Mustafa i bindur që me 2015 mund të fitohet liberalizimi

Bota e Yjeve

Mustafa i bindur që me 2015 mund të fitohet liberalizimi

Më: 24 dhjetor 2014 Në ora: 15:06

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti mund të marr vendim për rritje të pagave.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti mund të marr vendim për rritje të pagave, por sipas tij, kjo mund të ndodh vetëm në qoftë se do të ketë rritje të hyrash në buxhet. Në një intervistë për Radio Kosovën, kryeministri Mustafa tha, po ashtu, se beson që në fund të vitit 2015 Kosova mund ta fitojë edhe liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Cilat janë prioritetet e qeverisë duke pasur parasysh periudhën gjashtëmujore të stagnimit?

ISA MUSTAFA: Ne kemi harmonizuar një program të përbashkët qeverisës si parti të koalicionit dhe, po ashtu, jemi orientuar në pikat kryesore, të cilat ne mendojmë që t’i realizojmë si prioritete edhe në vitin e parë të qeverisjes, por edhe prioritetet gjatë këtij mandati. Vlerësojmë se prioritet i parë është zhvillimi ekonomik që ndërlidhet me investimet e reja private, kryesisht me hapjen e vendeve te reja të punës dhe me masat të cilat duhet të ndërmerren në uljen e varfërisë dhe papunësisë së madhe. Ndërlidhur me këtë mendojmë se si parakusht është që ne ta forcojmë shtetin ligjor, në mënyrë që të rritet besimi i investitorëve të jashtëm për të investuar në Kosovë, dhe funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës - që prapë kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pastaj, janë reformat substanciale, të cilat ne duhet t’i ndërmarrim në disa fusha, e veçmas në fusha sociale, siç është arsimi, duke filluar nga niveli parashkollor e deri te arsimi i lartë, me qëllim që të rritet cilësia në arsim, reformat që duhet të bëhen në shëndetësi dhe masat të cilat duhet t’i ndërmarrim në integrimet ne BE, por si parakusht themelor i saj është liberalizimi i vizave, i cili do të mundësonte që edhe qytetarët tanë të kenë të drejtat e lëvizjes.

A do të ketë liberalizim të vizave në vitin 2015?

ISA MUSTAFA: Përkundër disa deklaratave që ne po i dëgjojmë, unë jam i bindur - dhe besoj se do të kemi. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmbushim të gjitha detyrimet dhe t’i kryejmë detyrat që i kemi para BE-së. Të hyjmë në këtë proces, ta realizojmë këtë proces, të japim garancione të forta për këtë, por si parakusht i kësaj ne duhet t’i frenojmë migrimet të cilat tani i kemi, që ndoshta në pikëpamje të njerëzve të cilët po tentojnë që edhe në këtë mënyrë ta lëshojnë Kosovën - ka arsye, por s’kemi arsye fare si vend të manifestojmë sjellje të tilla, sepse duhet ta ruajmë pavarësinë që e kemi, dhe duhet ta kultivojmë besimin në shtetin e Kosovës.

Çfarë do të bëni në zhvillimin e vendit, sepse të rinjtë sikur nuk po shohin perspektivë në Kosovë ?

ISA MUSTAFA: Prioritet themelor do t’i japim bujqësisë, sepse aty ka mundësi më të mëdha në hapje të vendeve të reja të punës. I kemi rritë mjetet buxhetore për subvencione në fushën e bujqësisë, të orientuar në subvencionimin e prodhimit e jo subvencionimin e imputeve. Mendojmë të bëjmë ndryshime në politikat fiskale në mënyrë që t’i lirojmë firmat të cilat themelohen për herë të parë, nga pagimi i tatimit në të ardhurat në fitim, varësisht prej shumës së investimeve dhe numrit të punësuarve që ato sigurojnë. Të bëjmë shkallëzimin e tatimit mbi vlerën e shtuar në mënyrë që mos të tatimohen qytetarët njëjtë për të gjitha produktet dhe shërbimet. Po ashtu, të shfrytëzojmë një pjesë të mjeteve të privatizimit për nevoja zhvillimore dhe përmes kësaj të nxisim dhe stimulojmë sektorin privat. Do të bëjmë përpjekje që të bashkëpunojmë më shumë edhe me Bankën Evropiane për Zhvillim, për të siguruar linja më të mira, më efiçente të financimit - kreditimit të bizneseve të vogla dhe të mesme, mirëpo nuk janë të gjitha këto ato që sigurojnë që në vitin e parë ne ta kapërcejmë këtë, sepse, megjithatë, zhvillimi ekonomik është i karakterit më afatgjatë, por unë shpresoj shumë se mund të bëjmë ndryshime esenciale.

Konsideroni se qytetari e ka humbur besimin, duke pasur parasysh se Presidentja ka kërkuar nga institucionet të rikthejnë besimin e humbur të qytetarëve?

ISA MUSTAFA: Unë besoj se qytetarët kanë shumë probleme. Vetë fakti që e kemi papunësinë e lartë - flet për atë se qytetarët mund ta humbin besimin dhe shpresën që ata të gjejnë punë dhe ta gjejnë ardhmërinë e tyre këtu, por besoj se ne duhet ta tejkalojmë këtë, sepse as që kemi orientim, e as që kemi adresim tjetër të besimit - përpos që duhet ta kemi në Kosovë - në këtë shtet të cilin ne e kemi formuar. Prandaj, edhe ne si qeveri, edhe Presidentja e vendit, edhe institucionet e tjera, edhe qytetarët, duhet të fokusohemi në shtimin e besimit në vetvete, besimin në institucione edhe tejkalimin e problemeve, të cilat i kemi pasur, të cilat ndoshta kanë ndikuar që të humbet besimi.

Z. Kryeministër, me miratimin e buxhetit - një gjë është e paqartë - do të ketë apo nuk do të ketë rritje të pagave? Ndërkohë partneri i koalicionit, Z. Thaçi, thotë se rritja mund të bëhet me një vendim të veçantë?

ISA MUSTAFA: Me këtë buxhet nuk është siguruar hapësira që tani të rriten pagat, që në fillim të vitit. Mirëpo, në qoftë se ne arrijmë t’i rrisim të hyrat buxhetore, atëherë nuk ka problem fare që në ndërkohë, gjatë vitit, të merret një vendim për rritje të pagave, mirëpo ai është vendim i cili do të vlerësohet në qeveri, sepse me vendime të qeverisë edhe deri më tani janë rritur pagat.

… do të thotë që në vitin 2015 mund të ketë rritje pagash?

ISA MUSTAFA: Në vitin 2015 mund të ketë rritje të pagave, mirëpo ne nuk mund të premtojmë tani, në mënyrë që mos të mbesin peng të premtimeve tona. Por, rritje mund të ketë në qoftë se të gjithë ne e bëjmë punën tonë dhe në qoftë se ne e forcojmë buxhetin.

Çfarë masash do të merrni në çështjen e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit?

ISA MUSTAFA: Në rend të parë do të punojmë që të ketë një pavarësi të plotë të institucioneve të drejtësisë, prokurorisë, gjyqësisë dhe policisë, në trajtimin e rasteve me të cilat merret policia. Të mundësojmë që këto institucione të kenë burime të financimit, të cilat do ta siguronin një standard të kësaj fushe që të mundësojë funksionimin e institucioneve të drejtësisë, dhe, po ashtu do të punojmë së bashku me ta që t’i thjeshtësojmë të gjitha procedurat, por edhe organet të cilat merren me rastet - themi edhe të korrupsionit, të krimit të organizuar, në mënyrë që mos të kemi pesë apo gjatë organe që merren me një punë dhe pastaj nuk mund të adresohet përgjegjësia se kush çfarë pune po bënë. Para së gjithash, ne do të punojmë në atë që mos të ketë interferim politik në drejtësi.

Z. Mustafa, u garantoni qytetarëve se do të ketë sundim të ligjit?

ISA MUSTAFA: I garantojmë që do të bëjmë maksimumin që në këtë vend të sigurohet sundimi i ligjit dhe që në këtë vend - në mënyrë të barabartë të trajtohen të gjithë qytetarët - të barabartë para ligjit.

A do të ndryshojë strategjia për bisedime me Beogradin ?

ISA MUSTAFA: Formati do të vazhdojë ai që ka qenë. Do të bisedohet në nivel të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, ose në nivel të dialogut teknik, ose mund të ketë edhe dialog në mes të ministrave të Jashtëm për çështje të veçanta. Por ajo që ne jemi të interesuar të bëjmë tani, është që të rrisim transparencën e dialogut para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që Kuvendi ta ketë të qartë edhe pa filluar temat e caktuara të dialogut se çfarë dialogu do të jetë në Bruksel me Beogradin, dhe po ashtu lidhur me vendimet të cilat merren në Bruksel të njoftohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, sepse me këtë sigurojmë që vendimet që merren atje të jenë të ekzekutueshme dhe të jenë të qëndrueshme për qeveritë e ardhshme të Kosovës.

A dihet tani se për çfarë do të bisedohet me Beogradin?

ISA MUSTAFA: Tani nuk dihet. Tani dihet se diku në fillim të muajit shkurt do të jetë takimi i parë në Bruksel, por ne, sigurisht, nga data 10 e tutje, do të njoftohemi me agjendën e bisedimeve, do t’i bëjmë përgatitjet këtu, do ta rimendojmë, rishohim edhe njëherë se çfarë është biseduar deri më tani në Bruksel dhe do t’i bëjmë ekipet në mënyrë që të kemi përfaqësues që janë kompetentë edhe që janë të përgatitur që të ballafaqohemi me temat të cilat atje do t’i bisedojmë.

…domethënë - agjenda e bisedimeve vjen nga Brukseli?

ISA MUSTAFA: Po, nga Brukseli.

Cili do të jetë plani i qeverisë për integrimin e veriut ?

ISA MUSTAFA: Po, unë mendoj se bisedat të cilat vazhdojnë të mbahen në Bruksel do të shprehin pozitivisht integrimin e veriut të vendit. Tashti ne, si hap të rëndësishëm e kemi edhe përfshirjen e dy ministrave nga veriu në Qeverinë Republikës së Kosovës, te një Zëvendëskryeministri nga Graqanica, dhe vetë fakti që ata janë këtu, pa marrë parasysh që ndonjëherë kemi edhe qëndrime e lajme të ndryshme - se i pranojnë apo nuk i pranojnë ata institucionet, vetë fakti që kanë hyrë në qeveri, janë në parlament, kanë dhënë betimin siç e kanë dhënë të gjithë anëtarët tjerë të qeverisë së Kosovës, flet se ne mund t’i kemi ata si urë lidhëse në mënyrë që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës të veprojnë edhe në veri të vendit.

Privatizimi… a do të ndryshojë mënyra e privatizimit të ndërmarrjeve publike?

ISA MUSTAFA: Te ndërmarrjet publike - ne jemi të interesuar veçmas te Posta, të bëhen investime tjera të cilat do t’ia shtojnë vlerën dhe pastaj në Kuvend të merret vendimi për privatizim, e jo jashtë Kuvendit, dhe që privatizimi i PTK-së të bëhet me një vlerë më të madhe. Mirëpo, këtë proces duhet ta përfshijë dhe vlerësimi i kost-benefitit të privatizimit. Çfarë neve na kushton privatizimi i tillë dhe cilat janë përfitimet e publikut ose përfitimet qytetarëve të Kosovës. Në qoftë se ne vlerësojmë se mbajtja kështu e PTK-së edhe qeverisja koorporative e saj mund të jetë më e dobishme për qytetarët, për atë do të bisedohet në Kuvend dhe Kuvendi do të jetë ai që vendos. Ndërkaq, për Trepçën jemi të orientuar edhe me program qeverisës që të sjellim një vendim të veçantë që do ta rregullonte Trepçën, do ta përcaktonte statusin e ardhshëm të Trepçës si pasuri e veçantë e Republikës së Kosovës dhe mënyrën se si ne do të siguronim burimet e kreditimit përkatësisht të financimit, investimeve të ardhshme në Trepçë.

Si i shihni zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, kam parasysh edhe regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. E mbështesni Rektorin?

ISA MUSTAFA: Ne kemi biseduar këto ditë edhe me Rektorin, së bashku me Ministrin e Arsimit, kemi biseduar edhe me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta. Ne kemi thënë se si Qeveri nuk dëshirojmë të përzihemi, dhe që ne të marrim vendime në emër të Universitetit, sepse Universiteti duhet ta ketë autonominë edhe ta merr përgjegjësinë për këtë proces. Por, për ne do të ishte e dëshirueshme që të gjendet një zgjidhje e cila nuk e cenon cilësinë në Universitet, mirëpo e cila, po ashtu, do të siguronte që fëmijët të kenë mundësinë të regjistrohen dhe të vazhdojnë shkollimin. Unë jam i bindur se një zgjidhje do të bëhet, e cila do të jetë në favor të të dyja palëve. Ministria e Arsimit ka ofruar edhe gatishmëri që të ofrojë kurse plotësuese për të gjithë këta të rinj që vijnë edhe nga familjet e dëshmorëve, nga invalidët dhe veteranë të luftës, që ata të përgatiten që kur të shkojnë në Universitet për t’u regjistruar, t’i plotësojnë të gjitha kriteret që i kërkon Universiteti, një gjë të tillë e ka pranuar edhe Rektorati, mirëpo nuk mund tani të them se çfarë do të jetë vendimi i Rektoratit edhe cila do të jetë gatishmëria e këtyre dy palëve për ta kapërcyer këtë gjendje. Por unë e shoh si zgjidhjen më të mirë që të aftësohen këta të rinj dhe t’u mundësohet atyre që të studiojnë.

A do të respektohet vendimi i ish- Ministrit?

ISA MUSTAFA: Tashti është çështje e Rektoratit se a e respekton apo jo. Ne nuk do të hyjmë aty dhe nuk do të insistojmë se si do të veprojë Rektorati në këtë rast, ne do ta lëmë që kjo çështje të zgjidhet me vendim të Rektoratit. Ne do t’i japim disa rekomandime, sugjerime, por nuk do të marrim vendim në Qeveri.

Koalicioni me PDK-në a do të sjellë Qeveri stabile për vendin?

ISA MUSTAFA: Unë mendoj se po. Do të jetë një koalicion në dobi të qytetarëve. Do të jetë një koalicion, i cili në bazë të konfigurimit të Qeverisë, mundëson që Qeveria të veprojë si ekip edhe të veprojë jo si qeveri përfaqësuese e subjekteve politike, por si qeveri e cila ka për obligim të zbatoj ligjin dhe të punojë për qytetarët e Republikës së Kosovës edhe një qeveri e cila mund të bëjë ndryshime gjatë kësaj periudhe, të cilat nuk do jenë ndryshime revolucionare, por ndryshime demokratike, të bazuara edhe në programin qeverisës edhe në të arriturat të cilat i kemi siguruar gjatë kësaj periudhe.

Z. Kryeministër, a ka probleme brenda LDK-së dhe PDK-së për emërimin e zëvendësministrave?

ISA MUSTAFA: Nuk ka. Nuk kemi filluar akoma me këtë fazë. Natyrisht se pritjet e njerëzve janë që të marrin pozitat e caktuara. Nuk e di si është puna në PDK, por te ne pritje ka, dhe ne kemi biseduar me udhëheqësitë tona të LDK-së edhe me strukturat e tjera. Por, për një gjë jemi përcaktuar - që askush nuk mund të bëhet zëvendësministër nëse ka pasur problem me ligjin, ose potencialisht mund të ketë problem. Nuk mund të bëhet në qoftë se nuk i plotëson kushtet e domosdoshme - të themi profesionale, të ekspertizës, që mundet të bëjë punën dhe nga i cili nuk mund të pritet se do të dal me performanca të mira.

Agjenda juaj jashtë vendit, respektivisht ndonjë ftesë nga ndonjë shtet i BE-së ?

ISA MUSTAFA: Kemi pasur paralajmërime për vizitë në Gjermani dhe presim se që do të marrim ftesë, që të vizitojmë Gjermaninë dhe të bisedojmë kryesisht për probleme zhvillimore, problemet e shtetit ligjor. Kemi edhe paralajmërime edhe nga vendet e tjera evropiane, kemi edhe ftesë të hapur për ta vizituar Shqipërinë. Unë pres pas Vitit të Ri, sepse tani janë pushimet e Krishtlindjes dhe kryesisht përfaqësuesit e vendeve evropiane dhe vendeve tjera nuk janë shumë aktivë gjatë kësaj periudhe. Që në fillim të janarit ne do të kemi një agjendë.

Mesazhi juaj për dëgjuesit e Radio Kosovës për festat e fundvitit?!

ISA MUSTAFA: Tani dëshiroj t’iu uroj suksese gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, dëgjuesve të Radio Kosovës. Kërkoj nga ta që të kemi përkrahje dhe besim, që ne ta bëjmë punën me përgjegjësi të plotë për ta qeverisur këtë vend. Me premtimet se ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të sigurojmë një perspektivë zhvillimore, të sigurojmë pritjet e qytetarëve sa ai përket funksionimit të shtetit ligjor dhe të perspektivës tonë evropiane.

...ndërsa për të rinjtë?

ISA MUSTAFA: Mos të zhgënjehen për shkak të gjendjes së tanishme në Kosovë, që të kenë besim. Të qëndrojnë këtu, se ardhmërinë e kanë në Kosovë, ne pa ta nuk mund ta ndërtojmë ardhmërinë. Ata duhet të jenë pjesë e ndërtimit të ardhmërisë së këtij vendi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat