Çollaku: Migrimi i parregullt, mund të ketë pasoja

Bota e Yjeve

Çollaku: Migrimi i parregullt, mund të ketë pasoja

Më: 18 shkurt 2015 Në ora: 09:23

Kosova duhet të vlerësohet në bazë të përformancës së saj në përmbushjen e kritereve të përcaktuara me udhërrëfyesin për liberalizim të vizave", thekson Çollaku.

Radio Kosova: Z. Ministër, Kosova po i bën 7 vjet që nga shpallja e pavarësisë. Pjesë e ndërtimit të shtetit është edhe procesi i integrimit Evropian. Në këtë përvjetor sa kemi arritur si shtet në këtë proces?

Bekim Çollaku: Fillimisht më lejoni që t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e shpalljes së deklaratës së pavarësisë, mendoj që qe nga shpallja e pavarësisë dhe deri në ditët e sotme Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, mirëpo të gjithë jemi të vetëdijshëm që përkundër këtij progresi, ende kanë mbetur shumë sfida me të cilat ne duhet të ballafaqohemi. Pikërisht atë gjë po bëjmë edhe tani në qeverinë e re, po ballafaqohemi dhe po adresojmë sfidat dhe problemet që i kemi në sektor të ndryshëm.
Sa i përketë pyetjes suaj konkrete, unë me kënaqësi mund të konfirmoj se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më afër realizimit të aspiratës për integrim evropian në veprime dhe masa konkrete. Kjo nënkupton që Kosova këtë vit pret që të nënshkruaj marrëveshjen për MSA që është marrëveshja e parë kontrakuale në mes të republikës së Kosovës dhe BE-së dhe njëkohësisht është njëra ndër marrëveshjet më të rëndësishme që çdo shtet aspiron për t’u integruar në Bashkimin Evropian nënshkruan me institucionet e BE-së. Pra ne pas një pune shumëvjeçare të lodhshme dhe të mundimshme kemi arritur në fazën kur kemi përmbyllur me sukses negociatat për MSA , kemi vendosur inicialet fillestare në këtë dokument. Dokumenti tani ndodhet në fazën e përkthimit që është një proces teknik, brenda institucioneve të BE-së dhe në përputhje me kalendarin kohor të dakorduar ne presim që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje gjatë këtij viti. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje paraqet bazën më të fortë ligjore dhe juridike për vazhdimin e mëtutjeshëm të procesit të integrimit evropian. Përveç MSA ne jemi gjithashtu në fazën përmbyllëse të adresimit të kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave në përputhje me udhërrëfyesin që e kemi marrë ne vitin 2012. Që nga ajo kohë është bërë shumë punë, e thash se jemi në fazën e fundit kanë mbetur edhe disa çështje për t’i adresuar jo më larg se sot kemi mbajtur takimi ne radhës të komitetit drejtues për liberalizim të vizave në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës z. Isa Mustafa, në mënyrë shumë serioze i kemi adresuar problemet dhe ngecjet e mbetura në këtë aspekt dhe kemi kërkuar që të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces brenda një afati sa më të shkurtër sa ma optimal t’i përmbushin detyrat e mbetura me qëllim që neve të na mundësohet që neve të përpilojmë një raport përfundimtar me të cilin do ta informojmë komisionin evropian për suksesin e arritur në këtë drejtim.

Radio Kosova: Janë disa kritere për përmbushje për liberalizim të vizave, ndër to është edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit. Sa ka vullneti politik për të arritur rezultat të prekshëm në këtë drejtim?

Bekim Çollaku: Çështja e sundimit të rendit dhe ligjit është një sfidë që e ka përcjellur Kosovën që nga periudha e çlirimit. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se qysh nga viti 1999 kjo fushë në mënyrë të theksuar është udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare dhe që nga shpallja e Pavarësisë pastaj edhe nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të rendit dhe ligjit EULEX. Kjo përvojë dhe kjo ekspertizë e komitetit ndërkombëtarë dhe aktualisht edhe misionit të EULEX-it ka shërbyer për të mirë natyrisht dhe institucionet tona në këtë fushë kanë përfituar shumë. Nga kjo ekspertizë e marr ne vërejmë që sidomos në vitet e fundit sidomos në këtë vit, institucionet tona përgjegjëse në këtë fushë kanë marrë shumë kompetenca ekzekutive dhe tani me të drejtë mund të themi që adresa e vetme për fushën e sundimit të rendit dhe ligjit ju takon institucioneve të Republikës së Kosovës, për çka EULEX-i ka ende mandat në këtë sferë. A është bërë mjaft në adresimin e këtyre sfidave e sidomos në adresimin e këtyre sfidave dhe sidomos në arritjen e rezultateve konkrete në luftë kundër krimit dhe kundër korrupsionit, sigurisht që nuk është bërë mjaft sepse akoma duhet bërë më shumë, mirëpo unë me konsideratë të plotë mund të them Kosova ka shënuar progres serioz me adresimin e këtyre problemeve, në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, rezultatet janë evidente. Shumë më tepër pritet të bëhet gjatë këtij viti ndërsa vullneti politik gjithmonë ka ekzistuar për t’u ballafaquar me këtë sfidë dhe sigurisht që ky vullnet politik është rritur edhe më shume sepse ne të gjithë jemi të vetëdijshëm sepse Kosova nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt e evropiane në qoftes në mënyrë serioze nuk e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Radio Kosova: Z. Çollaku më herët është thënë se në pjesën e parë të këtij viti pritet edhe nënshkrimi i MSA, a mendoni se ka sinjale nga Brukseli që pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk do të paraqesin barrierë për realizimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave?

Bekim Çollaku: Dokumenti i negociuar në të cilin tashmë janë dhënë inicialet fillestare, është një dokument që Republika e Kosovës e ka negociuar me Komisionin Evropian dhe për dallim nga praktikat e mëhershme kur marrëveshja MSA është dashur të negociohet edhe me shtetet anëtare të Bashkimi Evropian veç e veç, në rastin tonë e kemi një përparësi sepse jemi duke negociuar vetëm me Komisionin Evropian, pra vetëm me institucionet e Bashkimit Evropian. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që këto vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, nuk kanë paraqitur probleme dhe pengesa gjatë gjithë këtij procesi të negocimit. Mirëpo, të gjitha ato vërejtje, të gjitha ato pengesa të natyrave të ndryshme që janë paraqitur gjatë gjithë këtij procesi, janë adresuar me kohë dhe dokumenti si i tillë është konsideruar i përfunduar dhe i negociuar. Ne nuk presim dhe nuk ka asnjë lloj arsye që të presim që shtet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës tani në fazën nënshkrimit mund të sjellin pengesa të reja të cilat mund ta zvarrisin këtë proces. Edhe nga takimet e fundit që kam pas në Bruksel me përfaqësues të Komisionit Evropian, unë nuk kam marr asnjë sinjal shqetësues, që ndonjë nga këto shtete mund të sjellë ndonjë problem të ri në këtë proces, prandaj unë shpresoj që ne të gjithë do t’i përmbahemi agjendës së dakodruar dhe do të jemi në gjendje që në pjesën e parë të këtij viti , të nënshkruajmë marrëveshjen e MSA-së, sepse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, dhe ne si qeveri duhet menjëherë të fillojmë hartimin e planit nacional për implementimin, pra zbatim në praktik të kësaj marrëveshje.

Radio Kosova: Kohëve të fundit po shohim një migrim që ka vërshuar nga ana e qytetarëve drejt vendeve të BE-së. Zyrtarë të BE-së kanë thënë hapur se vala e migrimit të fundit do të ketë ndikim në procesin e liberalizimit. Sa mendoni që është komprometuar ky proces?

Bekim Çollaku: Trendi në rritje i migrimit të parregullt, sigurisht që mund të ketë pasoja indirekte në vendimmarrje në Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave, mirëpo nuk guxon të ketë një ndërlidhje direkte. E them ketë se Kosova duhet të vlerësohet në bazë të përformancës së saj në përmbushjen e kritereve të përcaktuara me udhërrëfyesin për liberalizim të vizave. Natyrisht që migrimi i parregullt mund të shkaktojë panik, mund të shkaktojë pakënaqësi tek shtetet anëtar e të BE-së kur të vije momenti për të marr një vendim të merituar për Kosovën dhe pikërisht për këtë arsye ne si institucione, si Qeveri jemi alarmuar kemi marrë të gjitha veprimet adekuate që të adresojmë ketë çështje, që ta ndalim këtë trend i cli ka qenë në rritje dhe tani me kënaqësi mund të them se trendi është në ulje sepse qytetarët që kanë menduar të migrojnë jashtë Kosovës, e kanë kuptuar që një përpjekje e tillë është e kotë. Asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk ofron statusin e azilkërkuesit për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e ditur që Kosova është një vend i sigurt, një vend me demokraci të konsoliduar, një vend ku nuk ka diskriminim mbi baza etnike, religjioze apo të tjera.
Në një vend ku respektohen të drejtat fundamentale njerëzore prandaj sa më shumë që po ndërgjegjësohet opinioni ynë i gjerë publik, sa më shumë që qytetarët e Republikës së Kosovës po e kuptojnë që e ardhmja e tyre nuk mund të ndërtohet dikund tjetër përveç se në vendin e tyre aq ma të lehtë do ta kemi edhe ne që t’i bindim shtetet anëtare që në fund të këtij vit i të marrin një vendim të merituar të shumë pritur në favor të qytetarëve të Republikës së Kosovës për t’ju mundësuar atyre që të lëvizin lirshëm dhe pa viza sikur popujt tjerë të Ballkanit perëndimor mirëpo e thash nëse do të kishte vazhduar trendi në rritje të migrimit të parregullt sigurisht që kjo do të kishit sjell komplikime serioze edhe për procesin e liberalizimit të vizave mirëpo tani jemi në fazë kur ky trend ka filluar të bie tani janë marrë masa si në institucionet vendore ashtu edhe nga shtetet anëtare të BE –së për ta penguar këtë proces dhe me bindje të plotë them se në javët e ardhshme ne do të shohim një reduktim drastik të atyre që do të bëjnë përpjekje për të lëvizur në mënyrë të parregullt nga vendi ynë drejt shteteve anëtare të BE –së.

Radio Kosova: Ju si ministër, a keni në plan të shkoni në ndonjë vend të qëndrimit ku janë këta qytetarë në vendet e Shengenit, në Gjermani, Hungari apo në ndonjë vend tjetër?

Bekim Çollaku: Ju e dini se shteti i Kosovës ka ambasadat e veta në shumicën e shteteve anëtare të BE –së, dhe ambasadat pikërisht janë për qëllime të tilla, kështu që vizita e një ministri në ndonjë nga këto vende nuk do të jepte asnjë efekt të cilën ne tani nuk e shohim çdo ditë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ambasadat tona, me ambasadat e shteteve të BE –së,e dimë shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhen qytetarët e Kosovës, sidomos në Hungari sepse atje është pjesa dërmuese e tyre që janë grumbulluar, mirëpo ne presim që shumë shpejt të gjithë ata që kanë migruar në mënyrë të parregullt të kthehen në Kosovë dhe këtu të japin përgjigje kërkesave dhe nevojave të tyre. Ne nuk mund të japim përgjigje kërkesave dhe nevojave të tyre në shtete tjera, ne kemi autoritet dhe kompetenca qe ato kërkesa t’i adresojmë në Kosovë e jo në vende tjera ku ata kërkojnë strehim ose azil.

Radio Kosova: A po e trajton njëjtë Brukseli si Kosovën ashtu edhe Serbinë karshi këtë procesi, kur marrin parasysh dialogun të cilin jemi duke e zhvilluar në Bruksel. Dhe rezultatet e këtij procesi po reflektohen në procesi ne integrimeve evropiane të të dyja vendeve. A mendoni se është më i favorizuar shteti i Serbisë?

Bekim Çollaku: Sigurisht se nuk mendoj që është më favorizuar shteti i Serbisë, sepse procesi i dialogut dhe procesi i anëtarësimit në BE, janë dy procese krejtësisht të ndara. Normalisht që ka ndikim indirekt të procesit të dialogut në procesin integrimit, mirëpo formalisht këto dy procese janë krejtësisht të ndara. Serbia ka filluar shumë më herët procesin e integrimit evropian dhe prandaj është shumë më lartë në agjendën e integrimit evropian krahasuar me Kosovën. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave arsyeja pse Kosova ende nuk ka përfituar nga kjo është fakti se ne jemi të fundit që kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe normalisht për shkak që tashmë dihen, udhërrëfyesi në rastin e Kosovës ka pas kritere pothuajse dyfish më shumë krahasuar me kriteret që ju kanë dhënë shteteve tjera. Mirëpo ne asnjëherë ju kemi ankuar BE, për dyfishimin e kritereve përkundrazi kemi filluar punën tonë serioze për t ‘i përmbushur të gjitha kriteret dhe atë gjë do ta arrijmë gjatë këtij viti dhe në fund të këtij viti ne presim një vendim meritor në favor të qytetarëve të Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat