Lunacek: Hetimi të bëhet nga një mekanizëm jashtë EULEX-it

Bota e Yjeve

Lunacek: Hetimi të bëhet nga një mekanizëm jashtë EULEX-it

Më: 4 nëntor 2014 Në ora: 14:35

Eurodeputetja Ulrike Lunacek, duke komentuar “akuzat” rreth përfshirjes së misionit të EULEX në Kosovë, në afera korruptive, ka vlerësuar se gjithmonë mund të ketë njerëz që janë të korruptueshëm dhe që në momente të caktuara pretendojnë të bëjnë para, andaj duhet sistem i mirëfilltë i sundimit të ligjit që ta luftonte këtë dukuri.

Lexojeni të plotë intervistën e Lunacek për Radio Dukagjinin:

Zonja Lunacek, ka dyshime se misioni më i madh i BE-së, EULEX është përfshirë në korrupsion. Ky mision është në Kosovë për të luftuar korrupsionin. Si e shihni këtë çështje?

Ulrike Lunacek: Nëse këto dyshime vërtetohen, atëherë kjo është një goditje e madhe për atë që ne si BE e duam në Kosovë e që është ta ndihmojmë Kosovën në ndërtimin e strukturave dhe institucioneve gjyqësore të mirëfillta, të afta për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Duhet ta dimë se korrupsioni nuk ndodh vetëm në Kosovë dhe në asnjë vend të vetëm të izoluar.

Korrupsioni është fenomen që ndodh edhe brenda vet shteteve anëtare të BE-së, andaj duhet që patjetër secili shtet ta zhvilloj sistemin i cili do ta luftonte këtë fenomen sa herë që ndodh.

Gjithmonë mund të ketë njerëz që janë të korruptueshëm dhe që në momente të caktuara pretendojnë të bëjnë para, andaj duhet sistem i mirëfilltë i sundimit të ligjit që ta luftonte këtë dukuri.

Nëse kjo ka ndodhur në EULEX, është shumë e vështirë për ne që ta pranojmë por, duhet të përballemi me këtë dhe kjo është arsyeja se pse unë kam kërkuar një hetim të jashtëm.

Hetimi duhet të jetë i thellë, i plotë dhe duhet të bëhet nga një mekanizëm që është jashtë EULEX-it.

Duhet ta dimë se e gjitha kjo do të vihet në funksion kur vërtetohet se ka diçka të vërtetë në këto akuza, gjë që ende nuk dihet. Por një hetim transparent është i domosdoshëm dhe atë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

A jeni e shqetësuar për kredibilitetin e EULEX-it tash e tutje?

Ulrike Lunacek: Natyrisht, unë e kam thënë edhe më herët se misioni është shumë i rëndësishëm dhe kjo është arsyeja pse vazhdimisht e kam mbrojtur dhe njëkohësisht kam kërkuar që në disa fusha, ku në të kaluarën misioni ka treguar dobësi, të ketë përparim.

Një gjë që duhet të ndryshoj, për shembull është fakti që shumë shtete anëtare refuzojnë që të dërgojnë gjykatës dhe prokuror shumë të kualifikuar.

Natyrisht se jam e shqetësuar për kredibilitetin e këtij misioni andaj kam kërkuar që hetimi të jetë i shpejtë.

Duhet që t’i përmirësojmë këto dobësi të EULEX-it në mënyrë që misioni të mos dështoj dhe të mos e realizojmë qëllimin e disa njerëzve brenda dhe jashtë Kosovës të cilët nuk duan që Kosova të ketë sundim të ligjit.

Ka njerëz që nuk i duan të korruptuarit para prokurorëve dhe gjykatave, kjo është lufta ime andaj jam e shqetësuar për kredibilitetin e EULEX-it, por ju them të gjithëve që duan dështimin e EULEX-it, se ky mision dhe shumë njerëz të mirë që punojnë në të kanë arritur shumë, kanë zgjidhur shumë çështje.

Kanë hetuar, i kanë gjykuar madje ka edhe njerëz që janë në burg, saktësisht për vepra korruptive. Nuk dua që EULEX-i të dështoj, por edhe duhet të jetë kredibil. Kjo për momentin është në rrezik dhe për këtë më vjen shumë keq.

a do të ketë ndikim kjo çështje në agjendën evropiane të Kosovës?

Ulrike Lunacek: Natyrisht se po përgatitet raporti i radhës për Kosovën dhe kjo çështje do të jetë pjesë e tij. Unë i mbështes njerëzit brenda EULEX-it të cilët po e bëjnë mirë punën e tyre me qëllim që ky mision të jetë i suksesshëm për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Siç është rasti me disa organizata të shoqërisë civile të cilat e kërkuan këtë gjë.

Ne si europarlamentarë do ta shohim nga afër këtë çështje dhe do të kërkojmë që të ketë hetim nga një mekanizëm i pavarur.

Por si të ju thuhet kosovarëve se EULEX-i erdhi në Kosovë për ta luftuar korrupsionin dhe dyshohet se vet është korruptuar?

Ulrike Lunacek: Duhet ta kemi parasysh që shumica e njerëzve në EULEX janë profesionist të mirë dhe aspak të korruptueshëm. Nuk duhet që dështimi eventual i disa individëve ta dëmtoj gjithë misionin.

Ky është mesazhi im për kosovarët, duhet ta dinë se misioni ka pasur edhe suksese në luftimin e korrupsionit apo krimeve të tjera.

Në të gjitha strukturat ose mekanizmat mund të gjenden njerëz të cilët tundohen nga ryshfeti, kjo pos që është jo morale është edhe vepër kriminale. Dhe të gjithë ata që kryejnë vepra kriminale duhet të hetohen dhe të sillen para drejtësisë dhe pastaj të ndëshkohen për veprën e bërë.

Ajo çfarë duhet të ju them kosovarëve është që të mos e humbasin besimin në pjesën e mirë të këtij misioni. Nëse e shihni nga afër ata kanë bërë shumë. Duhet të bashkëpunojmë në mënyrë që të kuptojmë nëse këto dyshime janë të vërteta. Në çdo mekanizëm sa herë që ka akuza të tilla, dyshime të tilla duhet që urgjentisht të hetohen në mënyrë që të vërtetohet nëse ato janë të qëndrueshme.

Nëse këto akuza vërtetohen, të dyshuarit duhet të sillen para gjykatës në bazë të ligjeve të Kosovës .

A e shihni korrupsionin si një virus që EULEX-it i është “ngjitur” nga kosovarët?

Korrupsioni ekziston në Kosovë ashtu siç ekziston edhe në vendet e tjera. Nuk është Kosova dhe asnjë vend tjetër në botë, vendi i vetëm që ka korrupsion.

Në çdo shoqëri ekzistojnë njerëz që tundohen nga korrupsioni dhe ryshfeti dhe nuk është problem që ekzistojnë njerëz të tillë sepse kjo nuk mund të mohohet. Problem është nëse nuk e ke një sistem të drejtësisë që nuk i zbulon këto raste, krijon prova për këto raste dhe i sjell këta njerëz para gjykatës.

Institucionet duhet të jenë të gatshme që ta luftojnë këtë dukuri.

Zonja Lunacek, jemi në një krizë të thellë institucionale…

Nuk do ta komentoj këtë çështje.

Nuk po komentoni sepse nuk dëshironi të ndërhyni në çështjet tona të brendshme?

Kjo është një çështje e cila duhet të zgjidhet nga vet kosovarët dhe ka mjaft mënyra për ta bërë këtë. Duhet te bëhet sa me shpejt dhe sipas ligjeve. Mund edhe të ndryshohen ligjet por duhet të ketë një shumicë dhe një procedurë. E di që duhet të bëhet shpejt dhe pres që ta bëjnë kosovarët pa u komentuar nga ne.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat