​Universiteti “Haxhi Zeka” me drejtime specifike

Bota e Yjeve

​Universiteti “Haxhi Zeka” me drejtime specifike

Më: 28 mars 2016 Në ora: 17:32

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ende e ka statusin e universitetit në themelim, por deri më tani ka arritur t’i hapë dhjetëra drejtime studimore, madje disa prej tyre specifike për rajonin por edhe për gjithë Kosovën.

Universiteti “Haxhi Zeka” i cili është themeluar para pesë vjetëve, tashmë posedon pesë fakultete me 12 programe të studimit ndër të cilat Fakultetin për Menaxhim,Turizëm dhe Hoteleri, që është specifik për rajonin ku ndodhet universiteti.

Në një intervistë për Kp-in, rektori i këtij Universiteti, Fadil Millaku, ka thënë se deri më tani Universiteti “Haxhi Zeka” i ka regjistruar rreth 10 mijë studentë.

Millaku: Synimi jonë është të ngritët cilësia

“Për momentin Universiteti ‘Haxhi Zeka’ në Pejë i ka pesë fakultete: fakulteti më i madh është Fakulteti i Biznesit, mandej është Fakulteti Juridik, Fakulteti për Menaxhim, Turizëm dhe Hoteleri, Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti i Agrobiznesit. Domethënë janë 12 programe në përgjithësi në universitetin ‘Haxhi Zeka’ me studimet bachelor dhe i kemi shtatë programe në nivelin master. Sa i përket numrit të studentëve, për momentin janë rreth 10 mijë studentë kurse sa i përket stafit, kemi staf të rregullt, por ky staf i rregullt nuk i plotëson nevojat e universitetit me kuadro. Jemi në pritje të shpalljes së konkursit për të gjitha vendet e lira, edhe për profesorë edhe për asistentë, besoj që do të plotësohet jo i gjithë kuadri por do të plotësohet një numër i caktuar i profesorëve që do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në universitetin ‘Haxhi Zeka’ për arsye se edhe qëllimi i universitetit dhe menaxhmentit është që në këtë universitet të ngritët cilësia dhe studentët tanë të jenë konkurrent në tregun edhe kosovar edhe në tregun e jashtëm”, ka thënë Millaku.

Megjithatë, Millaku e ka pranuar se universiteti që ai e drejton ende ballafaqohet edhe me sfida dhe probleme të ndryshme.

Sipas tij, ky institucion i arsimit të lartë ende ka mungesë të hapësirave të ndryshme objektive, projekte për kampusin të papërfunduara etj.

Millaku: Universiteti “Haxhi Zeka” ballafaqohet edhe me sfida

“Universiteti ‘Haxhi Zeka’ ka mjaft sfida, në rend të parë ne kemi përgatitë një projekt ideor për kampusin e universitetit dhe në bazë të këtij projekti universiteti do t’i plotësohen nevojat e studentëve që dëshirojnë të studiojnë në universitetin ‘Haxhi Zeka’. Është një kampus mjaft modern mirëpo jemi në pritje të themelimit, të bërjes s projekteve për zbatim, projekteve detale dhe projekte të tilla e ka marrë përgjegjësinë Komuna në mënyrë që ajo ka infrastrukturë, të na ofroj ndihmë dhe ne të fillojmë së pari me ndërtimin e Fakultetit të Arteve për arsye se Fakulteti i Arteve tek ne i ka ato specifikat e veta. Mandej do të fillojmë me ndërtimin e Fakultetit tà « Biznesit si fakulteti më i madh edhe në qoftë se natyrisht gjejmë mjete, donatorë, atëherë do të vazhdojmë edhe me fakultete tjera. Sa i përket kuadrit e thash edhe pare kemi problem për arsye se nuk po gjejmë staf të mjaftueshëm të kualifikuar për lëndët adekuate të cilat po shpallet konkurs kurse sa i përket stafit në kategorinë e asistentëve me konkursin që tash do ta shpallim besoj se do të plotësohen vendet vakante”, tha rektori Millaku.

Mirëpo, sipas Millakut, ky universitet e posedon edhe një trupë këshillëdhënës i cili përbëhet prej biznesmenëve dhe njerëzve që udhëheqin me kompani të ndryshme i cili e këshillon menaxhmentin e universitetit për drejtime të caktuara në të cilat studentët pas përfundimit të studimeve mund të gjejnë punë më lehtë.

Rektori Millaku ka thënë se universiteti ka salla të mjaftueshme për mbajtjen e mësimit duke e përfshirë edhe një laborator.

Millaku: Kemi salla mësimore të mjaftueshme

“Sa i përket logjistikës ne kemi salla të mjaftueshme për mbarëvajtjen e mësimit, kemi edhe laboratorë në veçanti është me interes që të theksoj s sivjet në Fakultetin e Agrobiznesit që i ka tri drejtime, e ka drejtimin agro ekologji, e ka drejtimin teknologji ushqimore edhe teknologji e prodhimit bimor, kemi ble aparaturë me mjete tona 100 mijë euro dhe ato për momentin janë laboratorët shumë mirë të pajisura me aparaturë nga të cilat studentët natyrisht me ndihmën e profesorëve dhe asistentëve marrin njohuritë që do t’u duhen nesër nëse punësohen në ndonjë kompani”, ka deklaruar ai.

Por, universiteti “Haxi Zeka” nuk ka konvikte e as mensë për studentë.

Sipas Millakut, këto parashihen në një projekt që të ndërtohen nëse jep ndihmë Qeveria.

Millaku: Universiteti e ka projektin edhe për mensë e konvikte

“Ne kemi biseduar edhe me kryetarin Komunës edhe ata janë të interesuar për të na ndihmuar neve që të ngrisim edhe Fakultetin e Kulturës Fizike për arsye se kemi hapësirë për një fakultet të tillë ku do të ndërtohet infrastruktura përcjellëse për këtë fakultet”, tha Millaku.

Universiteti “Haxhi Zeka” këto projekte do t’i fillojë me një buxhet prej 500 mijë euro derisa tjerat i pret nga Ministria e Arsimit, apo institucione tjera që dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e këtij institucioni.

Universiteti “Haxhi Zeka” ka 83 profesorë të rregullt dhe mbi 100 të angazhuar.

Në këtë universitet, sipas rektorit Fadil Millaku ka interesim mjaft të madh për të studiuar sidomos pasi Universiteti ofron studime edhe në gjuhën boshnjake.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat