Çollaku: Sivjet i kryejmë të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave

Bota e Yjeve

Çollaku: Sivjet i kryejmë të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave

Më: 22 mars 2015 Në ora: 08:05

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku flet për liberalizimin e vizave, për marrëveshjet me BE-në, punësimet sezonale..

Një ndër synimet themelore të ministrisë që drejtoni, është edhe përshpejtimi i proceseve euro-integruese. Ku është Kosova për momentin në këto përpjekje?

Çollaku: Pajtohem, megjithëse procesi i integrimit evropian është proces i reformimit dhe transformimit në mënyrë që Kosova të përafrohet me Bashkimin Evropian dhe nuk është vetëm një garë e shpejtësisë. Në radhë të parë është cilësia e punës që e bëjmë si në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së te zbatimi i tyre, harmonizimi i politikave dhe përvetësimin e standardeve etj. Sa i përket asaj se ku jemi, tani për tani do të theksoja se jemi në prag të një faze të re ku marrëdhënia mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian është duke kaluar në një realitet kontraktual përmes finalizimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim. Siç e dini, kjo nënkupton një zotim dhe obligim i ndërsjellë për përmbushjen e dispozitave të kësaj marrëveshje të drejtuara kah realizimi në praktikë i perspektivës Evropiane të vendit, pra qëllimit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Çështja e procesit të liberalizimit është aktualizuar sërish, kësaj radhe duke shpërfaqur një varg vështirësish prej migrimit ilegal gjatë dy muajve të parë të vitit 2015. Në opinion vazhdon të ketë opinione kundërthënëse në këtë drejtim. A ka gjasë që ky proces të jetësohet gjatë këtij viti?

Çollaku: Për Qeverinë e Republikës së Kosovës liberalizimi i vizave është prioritet, dhe kjo ka qenë temë aktuale dhe vazhdon të jetë e tillë. Është fatkeqësi që migrimi shënoi një ngritje të papritur në fund të vitit të kaluar dhe muajt e parë të këtij viti, sidomos tash që jemi në pjesën e fundit të procesit. Por, kjo valë u ndal dhe po bëjmë çmos që kjo të mos përsëritet si dhe duke u marrë me pasojat e migrimit të tanishëm. Për përfundimin e procesit, preferoj të mos flasim me data, por jam i bindur se ne do të përmbushim të gjitha kërkesat teknike shumë shpejt dhe gjithsesi brenda këtij viti. Vendimi pastaj është i institucioneve dhe shteteve anëtare të BE.

Një numër zyrtarësh evropian kanë tërhequr vërejtjen se procesi i liberalizimit nuk i zgjidh problemet ekonomike të qytetarëve, ashtu siç besohet me të madhe për shkak se liberalizimi i vizave nuk nënkupton apriori të drejtën e punës. A ka ndërmarrë Ministria e Integrimit ndonjë fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket kësaj çështjeje?

Çollaku: Besoj se qytetarët e Kosovës janë mirë të informuar për atë se çfarë nënkupton liberalizimi i vizave, ata e dinë që përfitimi nga ky proces është lehtësimi i lëvizjes në Evropë për qëndrim të shkurtër dhe e vlerësojnë si të tillë. Edhe në Kosovë, sipas praktikës në vendet e rajonit, do të ketë fushata informuese për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve pas liberalizimit të vizave, dhe ne jemi duke bërë përgatitje në këtë drejtim.

A mendoni se shumë më të leverdishme do të ishin nënshkrimi i marrëveshjeve për punësim sezonal me shtete të caktuara të BE-së sesa përqendrimi i sforcuar vetëm në liberalizim të vizave?

Çollaku: Liberalizimi i vizave dhe marrëveshjet dhe mundësitë eventual për punësim sezonal nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Kemi kapacitet për të punuar në të dyja drejtimet pa e sakrifikuar ndonjërën. Nuk është përqendrim i sforcuar në liberalizim por thjeshtë fokus i plotë i institucioneve përgjegjëse në përmbushjen e kushteve sepse është prioritet i qeverisë si përgjigje ndaj kërkesës shumë të arsyeshme të qytetarëve.

Të kthehemi edhe njëherë te çështja e migrimit ilegal. Në opinion kanë qarkulluar spekulime mbi numrin e atyre që lëshuan vendin si dhe për arsyet e migrimit, prapavijat, etj. Në bazë të kontakteve që keni me zyrtarë të Brukselit, a keni ndonjë shifër të përafërt për numrin e atyre që kanë migruar ilegalisht?

Çollaku: Është e vërtetë se ka pasur spekulime mbi numrin e qytetarëve të Kosovës që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, por ne si institucione vazhdimisht ju kemi referuar raporteve dhe statistikave zyrtare të EUROSTAT-it. Kështu në vitin 2014 EUROSTAT-i ka raportuar se 38,435 qytetarë nga Kosova kane kërkuar azil në vendet e BE dhe zonës Schengen. Ndërsa jemi në pritje të raportit të freskuar për muajt e parë të vitit 2015 por një gjë është e sigurt se po punohet vazhdimisht që këtë vit të kemi rënie të numrit të azilkërkuesve dhe të njëjtën kohë të intensifikojmë procesin e riatdhesimit te atyre të cilët kanë migruar gjatë vitit të kaluar dhe muajve të parë të këtij viti.

Është përfolur shpesh, madje edhe një deklaratë e ambasadorit norvegjez në Kosovë ishte në këto linja, se të gjithë ata që kanë migruar ilegalisht, do t’u hiqet për 5 vite e drejta e lëvizjes në vendet e Shengenit, edhe në rast të heqjes së vizave. Sa janë të vërteta këto?

Çollaku: Masat dhe sanksionimet që i ndërmarrin shtetet individuale të zonës Schengen janë çështje të këtyre vendeve. Sigurisht që migrimi i paligjshëm i ka pasojat e veta, kjo është një fatkeqësi e madhe për personat e prekur.

Të gjitha shtetet e BE-së që janë prekur nga migrimi, veçanërisht Gjermania, Austria e Franca kanë paralajmëruar kthimin e të gjithë azilkërkuesve nga Kosova. Në këto vende duket se nuk ekziston mëdyshja nëse duhet pranuar ose jo, por si të përshpejtohen procedurat e kthimit të menjëhershëm. Pas këtyre paralajmërimeve, a është Kosova e gatshme për të pranuar këta qytetarë? Shpenzimet e kthimit a do të rëndojnë mbi buxhetin e Kosovës?

Çollaku: Jemi plotësisht të përkushtuar për përmbushjen e obligimeve të marrëveshjeve për riatdhesim që i kemi me këto vende. Për më tepër, ky është edhe obligim ligjor i yni. Nuk ka asnjë mëdyshje për atë se do t’i kthejmë të gjithë qytetarët në vendin e tyre dhe në shtëpitë e tyre. Ne i kemi mekanizmat institucional dhe mjetet buxhetore për riintegrimin e qëndrueshëm të qytetarëve. Nga 1 janari deri me 17 mars 2015 janë riatdhesuar rreth 2300 persona dhe ky trend vetëm se do të intensifikohet. Rritja e numrit të migruesve është përcjellë me rritje të kthimit.

Tash u arrit edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe Universitetit të Prishtinës për përkthimin e 200 mijë faqeve të legjislacionit të BE-së. Në marrëveshje përmendet se me këtë rast do të angazhohen një numër studentësh të Fakultetit Filologjik. A mund të na qartësoni më tepër rreth kësaj çështje?

Çollaku: Kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të dy palët dhe për procesin e integrimit. Për ne si institucion është shumë me rëndësi që të krijohen kapacitete për ta përkthyer legjislacionin në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, që është një punë shumë e madhe. Kjo marrëveshje është kornizë për bashkëpunim të gjerë ndërmjet dy institucioneve duke mundësuar trajnimin dhe angazhimin e stafit dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ndër gjërat që do t mundësohen janë trajnimi i stafit dhe studentëve në përdorimin e sistemeve softuerike për përkthim, praktika për studentët në Ministrinë për Integrim Evropian, krijimin e databazës së terminologjisë etj. /Radio Kosova e Lire/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat