Kurti: Serbët më ndihmuan kur më prenë flokët në burg

Bota e Yjeve

Kurti: Serbët më ndihmuan kur më prenë flokët në burg

Më: 8 tetor 2014 Në ora: 12:24

Unë jam fëmijë i viteve të '80-ta, pra jo i internetit e Red Bullit por i televizorit dhe Coca-Colës, jo fëmijë i downlodimit ilegal përmes Torrent-ave, por i kasetave VHS.

Në vitet '80-të, përveç leximeve edhe të detyrueshme nga shkolla edhe të dëshirueshme për mua, muzika dhe filmat që i kam dëgjuar e shikuar kanë qenë me një shije artistike jo fort të zakonshme për moshën time. Nuk kam qenë i përshtatur me rrethin dhe gjithnjë kam besuar se ka diçka tjetër më të mirë sesa ai realitet që kishim. Për shembull, ndonëse Madonna ka qenë tejet e famshme dhe e preferuar në atë kohë, unë e kam dëgjuar Kate Bush. Dhe, jo dikë si Bon Jovi por Depeche Mode.

Në fund të viteve '80-ta e në fillim të '90-tave, ka pasur një dyzim interesant. Kanë qenë ata që kanë pëlqyer The Beatles dhe ata që kanë pëlqyer Rolling Stones. Ose, ishte e rëndësishme a ke qenë me Deep Purple apo me Led Zeppelin. Mua më kanë pëlqyer më shumë The Beatles e Led Zeppelin sesa Rolling Stones e Deep Purple.

Ca më vonë ka pasur një ndarje të re, me Nirvanën apo me Pearl Jam, dhe unë kam qenë me këta të fundit. Kjo ka qenë periudha “grunge”, për të cilën s'kam më simpati e nostalgji. Pra, asokohe ka qenë shumë e rëndësishme me kënd je. Shijet të poziciononin. Tamam ashtu qysh thotë sociologu i njohur francez Pierre Bourdieu: klasifikimi i klasifikon klasifikuesit.

Në vitin '97 unë nuk kam qenë më grunge dhe mendoja t'i pres flokët. Por, protestat më 1 tetor më zunë me flokë të gjatë ashtu kot. Pra, pyetja e vërtetë në këtë rast do të duhej të ishte “pse nuk i ke prerë flokët e jo pse i mbaje të gjata”.

Gjatë kohës së protestave të studentëve unë isha shumë lehtë i identifikueshëm nga policia për shkak të flokëve të gjata, dhe njerëzit më sugjeronin t’i pres flokët. Por, prerja e flokëve pasi veç ato u bënë shenja dalluese e imja, më dukej si shfaqje e frikës dhe e dorëzimit. Ndonëse flokët e gjatë disi funksionojnë si fshehje e fytyrës, flokët e gjatë në atë kohë ishin bërë fytyra ime dhe unë nuk mund ta fshihja atë.

Flokët m’i kanë prerë të nesërmen pasi më kanë arrestuar në vitin 1999, më 28 prill. Kjo datë ka qenë përvjetori i 25-të i martesës së prindërve të mi. Në burg m’i prenë flokët duke menduar se përveç dhembjeve fizike që m’i kishin shkaktuar me të rrahura, po ma shkaktonin edhe një dhimbje të re shpirtërore. Në fakt, me prerjen e flokëve ata veç më shpëtuan ngase në burg flokët e gjatë janë armiku i brendshëm i njeriut për shkak të problemeve me higjienë.

Gjyshja ime me thoshte “ta marrshin të keqen”. Kjo edhe ka ndodhur.

Nëse nuk i dëgjon më as Led Zeppelin, as Depeche Mode, as Pearl Jam, çfarë dëgjon atëherë?

Nuk kam ndonjë autor ose zhanër të preferuar më. Shijet e mija artistike, për dallim prej bindjeve të mija politike, kanë ndryshuar vazhdimisht.

Sot interesohem të dëgjoj diçka aktuale, diçka që prodhohet e krijohet tash dhe ka njëfarë vlere artistike, përkundër ambientit edhe të egër edhe sipërfaqësor. Për shembull, dëgjoj një këngëtare të re, Sharon van Etten, dhe nja dy bende rock, Wild Beasts dhe Arcade Fire. Përndryshe, dëgjoj shumëçka, prej Ravellit e deri tek Bill Evans.

Kohë të lirë gati që s'kam por nuk rri kot asnjëherë dhe arrij të lexoj filozofi e letërsi. Por, nëse dikush mundohet ta kuptoj aktualitetin tim përmes asaj që lexoj a dëgjoj, them që aktualiteti im nuk është ndonjë udhërrëfyes për karakterin tim./Intervista e Albin Kurtit për revistën “Sheshi” nga Gjilani/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat