vende tjera evropiane.

z. Gërvalla A do të jetë edhe në mërgatë një Opozitë e Bashkuar siç është në Kosovë?

Gërvalla: Ne në diasporë duhet të merremi me vetveten, pse dhe jo t’ju ndihmojmë në Kosovë në zgjidhjen e problemeve politike. Në Kosovë për fat te keq nuk ka një elitë politike që i zgjidhë krizat politike, ekonomike, ushtarake etj. Mungojnë ekspertet me përvoja te të gjitha fushave. Për këtë besoj se nga mërgata do gjemë njerëz që janë shkolluar ne Evropë dha kanë marr përvoja në ketë drejtim. Për këtë nismë për t’ju afruar elitës politike kapacitete njerëzore dhe të specializuar në të gjitha fushat e duhura nuk ka munguar, por ajo që ka munguar ka qenë injorimi i institucioneve dhe i vet partive të cilat thua se kanë pasur frikë nga kjo shtresë e intelektualëve të mërgatës.
Sa i përket pyetjes tuaj, se a ekziston opozitë e bashkuar ne mërgatë...? do të ju përgjigjem pozitivisht se po. Në Gjermani para dy muajsh, në qytetin Augsburg të Baden Wurttemberg, Opozita e bashkuar ka mbajtur një tubim me mërgimtaret. Ndërsa unë në emër të NISMEN do te jem gjithmonë aty ku bisedohet për të mirën e Kosovës, ku dhe do mundohemi t’i shërbejë ç´do iniciative, dialogu që zgjidhë kriza dhe probleme politike, ekonomike e diplomatike.

z. Gërvalla A do të bashkëpunoni edhe me PDK-në, në Gjermani?

Gërvalla: Patjetër, me secilin subjekt politik, ne si Nisma do të bashkëpunojmë aty ku do të këtë organizim në interes të mërgimtarëve dhe për Kosovën do jemi prezent. Besoj se edhe me PDK-në në Gjermani si me ç´do subjekt tjetër që kanë edhe pika të përbashkëta programore do të bashkëpunojmë.

z. Gërvalla Sa ka qenë kontributi i dhënë nga mërgata gjatë luftës në Kosovë?

Gërvalla: Kontributi ka qenë jashtëzakonisht i madh. Lufta u zhvillua dhe përfundoi me fitoren e UÇK-së, nga që kjo fitore, liri e Kosovës ishte meritë e mërgimtarëve. Këtë kontribut të tyre nuk mund ta mohoj askush. Diaspora gjatë luftës ka pasur rolin pothuajse kryesor, si në luftë ashtu dhe diplomaci, kur ka qenë nevoja për ta bërë sensibilizimin e gjendjes në Kosovë e deri te mundësitë për përkrahjen e luftës nga vendet dhe faktorët kyçë. Për pos shumë kontributeve që kanë dhanë mërgimtaret për Kosovën, mendoj se kontributi më i rëndësishëm ka qenë mobilizimi i vullnetarëve të UÇK-së.

z. Gërvalla Pse OPOZITA E BASHKUAR po kërkon dorëheqjen e Qeverisë?

Gërvalla: Mbështes fuqimisht, se është njëra ndër kërkesat më të qëlluarat, andaj e them me përgjegjësi se fillimisht opozita e bashkuar ka kërkuar nga Qeveria që vetëm të tërhiqen nga këto dy marrëveshje të dëmshme, marrëveshje qe shkelin interesat e vendit. Po, qeveria sikur i ka injoruar kërkesat e opozitës duke u mbështetur në numra.
Kërkesat e opozitës bëhen edhe më të fuqishme kundër këtyre dy marrëveshjeve të dëmshme atëherë kur drejtësia e kushtetutës konstaton se me këto dy marrëveshje janë shkelur 21 nene të kushtetutës. Andaj pa kurrfarë dyshimi mendoj se kjo Qeveri i ka plotësuar të gjitha kushtet për të dhanë dorëheqje, me lëshuar rrugë që vendi të shkoj në zgjedhje të reja.

z. Gërvalla Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja,a do të jetë Opozita e Bashkuar në një listë të përbashkët?

Gërvalla: Nuk më takon mua të flasë për këtë, janë organet drejtuese të secilit subjekt politik se si do të garojnë. Në polikë ka marrëveshje parazgjedhore, marrëveshje pas zgjedhore e lista të përbashkëta etj. për këtë nuk jam kompetent të jap mendimin e të tjerëve, janë organet drejtuese te partive politike, si Këshilli drejtues,Kryesisë se si do të veproj Opozita e Bashkuar..

z. Gërvalla A është edhe një gafë politike, dhe sa është e udhës që të politizohet mërgata në krijimin e degëve jashtë vendit?

Gërvalla: Besoj se Nisma e ka seriozisht, ndërsa edhe ne mërgimtarët jemi pjesë e atdheut, kemi të drejtë të jemi pjesë e politikës, ashtu siç kemi pasur të drejtë të jemi pjesë e të gjitha situatave më të vështira të çlirimit të Kosovës, kjo dhe na ndihmon që të mos jemi të injoruar siç jemi injoruar deri më tani.

z. Gërvalla Për fund çfarë ju thoni mërgimtarëve në emër të NISMËS?

Gërvalla: Mërgimtarëve kudo që janë ju uroj suksese në punë në jetë aty ku janë dhe çfarë bëjnë. Ju them se Nisma për Kosovën po vjen në mesit tuaj, të gjithë ata qe janë për ndryshime të na bashkohen në rrugëtimin tonë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat