Mimoza Hajdarmataj: Kusarët dhe kriminelët në Parlament, Shqipëria në krizë dhe varfëri

Bota e Yjeve

Mimoza Hajdarmataj: Kusarët dhe kriminelët në Parlament, Shqipëria në krizë dhe varfëri

Nga: Intervistoi : Mina HYSA Më: 16 mars 2016 Në ora: 12:28

Flet deputetja e PD-së e qarkut Kukës: Banorët braktisin shtëpitë pasi u përballën me mjerimin e Rilindjes. Opozita po luan një rol qenësor dhe historik për procesin e dekriminalizimit. Shteti është i mbajtur peng, nga klanet dhe krimi i organizuar dhe ekonomik, gjeneron kriza të shumanshme dhe dëshpërimi mbarë kombëtar nga Jugu në Veri, Lindje e Perëndim që ka mbërthyer të madh e të vogël.

Po mbush 1 vit si deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka qenë mjaft aktive dhe mbrojtëse e kauzës opozitare e veçanërisht të interesave të zgjedhësve të saj. Ajo quhet Mimoza Hajdarmataj e cila mori mandatin e ligjvënëses pas dorëzimit të mandatit nga Besnik Dushaj, sot kryebashkiak i Tropojës. E diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti Inxhinierisë Elektrike, Dega Elektronikë në vitin 1992, zonja Hajdarmataj do të pasonte një karrierë të pasur dhe të suksesshme pas këtij viti në Albtelekom nga viti 1992 deri në vitin 2009 dhe më pas në funksione të tjera si; Drejtore e Drejtorisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKSHI/MITIK, Inspektore e Përgjithshme e Inspektoriatit Qendror, Drejtore e Eurosig Sh.a, Dega Tiranë si dhe ka mjaft të tjera eksperienca të tjera profesionale. Ka qenë Pjesëmarrëse në Lëvizjen Studentore dhe anëtare e Grupimit “Dhjetor 90-të”, dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen “Pishtari i Demokracisë”, në vitin 2007, “Për ndihmesën e çmuar në ndërtimin, konsolidimin dhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë në Shqipëri”. Prej vitit 2015 është deputete e Kuvendit të Shqipërisë Zgjedhur në: Legjislatura: VIII Qarku: Kukës pjesë e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Në një intervistë për gazetën “55” zonja Hajdarmataj flet për incidentin në Kuvend me Ramën dhe penalizmin e dy kolegeve të saja, protestën e LGD-së, procesin e dekreminalizimit, përballen e saj si anëtare në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Në mbyllje të intervistës znj.Hajdarmataj bën një skaner të qeverisjes së Ramës si dhe flet për problemet me të cilat përballen banorët e qarkut Kukës ku e kemi parë shpesh të jetë pranë tyre. Ja si shprehet më tej ajo.

Zonja Hajdarmataj, e nisim intervistën me një ngjarje të shëmtuar në Kuvendin e Shqipërisë, pas fyerjes nga Rama dhe Braçe të disa kolegeve tuaja për çudi Byroja Parlamentare ka pezulluar në këtë rast deputetet Deda dhe Halimi. Cili është komenti juaj në këtë rast?

Vendimi për pezullim ndaj dy kolegeve deputete ishte i padrejtë për arsye se standardi që u përdor ishte pabarazia. U sanksionuan deputetët e opozitës dhe nuk u cënuan deputetët e mazhorancës, përfshirë dhe kryeministrin të cilët provokuan dhe shkelën etikën parlamentare. Kur në Kuvend kemi njerëz të lidhur direkt me krimin dhe pa asnjë dënim apo përjashtim, kjo masë ndaj opozitës merr një peshë edhe më të rëndë ndaj mazhorancës. Ky është rast tipik si shfrytëzohet Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, sipas interesave të tyre politike.

Përse situata erdhi deri në këtë pikë?

Parë me ftohtësi, tani e them me bindje se reagimi i opozitës ishte një veprim i logjikshëm, i ardhur si reagim i gjallë, pas indiferencës me arrogancë dhe shpërfillje të mazhorancës për çështjen madhore kombëtare siç është dekriminalizimi i Parlamentit, qeverisë dhe të gjithë institucioneve dhe administratës. Nuk mund të ketë agjendë tjetër më prioritare dhe më publike se pastrimi i hierarkive të shtetit dhe pushtetit. Sepse nga shteti i mbajtur peng, nga klanet dhe krimi i organizuar dhe ekonomik, gjeneron kriza të shumanshme dhe dëshpërimi mbarë kombëtar nga Jugu në Veri, Lindje e Perëndim që ka mbërthyer të madh e të vogël.

Është mbajtur protesta e LDG kundër dhunës ndaj grave dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre. Përse një protestë e tillë?

Protesta është instrumenti më i duhur në një shoqëri demokratike jo vetëm për politike por për të ngritur dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj fenomeneve dhe problematikave. Dihet që gratë dhe vajzat janë në një përpjekje të jashtëzakonshme për mbijetesë pasi nuk ka punësim dhe mundësi reale për normalitet. Është rritur dhuna në familje ku viktimat janë nënat dhe vajzat pikërisht dhe për shkak të thellimit të krizës dhe mungesës së shpresës. Kjo ishte kauza e protestës së thirrur nga LDGSH. Nga ana tjetër, një çështje që ka nevojë për të rritur reagimin publik është dhuna verbale e politikës, që dirigjohet nga mazhoranca dhe qeveria në kuvend ndaj grave të opozitës dhe kjo nuk është çështje e deputeteve demokrate me Ramën apo me mazhorancën, kjo është mendësi qeverisëse, politike që duhet t’i jepet fund një orë e më parë. Parlamenti nuk mund të dirigjohet nga filozofia e dhunës, pasi shqiptarët kanë votuar pozitën dhe opozitën për të zgjidhur hallet dhe interesat e shqiptarëve dhe për zhvilluar ekonominë e vendit.

Si do ta vlerësonit këtë Parlament kur vet deputetet kanë votuar për dekriminalizimin e vetes? Kush po pengon procesin e dekriminalizimit dhe pse?

Me thënë të drejtën për mua personalisht përballja me parlamentin brenda si anëtare e tij, ishte një zhgënjim intelektual, por dhe politik. Si studente e Dhjetorit dhe me përvojë të gjatë në jetën politike të PD, dhe në administratë, për mua Parlamenti është konsideruar gjithmonë si institucion elitë dhe hyrja në të, kërkon dinjitet politik dhe qytetar, por ky mandat ka ngritur Parlamentin më përfaqësues të shqiptarëve në historinë e pluralizimit politik dhe demokracisë. Në këtë pikë them se të qënurit deputete e opozitës, prej afro një viti, është një përballje e fortë durimi, vullneti me cilësi aspak pozitive, jo të nevojshme dhe energji negative që prodhojnë situatat dhe debatet me qeverinë dhe kolegët e mazhorancës. Sigurisht që kjo klimë e tendosur politike që ka derivuar krizë të gjithanshme, vjen pikësëpari se mazhoranca nuk përfaqëson vullnetin e vërtetë të shqiptarëve, për shkak të nivelit të ulët intelektual dhe problemeve që deputetë e së majtës kanë me identitetin e vlerave dhe raportit me vetë ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Opozita dhe Lulzim Basha shquhet për fitimin e një kauze siç është dekriminalizimi, jo vetëm i Parlamentit, por edhe administratës, por që ende po has në rezistencën e mazhorancës për mosmiratimin e akteve nënligjore. Përse po ndodh kjo rezistencë? Si ju duket qëndrimi i opozitës edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe reformën në drejtësi?

Mendoj se opozita po luan një rol qenësor dhe historik për procesin e dekriminalizimit. Këmbëngulja prej mesë një viti besimi tek domosdoshmëria e kësaj reforme jo vetëm për politikën, por për gjithë shqiptarët dhe mbështetja e ndërkombëtarëve sollën betejën e parë të fituar sot pikërisht në Parlamentin që ndodhet në akuzë publike. Po çfarë ndodh? Rezistenca e të keqes e krimit ekonomik e koncesioneve e zhvatjes së taksave të shqiptarëve, e mbrojtur me imunitetin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, është e jashtëzakonshme. Aktet nënligjore të ligjit që sigurojnë zbatim të përpiktë dhe të plotë të tij, mbahen pezull nga arroganca e mazhorancës përsa kohë që nuk vihen në zbatim kushti kyç i marrëveshjes së 24 dhjetorit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese që u injorua. Precedenti i rastit Kokëdhima qëndroi si shpata e Demokleut për pavarësinë dhe funksionalitetin normal të parlamentit. Kushti tjetër i pazbatuar marrëveshjes së 24 dhjetorit është bllokimi i Komisioneve Hetimore Parlamentare të cilët në një demokraci funksionale janë instrument kyç i shtetit ligjor.
Pra ky parlament është kthyer nga tempulli i demokracisë në tempullin e sakrifikimit të drejtësisë, e thyerjes së ligjit dhe mohimit të shqiptarëve. Në këto kushte beteja për t’i shkuar deri në fund nismës së dekriminalizimit të hierarkisë shtetërore dhe politike do të jetë axhendë e përhershme e PD-së. Përsa i përket Byrosë së Hetimit është një përpjekje për të ngritur një strukturë te centralizuar pushteti të Ramës mbi drejtësinë e pavarur. Sigurisht që qeveria dhe kryeministri që mbështetet nga klanet ekonomike dhe trafiqeve që e sollën atë në pushtet nuk mund të ketë zotësinë të ngrejë byro të besueshme hetimi.

Si do ta përkufizonit qeverisjen e Ramës? Sa ajo i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, bazuar në megalopremtimet e dhëna në qershor të vitit 2013?

Pas dy vite e gjysëm me këtë qeveri, mazhorancë dhe kryeministër Shqipëria ka bërë shumë hapa prapa. Kriza është e thellë dhe ka depërtuar edhe në mentalitetin e njerëzve, ka humbur shpresa dhe mundësitë për të përballuar jetën janë rrudhur e po shtrëngojnë si lak shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve. Qeveria e koncesioneve, e tenderëve, e trafiqeve dhe krimit, e grabitjes së fondeve publike e taksave rrënuese të dhjetëfishuara, e propagandës që nuk ka realizuar asnjë premtim për rilindje apo shërbime publike falas në 2013, por vetëm terrorizon shqiptarët në emër “të të bërit shtet” gjë të cilën as e kanë bërë dhe as do arrijnë të bëjnë.
Shtet bëri PD në qeverisjen tetëvjeçare ku Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, ishte kontribuuese historike në pavarësinë e Kosovës, u liberalizuan vizat Shengen, investimet e huaja arritën pikun, papunësia u ul, Shqipëria u lidh me rrugë e korridore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mbi 150 mijë emigrantë shqiptarë u kthyen dhe hapën biznese në atdhe. Me këtë qeveri, papunësia është rritur rrezikshëm në nivel kombëtar mbi 30 %, taksat dhjetëfishuar, çmimet dhe tarifat e pagesave të shërbimeve janë të papërballueshme, shëndetësia dhe arsimi publik janë kthyer në standarde luksi!.

Pra ku u tret dhe u zhduk mentaliteti, qasja e të majtës sociale me qeverinë e mazhorancës Rama- Meta?

Si deputete e qarku Kukës, ju kemi parë pranë familjeve në nevojë por a mund të na thoni cilat janë problemet konkrete me të cilat përballen sot qytetarët e Tropojës, Kukësi dhe Hasit?
Problemet janë si të gjithë shqiptarëve por në këto zona veriore më të largëta ato janë dhe ndihen edhe më shumë. Kukësi e Hasi janë klasifikuar si kryefjala e eksodit kombëtar, i cili kulmoi gjatë 2015-s, dhe shkak është dëshpërimi i thellë, kriza e gjithanshme që ka sjellë çdo fikje shprese. Sipas të dhënave që disponoj, Kukësi dhe Hasi janë bashkitë me nivelin më të lartë të varfërisë për frymë. Vitin e kaluar, rreth 70% e popullsisë figuron me të ardhura nën nivelin mesatar. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vetëm 11% e popullsisë rezulton në punë. Nga 85 mijë banorë, 9700 janë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore. Pavarësisht se vijon të ketë nivel më të lartë lindshmërie krahasuar me rajonet e tjera, mosha mesatare e kësaj bashkie, dikur më e reja në rang republike, sot po shkon drejt plakjes së thellë. Në këto dy vite ka 23% më pak lindje në qytet dhe 34% më pak në zonat rurale. Shkaku kryesor është emigracioni dhe largimi i çifteve të reja, për të kërkuar azil në Gjermani.
Panorama në këto tre bashki mund të përmblidhet vetëm me një fjalë, Mjerim. Papunësia e të rinjve që kalon mbi 40 % , e burrave e grave. Nuk ka asnjë prezencë të rëndësishme të bizneseve private të mëdha agrobiznes, fasoneri apo industri minerare. Kjo për shkak të klimës represive të qeverisë ndaj biznesit si familjar ashtu edhe atij të prodhimeve të tjera. Me dhjetëra dyqane janë mbyllur në qytetin Bajram Currit dhe Kukës për shkak të papërballimit të faturave taksave dhe mospagesave nga qytetarët që blejnë bukën dhe ushqimet e përditshme me listë. Nga ana tjetër e kam theksuar shumë herë që qeveria tregohet shpërfillëse ndaj mbështetjes sociale, nëpërmjet Shërbimit Social si dhe Emergjencave Civile ndaj qindra familjeve në nevojë, të cilët kanë dhe probleme me banesat e dëmtuara për shkak të reshjeve , zjarreve apo amortizimit të kohës. Një problem i rëndësishëm janë fondet e papërfillshme dhe arroganca ekzekutive e mazhorancës ndaj izolimit si në infrastrukturë ashtu edhe në projekte të tjera zhvillimi ndaj bashkive; Kukës Tropojë dhe Has. Veçanërisht mua më dhemb shumë, turizmi malor pasi të tre këto bashki kanë potenciale të mëdha. Këtë çështje dhe probleme të tjera infrastrukturore si ujësjellësit, rrugët dytësore janë në krye të agjendës sime në komisionin ku unë marr pjesë, atë të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Jo rastësisht Rama e ka përjashtuar Veriun nga Rilindja Urbane sepse dhe ai vetë nuk i beson broçkullave dhe iluzioneve të tilla. Sepse me këtë qeveri ka rilindur vetëm mjerimi dhe dëshpërimi i shqiptarëve.

Si deputete dhe anëtare e Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, a mund të na thoni oponencën e bërë në Komision ndaj mazhorancës dhe sa kërkesat tuaja si opozitë janë marrë parasysh, duke u pasqyruar në projektligjet e qeverisë që më pas të merrnin votën në seancë plenare?

Sikurse e theksova më sipër unë përpiqem që të gjitha problematikat kryesore të Kukësit dhe Tropojës, por dhe Veriut në tërësi t’i kem në axhendën ditore të komisionit. Për çdo pikë të rendit të mbledhjes unë kërkoj përgjigje respektive nga përfaqësuesit e ministrive. Sigurisht prej tyre ka ose të vërteta të dhimbshme, investime të papërfillshme në infrastrukturë nga qeveria Rama që rrjedhimisht nuk sjell as punësim, por këta përfaqësues në komision nuk bëjnë gjë tjetër veçse propagandë. Një nga kauzat e mia që më vjen mirë se u bë kauzë dhe e shoqërisë civile ishte përkrahja e shtresave në nevojë për pagesën e energjisë. Një problem tjetër që unë ngre vazhdimisht në komision është përkrahja e bizneseve familjare për zhvillimin e turizmit malor, ngritja e një shkolle profesionale të mesme për turizmin.

Cili është thirrja e juaj si qytetare dhe ligjvënëse, jo vetëm për një demokrat, por për çdo qytetar, që është në opozitë ndaj kësaj qeverie e cila ndërmerr nisma antiqytetare nivel qendror dhe vendor? Kemi parasysh këtu protestat ne Tiranë?

Sa i përket parkut të lodrave për fëmijë është një alibi sa fëminore aq edhe e djallëzuar e Veliaj dhe Ramës, por dhe stafit G99 dhe ish-Mjaftit për të betonizuar edhe atë mushkëri të vetme të Tiranës. Është në vijimësi të mentalitetit të terrorit si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë institucional, pasi paketa fiskale dhe vendime të tjera merren në mënyrë arbitrare pa u konsultuar me grupet e interesit apo me qytetarët e Tiranës. Tirana është metropol ku ndërthuren interesa, kultura dhe mentalitete të ndryshme dhe për një aksion të tillë, pra tek Parku, duhet patjetër referendum lokal. Betonizimi dhe projektet alla-Mjaft apo G99 nuk mund të jenë program pune dhe për bashkinë, pasi dhe të majtët e kryeqytetit që u mashtruan në shoët e rrugicave të Veliajt në zgjedhje, presin që ai të fillojë nga puna të lërë shoë e kopjimit të Obamës dhe të përveshë mëngët. Për mua si Mimozë banore e Tiranës dhe si deputete nuk besoj as edhe një moment që Veliaj e do Tiranën por vetëm e sheh si një burim të jashtëzakonshëm të pasurimit dhe grabitjes së taksave të komunitetit. Përsa i përket taksave më lejoni pikësëpari të vlerësoj maksimalisht rezistencën e paepur të biznesit të vogël dhe mbështetjen e shoqërisë civile në këtë kauzë. Mua nuk më habit dhuna fiskale e tij pasi është një nxënës i bindur i urdhrave të Ramës që ka bërë një popull të zhytet në skamje. Shpresoj dhe besoj se banorët e këtij qyteti do t’i japin së shpejti reagimin e mençur këtij diktatori të ri që e trajnon bashkinë si sulltanat të gjobvënësve dhe aspak të lidhur e përfaqësuese të interesave të banorëve të Tiranës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat