Berisha: Rama është rrezik kombëtar!

Bota e Yjeve

Berisha: Rama është rrezik kombëtar!

Më: 13 dhjetor 2014 Në ora: 00:48

Në një intervistë të gjatë dhënë për ABC News, ish-kryeministri Sali Berisha iu është përgjigjur hollsisht pyetjeve për gjithë trajektoren e udhëtimit të tij në politikë, me të mirat dhe të këqijat e këtij përshkrimi, po ashtu surprizat, kënaqësitë dhe pendesat. Një intervistë e sinqertë, e mbushur me të papritura, befasuese që nis me Levizjen e Dhjetorit, krijimin e PD-së, bashkëpunëtorët e tij, konfliktet, dhe ecurinë e kësaj partie pas 2o e ca vitesh krijimi, pa Berishën më në krye. Nga intervista e gjatë ne kemi shkëptur një pjesë të saj, që fokusohet tek jeta parlamentare e sotshme, dhe mbi të gjitha, çfarë strategjie mendon ish-lideri absolut i Partisë Demokratike, Sali Berisha që kryetari aktual i saj ta sjellë edhe njëherë tjetër PD-në në pushtet.

Pyetje: Njerëzit shpesh herë e shohin politikën nga ekranet, nuk I njohin konjukturat politike, nuk e njohin politikën që bëhet pas dyerve dhe ajo që në fund të një debati apo kronike televizive thonë se pse është kaq e ashpër gjuha politike, pse është me një gjuhë që shpesh herë na bën të ndjehemi jo mirë. Është ky standarti ynë, është standarti që ne kërkojmë vërtetë apo duhet të ndryshojmë diçka?

Berisha: Ajo që thoni ju, ajo është thjesht aparenca. Aparenca e një realiteti që nuk ekziston në asnjë mënyrë. Nuk ka vend tjetër që të ketë futur në Parlament vrasës, trafikant, dhe unë po e them haptaz këtu se nuk ka gjë më të papranueshme. Nuk ka vend tjetër, në të cilin, siç ndodh këtu, të inkurajohet korrupsioni. Për çfarë është opozita? Opozita është për të bërë kontrollin e qeverisë dhe për të denoncuar aktet. Por çfarë mund të flitet për korrupsion kur Kryeministri deklaron para Forumit, me të gjithë trupin diplomatik ku OSBE po i dorëzonte strategjinë, se po ndërton shtetin, pra “vidhni ju o zyrtarë deri sa unë të ndërtojë shtetin, sepse korrupsioni është çështje personash se po të na vijnë 50 gjermanë edhe ata do bëhen si ne”, në fakt mori shembull më të pastërtit se pot ë thoshte 50 italianë natyrisht do zbriste pak më afër nesh. Pra, realiteti, jo gjuha, është absolutisht i neveritshëm, e them me keqardhjen më të madhe këtë. Po pse u dashka rekrutuar për deputet njërëz që s’kanë qënjë një ditë të vetme në partinë tënde dhe kur vjen puna për t’i mbrojtur u nxjerr Paulinin. Po Paulini të paktën ka qenë kolonel policie, dhe nuk di të jetë i implikuar në vrasje, dhe për të mbrojtur të tjerët thotë se Paulini u nxjerr patenta qytetareve, pra ndihmon elektoratin. Po pse biseda janë këto? Pra është krijuar një realitet kupole biznesi në PS. Nëse ju kujtohet një ambasador që ka patur shumë miqësi me Ramën, Uidhers, në Uikiliks del se i thotë qeverisë së tij se këta s’janë parti, këta janë si sipërmarrje ku ky (Rama) i plotëson të gjithë krerët e PS me leje ndërtimi, me kantiere ndërtimi etj. Pra ky është realiteti i hidhur. Nga të gjitha këto pastaj buron terminologjia, buron fjalori. Është e vështirë, çfarëdo që ti thuash ky është realiteti.

Pyetje: Mendoni se PD mund të vijë në pushtet pas 4 vitesh si një alternativë vërtet e mirë dhe jo sepse lodhen nga Rama për ti dhënë votën.

Berisha: Shumë pyetje interesante. Tani, çfarë ishte protesta e 22 nëntorit?! E para ishte dështim i Edi Ramës në strategjinë e frikës, njeriu që mendon se nëpërmjet burgjeve, hekurave dhe frikës do t’i nënshtrojë shqiptarët mori përgjigjen e merituar. E dyta, kjo masë e paparë njerëzish që nga viti 91 u drejtua drejt Partisë Demokratike. Nëse shkojmë dhe shohim rastin e Sllovenisë aty qeveris një parti, kryetari, kryeministri i të cilës e ka krijuar 5 muaj para zgjedhjeve. Pra, zgjedhësit ia kthyen plotësisht besimin asaj force politike që 1 vit më parë nuk ia patën dhënë në atë shkallë. Pse ia kthyen? Ia kthyen për shkak të proceseve që ajo ndoqi dhe avokatisë që ajo iu bëri qytetarëve. Nuk shtrohet problem këtu se këta (qytetarët) janë të pakënaqur dhe …. Këta po të jenë të pakënaqur s’vijnë me PD nëse duan, s’lëvis kush nga kafeneja pot ë duan, por gufuan nga toka dhe ku ishin e ku nuk ishin dhe mbushën sheshet në besim të madh ndaj PD. PD, sigurisht pas 4 vitesh do vijë në pushtet por unë uroj që të vijë edhe më shpejt. Dhe nuk e përjashtoj këtë, e them me sinqeritet. Ky është “scandal based government, kjo është qeveri e bazuar në skandale dhe e bukura është se ky nuk ka as koncepte skandali. Se ky i thotë ministrave të tij se po bënë skandale do i heqi ndërkohë që Ministri i tij i jep të gjitha tenderat vëllait të vet. Po a mund të ketë skandal më të madh se ky? Ministri të ndajë paratë e ministrisë me të vëllanë, apo ministrja apo tjetri e tjetri me rradhë? Për të nuk janë skandale këto sepse mëkëmbësi i Ramës, Ergysi, është i fotografuar që shkon me makinë pa targa duke prerë gjoba me Inspektoriatin e Ndërtimit e duke dhënë urdhëra për të çuar fadromat. Fillimisht ishte Rama që e bëri këtë që shkonte me fadromë përpara dhe i vinte gishtin ndërtesës, pas Ramës doli ky. Dhe çfarë thonë inspektoriatet për të? Mëkëmbësi i Jakomonit e quajnë, se atij (Ramës)i pëlqen duçeizmi.

Pyetje: Mendoni se këto do t’i shkurtojnë kohën qeverisë Rama dhe se mund të ketë zgjedhje të parakohshme?

Berisha: Absolutisht po. Rama është rrezik kombëtar. Edi Rama është në mënyrë absolute rrezik kombëtar çdo ditë, çdo javë, çdo muaj që qeveris. Më vjen keq që e them këtë, dhe e them këtë një një kohë kur një vit më parë unë, në një bisedë me kryetarin actual të PD, i kam thënë se detyra jonë është të bëjmë opozitë konstruktive , se kemi përcaktimet kushtetuese, kemi të gjitha që ne i nderojmë dhe i respektojmë, por Edi Rama përbën rrezik të vërtëtë kombëtar dhe shqiptar.

Mirela Milori: Zoti Berisha ju falenderoj për intervistën.

Berisha: Edhe unë ju falenderoj dhe ju uroj gëzuar Krishtlindjen edhe Vitin e Ri se po afrojnë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat