FJALA synon zhvillimin ekonomik dhe sundimin e rendit e ligjit

Bota e Yjeve

FJALA synon zhvillimin ekonomik dhe sundimin e rendit e ligjit

Më: 24 shtator 2015 Në ora: 12:56

Partia më e re në Kosovë FJALA, të cilën e udhëheq deputeti i Kuvendit të Kosovës Gëzim Kelmendi po synon të jetë një alternativë për qytetarët të cilët janë të zhgënjyer me politikën aktuale. Kryetari i sapo zgjedhur i partisë FJALA Gëzim Kelmendi, thotë se subjekti që ai drejton bazohet në dy shtylla kryesore, sundimin e rendit dhe ligjit, dhe zhvillimin ekonomik.

Në një intervistë për KosovaPress, Kelmendi flet edhe për rregullimin e çështjes së shamisë në shkolla, mësim-besimin, veprimet e opozitës dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kelmendi thotë se Partia e re FJALA është parti e qendrës së djathë konservatore e cila synim kryesor ka zhvillimin ekonomik të vendit, shtet ku sundon drejtësia, rendi dhe ligji. Sipas tij, tash e 15 vite në Kosovë shkaku i krimit dhe korrupsionit është ngulfatur jeta e qytetarëve dhe është ngulfatur edhe ardhmëria e qytetarëve në Kosovë.

Për këtë arsye, Kelmendi thekson se si parti e re ka mbledhur pas vetes kryesisht intelektualë dhe profesionistë të fushave të ndryshme të cilët janë të gatshëm të japin çdo gjë nga vetja e tyre, që të kontribuojnë shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, vetëm e vetëm që qytetarët e Kosovës t’i kthehet dinjiteti, perspektiva dhe të forcohet ekonomikisht shteti i Kosovës.

Kelmendi: Shtyllat kryesore të Partisë FJALA janë drejtësia dhe zhvillimi ekonomik

“Partia e re FJALA, shtyllën kryesore të programit të saj e ka sundimin e drejtësisë në Kosovë, rendit dhe ligjit, ndërsa si shtyllë e dytë ka zhvillimin ekonomik të vendit. Për faktin se këto dy shtylla për 15 vite pas luftës nuk janë aq të forta. Në çdo fushë mungon sundimi i drejtësisë, mungon rendi dhe ligji. Fatkeqësisht edhe në aspektin ekonomik Kosova ka mbetur mbrapa dhe më pak është zhvilluar se shumë vende të rajonit, e mos të flasim për vendet tjera më gjerë. Për atë arsye në bazë të asaj se çka i duhet me së shumti Kosovës edhe partia FJALA është fokusuar në këto dy pika kryesore, sundimi i drejtësisë në kuptim të plotë të fjalës në të gjitha fushat për çdo qytetarë të Kosovës dhe në anën tjetër zhvillimi ekonomik i vendit, këto janë shtyllat kryesore”, thotë Kelmendi.

Partia e udhëhequr nga Kelmendi, i cili ishte pjesë e Partisë së Drejtësisë, ndër shtyllat kryesore ka edhe fuqizimin e gruas kosovare. Madje, në programin e Partisë FJALA, është edhe oferta për qytetarët e vendit, që gruaja të punojë vetëm pesë orë në ditë, por të paguhet sikur të ketë punuar tetë orë.

Kelmendi: FJALA synon përmirësimin e pozitës së gruas

“Ndër shtyllat kryesore e partisë FJALA mbetet fuqizimi i gruas. Ne një pjesë të programit tek roli i gruas kemi një ofertë të re për qytetarët e Kosovës. Gruaja kosovare pavarësisht statusit e martuar apo e pamartuar të punoj jo me shumë së pesë orë, qoftë sektorin publik qoftë atë privat. Por, për ato pesë orë që punon të paguhet barabartë me meshkujt që punojnë tetë orë, ngase aktualisht me ligj të punës orari i punës paras hihet tetë orë. Për atë arsye ne mendojmë që një herë e përgjithmonë ta respektojmë gruan kosovare vërtetë qysh e meriton ajo sepse ka kontribuuar në çdo kohë që ka kaluar Kosova”, tha ai.

Këtë ofertë, kreu i FJALËS Gëzim Kelmendi thotë ta kenë për arsye që ta respektojnë gruan kosovare, meqë që prej pasluftës por edhe më herët, gruaja nuk është respektuar sa duhet dhe sa e meriton. Madje, sipas tij, gjinia femërore vazhdon të diskriminohet në fusha të ndryshme, duke filluar nga familja, diskriminimi që bëhet në trashëgimi, shkollim, punësim, e shumë fusha tjera.

Ndërsa, duke folur për çështjen e rregullimit të mbulesës dhe mësim-besimit në shkolla, Kelmendi thotë se do ta rregullojnë ashtu siç e kanë të rregulluar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Derisa ndalimin e mbulesës në shkolla e vlerëson kundërkushtetues.

Kelmendi: FJALA synon ta rregulloj çështjen e fesë sipas mode lit te vendeve të BE-së

“Çështjet që lidhen drejtpërdrejt me fenë aktualisht në Kosovë mendojmë t’i rregullojmë ashtu siç i kanë rregulluar të gjitha vendet e BE-së, dhe ne duhet t’i marrim model ato vende të cilat në emër të demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut i kanë dhënë fushëveprim dhe hapësirë veprimi çdo feje e cila jeton në vendet e Bashkimit Evropian...Ne të gjithë e dimë që ajo ndalesë, është kundër kushtetuese dhe kundër ligjore. Ne jemi për respektimin e Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe jemi që Kosova të jetë e barabartë me të gjitha vendet e BE-së dhe këtu pa dyshim jemi kundër çdo ndalese dhe kundër çdo shkelje të drejtave të njeriut”, thekson Kelmendi.

Kryetari i partisë FJALA, duke komentuar veprimet e opozitës, thotë se janë të papranueshme që me dhunë të synohet të arrihet diçka. Sipas Kelmendit, n ë demokracinë parlamentare roli i opozitës është që të kundërshtojë pozitën, por duhet ta vejnë një balancë se kush ka të drejtë, e kush jo.

Kelmendi: Me dhunë nuk realizohen qëllimet e asnjë partie politike

“Jo, unë nuk mendoj në asnjë moment që përmes protestave të dhunshme të realizohen qëllimet e opozitës apo ndonjë partie të caktuar, edhe nëse janë ato qëllime me të mira. Prapë po them duhet të vihet një balancë, kush e ka mirë. Ka shumë hapësirë për të hapur një debat, për të vërtetuar se kush e ka mirë e kush jo. Pavarësisht asaj nëse është e mirë apo jo, mendoj që jo vetëm masa e fundit, por nuk duhet të na shkoj mendja që me protesta të dhunshme të realizohen qëllimet e ndokujt tjetër, apo partie opozitare. Sepse fundi i fundit ky është shteti ynë për të cilin është derdhur gjaku, kjo është Policia jonë dhe qytetarët e Kosovës d he historia na ka dëshmuar që jo vetëm në nivel shtetëror por edhe rajonal dhe global që me metoda të dhunshme nuk vijmë tek ndryshimet pozitive. Ata që e bëjnë ndryshimin pozitiv në këtë vend është populli i Kosovës”, thotë ai.

Sipas Kelmendit, cilido kryeministër të ishte, jo vetëm Isa Mustafa, do ta nënshkruante marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ai thotë se ky Asociacion sado që nuk është i mirë, një gjë është e sigurt që nuk e cenon rendin kushtetues në vend.

Kelmendi: Cilido kryeministër do ta kishte nënshkruar marrëveshjen për asociacionin

“Lakmia për pushtet shumë herë bënë që njerëzit të mos shikojnë fortë parimet apo të ardhmen e të tjerëve, por prapë po them secili kryeministër po të ishte në vendin e Mustafës do ta nënshkruante një marrëveshje të tillë, e cila është e imponuar nga faktori ndërkombëtar. Por ajo që është kryesore që me inkurajon të vazhdoj tutje dhe të punoj është se me këtë marrëveshje që kemi parë dhe lexuar si deputetë të Kuvendit nuk cenohet kushtetuta dhe rendi i Republikës së Kosovës, pavarësisht se as mua nuk me pëlqen ky asociacion, as unë nuk e përkrahi, por një është e mirë që nuk cenon rendin, Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

Deputeti Kelmendi deklaroi me tutje se Kuvendi i Kosovës ka kapitulluar në raport me Qeverinë e vendit.

Kelmendi: Kuvendi ka kapitulluar në raport me Qeverinë

(Video)

“Në krahasim me mandatin e kaluar, këtë mandat mund të them që edhe pse shenjat e degradimit të rolit të Kuvendit kanë filluar qysh mandatin e kaluar, këtë mandat ka kapitulluar roli i Kuvendit në raport me Qeverinë. Nuk ka kurrfarë roli të jeni të bindur, për shumë arsye, e arsyeja kryesore është se koalicioni ka dy të tretat. Edhe në mandatin e kaluar, edhe këtë mandat me së shumti, asnjë rezolutë, asnjë vendim i nxjerr nga Kuvendi, nuk është marrë për bazë nga Qeveria, as e atëhershme as e tashmja”, theksoi ai.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është ndër Kuvendet më pasive në rajon, për të mos folur edhe më gjerë.

Duke folur për objektivat e partisë së tij FJALA, Kelmendi është bindur se do ta kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht se ende nuk kanë diskutuar nëse do të hyjnë në ndonjë koalicion parazgjedhor.

Kelmendi: Do ta kalojmë pragun zgjedhor

(Video)

“Po ne e dimë që pragu është pesë për qind dhe jo rastësisht ka mbetur ai prag, por është vendosur nga partitë e mëdha. Por ne si parti e re mendoj që nuk e kemi atë problem për faktin se përveç votave që unë si deputet që dy m andate dhe asamblist që kanë ardhur që janë derë e hapur që të vazhdojmë garën për Kuvend, ne synojmë edhe prej pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk dalin në zgjedhje. Ne e dimë që rreth 60 për qind e qytetarëve janë votues pasiv të cilët nuk votojnë fare në zgjedhje dhe ne synojmë këta qytetarë që nuk votojnë, t’i zgjojmë nga gjumi dhe ata të jenë votues tanë. Hapësirë ka, potencial ka, vullnet ka përveç votave tona që kemi, ne synojmë edhe tek pjesa tjetër e popullatës që ka mbi 1 milion banorë, konkretisht mbi 60 për qind të votuesve”, tha ai.

Kelmendi thotë se është i impresionuar me mobilizimin që po ndodh në Partinë FJALA. Ai thotë se brenda pak muajve thuajse janë shtrirë në të gjitha qytetet e mëdha dhe të vogla dhe se tani ka mbetur vetëm t’i organizojnë kuvendet dhe t’i zgjedhin udhëheqësit e degëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat