Rama: Veliaj do të sjellë rilindjen në Tiranë; nuk do të ketë ndryshime në qeveri

Bota e Yjeve

Rama: Veliaj do të sjellë rilindjen në Tiranë; nuk do të ketë ndryshime në qeveri

Më: 23 prill 2015 Në ora: 21:37

Kryeministrit Edi Rama në një intervistë dhënë të enjten për televizionin “Klan”, është shprehur se kandidati për Bashkinë e Tiranës, është figura më e përshtatur për të drejtuar kryeqytetin, ndërsa ka vlerësuar punën e kabinetit të tij qeverisës duke thënë se “ministrat më të kritikuar nga opozita janë ata që kanë kryer më së miri detyrën e tyre”.

“Patëm një proçes, një numër të konsiderueshëm, besoj më të madh se asnjëherë tjetër, kandidatësh të mundshëm dhe kandidatesh të mundshme për Bashkinë Tiranës. Po ashtu, u angazhuam në një proçes intensiv anketimesh të opinionit publik të kryeqytetit për të kuptuar, jo thjesht se kush ishte kandidati apo kandidatja më e preferuar, por cili ishte profili që qytetarët presin të kenë në krye të Bashkisë së Tiranës”, – tha Kryeministri Rama, ndërsa nënvizioi se, “arritëm në konkluzionin që pas 4 vitesh kthim mbrapa dhe pastaj, qëndrim mbrapsht në vend numëro, qytetarët e Tiranës presin me plot të drejtë që bashkia të rikthehet në punë, që Tirana të rimarrë drejtimin e duhur dhe që në krye të punëve të jetë një kryetar bashkie, i cili të jetë energjik, të jetë punëmbaruar dhe të ketë aftësinë për të komunikuar dhe për t’iu qëndruar pranë qytetarëve”.

“Ky është një profil i cili përputhet plotësisht me profilin e ministrit tonë të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe mbi të ra kjo barrë e rëndë për të çuar përpara një projekt kombëtar të Rilindjes dhe për të sjellë rilindjen edhe në Tiranën kryeqytet që, fatkeqësisht, në 4 vitet e fundit nuk ka njohur asnjë zhvillim dhe besoj që në fund u bë zgjedhja e duhur”, tha shefi i qeverisë.

Duke u ndalur në ecurinë e proçesit të përzgjedhjes së kandidatit, Kreu i Ekzekutivit shprehu sigurinë se, procesi ka qenë më gjithëpërfshirës se asnjëherë më parë dhe se kandidati ka dalë më shpejtë se asnjëherë më parë. “Nëse i referohemi praktikave të zgjedhjeve të shkuara, praktikisht, emrat e kandidatëve kanë dalë në momentin e fundit të regjistrimit të partive dhe të Partisë Socialiste në KQZ. Ndërkohë që, siç e thashë sot kemi në dispozicion edhe mjete të tjera shumë të besueshme dhe shumë racionale për të thithur jo vetëm mendimin e brendshëm të partisë, por për të thithur edhe mendimin e gjerë të opinionit publik. Sepse, nuk po zgjedhim kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës, por po zgjedhim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Besoj se, në këtë këndvështrim, nuk i kemi lënë asnjë gjë mangët procesit” -tha Rama.

I pyetur për kandidaturën e zgjedhur nga opozita të zoti Halim Kosova, Kryeministri u shpreh se” është e kundërta e doktorit të parë. Doktori i parë ishte ai që ishte, por sidoqoftë, për vite të tëra, nuk mund të thuhej se ishte i lodhur. Ky doktori tjetër është burrë i mire, por shumë i lodhur. Kështu që, nuk besoj se Tiranës i duhet një njeri që sado i mirë qoftë, në këtë fazë mund të drejtojë një azil pleqsh, por jo kryeqytetin”.

Në lidhje me zëvendësuesin e ministrit Veliajt, kryeministri Rama tha se “nuk do të jetë e lehtë, por ashtu siç nuk ishte e lehtë, por në fund zgjodhëm kandidatin që i duhej Tiranës për bashkinë e re, ashtu do të jetë e mundur që të zgjedhim zëvendësuesin apo zëvendësuesen e tij, në detyrën e ministrit apo ministres së Mirëqenies Sociale”. Kryeministri theksoi se “nuk do të ketë ndryshime të qeverisë për sa kohë qeveria është në krye të detyrës, për sa kohë qeveria po ecën sipas planit të veprimeve të saj”.

Plan veprimesh, vijoi Rama, që monitorohet në mënyrë të përqendruar dhe si asnjëherë më parë nga Këshilli i Ministrave dhe për sa kohë që reformat dhe masat përkatëse që lidhen me to, do të jenë në drejtimin e duhur. S’kemi arsye të bëjmë formatim të qeverisë”.

I pyetur për atë se çfarë i detyron shqiptarët të drejtojnë sytë jashtë vendit për të jetuar, Kreu i qeverisë tha se, Shqipëria e sotme është rikthyer përmes një vështirësie të madhe në rrugën e rritjes ekonomike dhe do të vazhdojë një rritje e qëndrueshme ekonomike, prandaj arsyet e këtij momenti aspak të pëlqyeshëm për askënd, sigurisht janë të lidhura me varfërinë, sigurisht që janë të lidhura me nevojën e njerëzve për një jetë më të mirë, nevoja që nuk do të shterojnë kurrë pasi njerëzit gjithmonë do të duan një jetë më të mirë.

Por vijoi kryeministri Rama, “unë nuk jam ndër ata që mendojnë se ne sot jemi të dytët pas Gjermanisë. Unë jam ndër ata që besojnë fort se Shqipëria po rilind, se Shqipëria e rilindur do të jetë një realitet që do të mbetet në bilancin e kësaj qeverisje kur të bëhen llogaritë përfundimtare”.rama1

“Jam i bindur se ajo që po ndodh është e lidhur me një moment specifik, me një moment keqkuptimi të madh dhe manipulimi të madh. Keqkuptim i ardhur nga fakti se Gjermania, dhe jo Franca apo Italia apo Greqia apo ndonjë vend tjetër, ka lëshuar një apel apo ka bërë me dije një interesim për të marrë një numër të caktuar të huajsh, që Gjermania i kërkon për profesione të veçanta dhe për aftësi të veçanta. Pra, nuk bëhet fjalë që Gjermania të ketë hapur dyert për një fluks emigrantësh që kërkojnë një jetë më të mirë thjesht ekonomike. Mbi këtë keqkuptim të madh është spekuluar nga elementë kriminalë, të cilët kanë stimuluar dhe organizuar flukset me të cilat ne po përballemi. Ashtu siç po them sot këtë, edhe mbas një muaji, dy muajsh, tre muajsh, kur ky fluks do të bjerë dhe kjo ngjarje do t’i përkasë të shkuarës, nuk do të them që në dy a tre muaj ne e kthyem përmbys ekonominë dhe ja nuk po vazhdon fluksi, sepse Shqipëria po lulëzon. Është një situatë delikate, me të cilën ne po merremi shumë seriozisht. Nuk ka asgjë për t’u alarmuar, në kuptimin e ecurisë së ekonomisë, por nuk ka padyshim arsye për ta politizuar këtë moment kritik, a thua se Shqipëria që kishim përpara 18 muajsh ishte një bahçe me lule dhe tani që u thanë të gjitha lulet, njerëzit po shkojnë t’i ujisin ato në Gjermani”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie nëse është marrë parasysh të jenë pa precedentë kriminalë, sepse ka akuza nga opozita për të paktën dy nga kandidatët e PS-së për atë të Krujës dhe të Kavajës, që janë persona me të kaluar kriminale, Kryeministri u shpreh se “se ato janë akuza të vjetra, të lodhura, nga ato të zakonshmet e fabrikës së baltës që ka zënë vendin e shtëpisë së ushtrisë popullore”.

“Kryetari i Bashkisë së Kavajës ka provuar me vepra dhe për këtë do t’ju ftoja të bënit një vizitë në qytet. Besoj do të mjaftonte që të shikoni qytetin, për të kuptuar se çfarë investimi të frytshëm kanë bërë qytetarët e Kavajës, duke e zgjedhur. Kështu që, padyshim, jo vetëm e kemi rikonfirmuar, por do ta rikonfirmojë edhe populli i Kavajës”, -tha Rama, i cili nënvizioi se, “përsa i përket kandidatit tonë në Bashkinë e Krujës, ne kemi bërë të gjitha verifikimet si për çdo kandidat tjetër që është për herën e parë dhe absolutisht, ashtu sikundër e kemi bërë transparente edhe në bazë dokumentacioni, akuza e opozitës është e pabazuar dhe është e turpshme”.

“Ndërkohë që, minimalisht, opozita ka një të dënuar aktualisht, që është kryetari i Bashkisë Kamzë, i cili është dënuar në gjykatë. Sigurisht, e drejta e prezumimit të pafajësisë mund të mbetet e tillë, po pastaj kjo rrëzon gjithë filozofinë mbi të cilën është ngritur propaganda e dekriminalizimit, nga ana e PD. Për të mos folur dhe për një sërë kandidatësh të tjerë, një tjetër në Sarandë, njerëz të hetuar, njerëz të ndjekur për veprimtari korruptive e me radhë. Megjithatë, kjo është e drejta e tyre, nuk është mbi këtë bazë që ne zhvillojmë betejën tonë. Nuk besojmë tek kjo mënyrë e të bërit betejë. E rëndësishme është që t’u japim 61 bashkive të reja, njerëzit e duhur të cilët të jenë përfaqësuesit e kësaj shumice në nivelin vendor dhe me të cilët, kjo qeveri të bëjë ato punë të mëdha që për kaq shumë vite nuk janë bërë në shumë komunitete në mbarë vendin”, përfundoi Kryeministri Rama.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat