​Thaçi për mediat franceze: Me historinë tonë të vjetër, duam t’i bashkohemi UNESCO-s

Bota e Yjeve

​Thaçi për mediat franceze: Me historinë tonë të vjetër, duam t’i bashkohemi UNESCO-s

Më: 15 shtator 2015 Në ora: 19:08

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në një intervistë për Le Lettre Diplomatique ka folur për prioritetet diplomatike të, siç e quan media franceze, “republikës së vogël që gjendet në Ballkan”. Le Lettre Diplomatique e portretizon Hashim Thaçin si personin kryesor në të dy negociatat – në ato të vitit 2008 të mbajtura me ndërmjetësimin e lehtësuesit nga OKB-ja, Presidentit Ahtisari, ku Kosova edhe mori përkrahje ndërkombëtare për pavarësinë, si dhe ato në vitin 2013 të lehtësuara nga Baronesha Ashton, kur Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen historike që të mos bllokojnë njëra-tjetrën në integrime evropiane. Pasi ka shërbyer dy herë si kryeministër, sipas Le Lettre Diplomatique, tash planet e Thaçit janë të zgjerojë ndërkombëtarizimin e Kosovës.

Në vazhdim transmetojmë intervistën e plotë të Thaçit për “Le Lettre Diplomatique".

Ku është Kosova sot pas 7 vitesh nga pavarësia dhe 16 vitesh nga intervenimi i NATO-së që ndau Kosovën nga Serbia dhe e vendosi Kosovën nën protektoratin e OKB-së? Cilat janë prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës në ditët e sotme?

Hashim Thaҫi: Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe kemi pasur një rrugë të vështirë historike ku ishim të detyruar të japim rezultate në disa procese të shumta paralelisht. Duhej të rindërtonim shtetin dhe ekonominë plotësisht pas represionit nga regjimi i Millosheviqit në vitet e 90-ta. Gjithashtu duhej të ndërtonim institucione të pavarura dhe demokratike pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa tani jemi të thelluar në procesin e integrimeve evropiane. Tani Kos ova po shqyrton diversifikimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, jo vetëm në peizazhin diplomatik dypalësh, por edhe në atë shumëpalësh. Kosova është njohur nga 111 shtete, së fundmi u njoh nga Niue, dhe kemi punuar që të integrohemi në komunitetin ndërkombëtar duke u anëtarësuar në organizatën e Frankofonisë, në komitetin ndërkombëtar olimpik, etj. Gjithashtu, jemi anëtar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe në mbi 20 organizata rajonale të Evropës Juglindore. E rëndësishme është që së shpejti do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është hapi i parë drejtë anëtarësimit të plotë në BE.

Sa është i rëndësishëm për Kosovën anëtarësimi në OKB? A mund të vazhdoni integrimin tuaj në komunitetin ndërkombëtar nëse nuk jeni anëtar të OKB-së?

Hashim Thaçi: Anëtarësimi në OKB nuk e përkufizon shtetësinë. E dimë se Kina, Izraeli apo edhe Zvicra nuk kanë qenë anëtare të Kombeve të Bashkuara për vite apo dekada të tëra pas përfundimit të luftës së dytë botërore, por të gjitha këto shtete janë anëtare të rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar. Disa nga anëtarët e OKB-së janë shtete të cilat kanë dështuar dhe janë në luftëra civile apo kanë ekonomi të shkatërruara. Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, por është një vend i lirë dhe demokratik. Raporti i krimeve për kokë banori është më i ulëti në Evropë. Kemi një rritje mesatare të PBB-së prej 4 për qind për 7 vite të njëpasnjëshme. Qasja në internet e ekonomive familjare është mbi 85 për qind. Progresi ka qenë shumë i madh.

Gjithashtu, jemi bërë anëtar sovran të agjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara, siç është Banka Botërore e FMN-ja dhe kjo e ndihmon ekonominë tonë. Jemi duke aplikuar për anëtarësi m në Këshillin e Evropës dhe UNESCO gjatë këtij viti në mënyrë që njerëzit tanë gradualisht të rrisin bashkëveprimin me popujt e tjerë dhe të jenë në gjendje të përdorin instrumentet dhe programet e agjencive të ndryshme të OKB-së, ashtu që të mund të vazhdojmë rindërtimin e shtetit dhe të reformojmë ekonomin tonë.

Ju dhe zëvendësi juaj gjatë muajve të kaluar e keni vizituar shpesh Parisin në përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në UNESCO. Si mund Kosova të përfitojë nga anëtarësimi në UNESCO dhe sa jeni të sigurt që do t’i merrni votat e nevojshme në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-së që do të mbahet në nëntor?

Hashim Thaçi: Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe nevoja për të reformuar dhe investuar në arsim, kulturë dhe shkencë është shumë e rëndësishme. Çfarë do të fitonim nëse Kosova do të lihej e izoluar? Synimi im është të sigurohem që populli i Kosovës të mos mbetet i izoluar. Nuk dua që anëtarësimi i Kosovës të mbetet peng i debateve të pafundme gjeopolitike.

I kuptoj disa nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën në baza bilaterale, por kjo nuk i ka ndaluar që të votojnë në favor tonin në organizata të shumta. Mbi 170 shtete tani e njohin pasaportën e Kosovës, dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, përfshirë edhe Rusinë dhe Kinën, e njohin të drejtën e kosovarëve që të udhëtojnë me pasaportë të Republikës së Kosovës. Prandaj, jam i sigurt që shumica dërmuese e anëtarëve të UNESCO-së do të jenë të lumtur që Kosova do t’i bashkohet familjes në mënyrë që të kontribuojë në UNESCO me historinë tonë shumë të vjetër dhe popullsinë shumë sipërmarrëse, por edhe të pranojmë ndihmë praktike nga UNESCO mbi atë se si të përmirësojmë mbrojtjen e trashëgimisë tonë, produkteve shkencore dhe niveleve të arsimit.

Kosova muajve të fundit është përmendur në disa media ndërkombëtare si platformë e dialogut ndër-fetar, por edhe si vend i origjinës i disa prej ekstremistëve të dhunshëm që luftojnë në lindjen e mesme. Cila është e vërteta? A është Kosova model i tolerancës ndër-fetare apo burim i ekstremizmit?

Hashim Thaçi: Duhet ta vizitoni Kosovën që të shihni të vërtetën. Ne jemi një shoqëri sekulare. Një sondazh i opinionit i bërë nga Këshilli Britanik në Kosovë nxori se 90 për qind e popullsisë mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO, prandaj ekziston konsensusi kombëtar që të përmbushim të gjitha standardet dhe të bëhemi pjesë e BE-së. Ne jemi vendi i parë në Ballkan që kemi zgjedhur një grua si presidente të vendit dhe ekziston një ndarje strikte e religjionit nga institucionet shtetërore. Norma e krimit ësht ë më e ulëta në Evropë, ndërsa një e treta e popullsisë tonë tashmë jeton në komunitete të mëdha të diasporës në Gjermani, Britani të Madhe, Zvicër, SHBA, etj. Jam krenar që Sekretari i Departamentit të Shtetit, John Kerry, së fundmi ka deklaruar që Kosova është lider në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Kjo është arsyeja pse kemi investuar në promovimin e dialogut ndër-fetar si një segment i diplomacisë sonë publike, në mënyrë që të tregojmë se Kosova është duke u shndërruar nga një importues i burimeve të sigurisë në një eksportues të iniciativave të paqes.

Por, në margjinat e shoqërisë edhe ne kemi sfida. Njësoj si në Francë apo në Skandinavi, disa kosovarë ju kanë bashkuar ISIS-it në 3 vitet e fundit. Aktualisht janë rreth 50 prej tyre, por policia jonë ka vepruar në mënyrë shumë efikase dhe ka arrestuar dhjetëra të dyshuar. Tani e kemi edhe ligjin që e ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja. Pra , Kosova nuk është imune ndaj rrezikut global të radikalizmit dhe agjendave nacionaliste, por jemi një partner efikas dhe i sinqertë në luftimin e këtyre rreziqeve globale.

Sa janë të sigurta vendet e trashëgimisë të UNESCO në Kosovë?

Hashim Thaçi: Janë shumë të sigurta. Ne e respektojmë dhe kemi siguruar një mbrojtje të pa-precedent kushtetuese të Kishës Ortodokse Serbe, që është pronare e vendeve të trashëgimisë të UNESCO-s. Këto ndërtesa mesjetare janë në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe, por gjenden në Kosovë dhe janë aty që njerëzit të mahniten me ato. Megjithëse, shumica e njerëzve deklarohen si myslimanë, tradicionalisht kemi pasur marrëdhënie të mira ndër-fetare. Lufta e Kosovës e vitit 1999 nuk ka qenë luftë fetare, por luftë etnike. Gjithashtu, shqiptarët e Kosovës i takojnë besimeve të ndryshme fetare, prandaj ne jemi të mësuar me pamje të tilla ku një xhami dhe një kishë e ndajnë të njëjtin kopsht. Regjimi serb ka djegur rreth 300 xhami në vitin 1999 të cilat është dashur t’i restaurojmë me kujdes me ndihmën e shumë njerëzve nga e gjithë bota, përfshirë edhe Arabinë Saudite dhe Izraelin. Fatkeqësisht edhe disa nga kishat janë dëmtuar gjatë trazirave të dhunshme të vitit 2004, por që nga atëherë Qeveria e Kosovës ka investuar fonde në restaurimin e kishave dhe kemi përfshirë në sistemin tonë ligjore dispozita të veçanta për mbrojtjen e vendeve të kishave. Ditëve të sotit edhe lokacionet e besimit mysliman edhe ato të krishtera vizitohen nga turistët nga e gjithë bota, ndërsa Policia e Kosovës është përgjegjëse për mbrojtjen e tyre në 95 për qind të rasteve. Dikur ishin trupat e NATO-së, por tani i është besuar policisë tonë të bëjë mbrojtjen.

Si është duke ecur ekonomia e Kosovës? E keni pasur fatin e keq që e shpallët pavarësinà « atëherë kur kriza globale financiare e goditi botën. A ia keni arritur të përmirësoni kushtet ekonomike pas luftës dërmuese të vitit 1999 dhe tranzicionit të vështirë gjatë administrimit të OKB-së deri në shpalljen e pavarësisë?

Hashim Thaçi: Shumica e njerëzve në Kosovë nuk shqetësohen për agjendat diplomatike apo politike, por për agjendat ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. E kemi rritur zhvillimin ekonomik, por duhet të punojmë që të zvogëlojmë nivelin e papunësisë që tani është në 30 për qind. Jam shumë i përkushtuar që të gjejë partnerë ndërkombëtarë dhe investitorë që të na ndihmojnë të largojmë varfërinë. Këtë vit, një konsorcium francez e ka fituar tenderin që të ndërtojë resorin e skijimit për 400 milionë euro, ndërsa një kompani amerikane do të investojë mbi 1 miliard në termocentralin e ri, ashtu që të mund të mbyllim të vjetrin që e ndotë ambientin . Pra, ka shenja të mira për rritjen e interesit nga investitorët privat. Por, duhet të punojmë më shumë në arsim, që fuqia jonë punëtore të jetë kompatibile me kërkesat e tregut të punës. Na nevojitet e gjithë ndihma që mund ta sigurojmë në mënyrë që të kemi reforma të mira në arsim të cilat do të sigurojnë investime afat-gjata në shoqërinë tonë dinamike dhe të re. Jam optimist se Kosova ngadalë, por sigurt, po bëhet një shembull i mirë i rindërtimit dhe zhvillimit pas konfliktit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat