Rexhep Qosja flet dhe për dasmën e ministrit Veliaj: E zhvlerësoi veten me të

Bota e Yjeve

Rexhep Qosja flet dhe për dasmën e ministrit Veliaj: E zhvlerësoi veten me të

Më: 8 tetor 2014 Në ora: 10:14

Në vazhdimin e intervistës së gjatë për “Gazetën Shqiptare”, akademiku kosovar është pyetur dhe ndalur tek ceremonia e dasmës së ministrit. Ja mendimi i tij...
Me rastin e martesës së ministrit u teprua, në të vërtetë u tejteprua shumë edhe me njërën e lëre më me të dy dasmat! Çka do dasma në një objekt kulturo-historik? Për propagandimin e vlerave kulturore historike shqiptare? Demagogji banale. Ky në të vërtetë ishte shfrytëzim skandaloz i një objekti me rëndësi të madhe kulturore historike për teket e një çifti!" Kështu i përgjigjet akademiku Rexhep Qosja, pyetjes se si i pa ai dy dasmat e ministrit i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Ndërsa shpreh zhgënjimin për "djaloshin që e dëgjoja dhe e shikoja me simpati", profesori vë në dukje se "ministri i të varfëve, u zhvlerësua jo vetëm politikisht me atë dasmë". Më herët, akademiku shprehet se ministrat ndërrohen jo vetëm kur bëjnë skandale, por edhe kur nuk dëshmojnë aftësitë e duhura për të kryer detyrën e marrë përsipër.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk do ta ndryshojë qeverinë përpos në rast skandalesh. A duhet të jetë performanca e ministrave arsye për ndërrimin e tyre?

Siç e tregojnë praktikat e vendeve demokratike evropiane, ministrat ndërrohen jo vetëm kur bëjnë skandale, por edhe kur bëjnë gabime në punë, edhe kur nuk dëshmojnë aftësi të duhura për të kryer si duhet e kur duhet detyrat që u janë besuar. Skandalet janë veprime ekstreme që dëshmojnë se një kryeministër ka përzgjedhur anëtarë të kabinetit të tij pa kritere të nevojshme, të duhura.

Një prej ministrave të qeverisë "Rama", Erion Veliaj, u martua dhe bëri dy dasma. Ka pasur shumë komente për ceremonitë, ashtu sikundër edhe akuza. Në gjykimin tuaj, u "teprua" me dy dasma?

Nuk kam pasur rast të lexoj në shkrimet etnografike në gjuhën shqipe se shqiptarët bëjnë dy dasma për martesën e djalit. Sipas mendjes sime, me rastin e martesës së ministrit në fjalë u teprua, në të vërtetë u tejteprua shumë edhe me njërën e lëre më me të dy dasmat! Çka do dasma në një objekt kulturo-historik? Për propagandimin e vlerave kulturore historike shqiptare? Demagogji banale. Ky në të vërtetë ishte shfrytëzim skandaloz i një objekti me rëndësi të madhe kulturore historike për teket e një çifti! Erion Veliaj, ministër i të varfëve, u zhvlerësua jo vetëm politikisht me atë dasmë. Paraqitjet publike të atij djaloshi i dëgjoja dhe i shikoja me simpati. Por, jo më. Ai nuk mund të jetë më figurë e nderuar publike në shoqërinë shqiptare me aq shumë qytetarë që në skamje të skajshme jetojnë.

Aktualisht mazhoranca në Shqipëri ka aq shumë numra në Parlament sa mund të miratojë çdo lloj ligji pa konsensusin e opozitës. A mund të lexohet ky si një përjashtim i opozitës?
Është e nevojshme, është në dobinë e vendit, është kulturore që opozita të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e Kuvendit. Dhe, opozitat konstruktive këtë e bëjnë gjithnjë. Por, kur opozita nuk do të marrë pjesë në mbledhje të Kuvendit, Kuvendi edhe pa të, natyrisht në qoftë se ka kuorumin, duhet të punojë. Në rast të këtillë nuk mund të thuhet se shumica e ka përjashtuar pakicën; në rast të këtillë pakica në Kuvend e ka përjashtuar veten.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat