Blomeyer: Parlamenti ta miratojë themelimin e gjykatës dhe vazhdimin e EULEX-it

Bota e Yjeve

Blomeyer: Parlamenti ta miratojë themelimin e gjykatës dhe vazhdimin e EULEX-it

Më: 8 prill 2014 Në ora: 13:09

Në një intervistë speciale për RTK, ambasadori gjerman në Kosovë Peter Blomeyer, ka folur për krijimin e një gjykate për Kosovën, reformën zgjedhore, spektrin politik në vend, EULEX-in etj, bisedimet, korrupsionin, bashkëpunimin në fushën e kulturës Kosovë-Gjermani etj.

RTK: Kosova është duke hyrë në një fazë dinamike dhe interesante politike. Zyrtarisht, periudha parazgjedhore ende s’ka filluar por duket që partitë politike janë në terren dhe janë shumë aktive. E akuzojë njëra-tjetrën për vendimet për dhe kundër. A mendoni që partitë politike duhet të vendosin për datën e zgjedhjeve?

Peter Blomeyer: Zgjedhjet e rregullta do të duhej të mbaheshin në dhjetor, andaj nëse do të kemi zgjedhje para kësaj date atëherë Kuvendi duhet të shpërndahet. Kjo mund të bëhet nga vetë Kuvendi me 2/3 e votave të shumicës ose me mocionin e mosbesimit për çka nevojitet vetëm shumica e thjeshtë. Kushdo që synon ta shpërndajë kuvendin para datës së rregullt zgjedhore, duhet të ketë parasysh se çfarë punë duhet akoma të kryhen brenda kuvendit. Mendoj që kjo ka rëndësi për ne, Gjermaninë, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi.
Çështja së cilës i referohem është zgjatja e mandatit të EULEX-it dhe krijimi i tribunalit i cili do të merrej me pretendimet e Task Forcës Speciale hetuese. Andaj mendoj që para se të kryhet kjo detyrë shtëpie, të themi ashtu, shpërndarja e Kuvendit nuk duhet të ndodhë. Si komunitet ndërkombëtar gjithashtu kemi kërkuar tashmë një kohë të gjatë që të kemi një reformë zgjedhore. Për këtë besoj që tash është shumë vonë, në këtë periudhë të legjislaturës. Komisioni i Venedikut, siç e dini, rekomandon një hapësirë kohore prej së paku 6 deri në 12 muaj mes një reforme zgjedhore dhe vet zgjedhjeve. Andaj mendoj që kjo duhet të shtyhet deri në periudhën e ardhshme legjislative. Kjo natyrisht është njëfarë zhgënjimi për ne ngase e kemi kërkuar këtë gjatë tërë periudhës zgjedhore, por mendoj që megjithatë mund të kemi zgjedhje të lira, transparente dhe të drejta edhe me sistemin e vjetër nëse të gjithë faktorët politik angazhohen për këtë, dhe mendoj që zgjedhjet lokale në nëntor kanë dëshmuar që kjo është e mundur.

RTK: Reforma zgjedhore, siç e përmendët, zgjati një kohë mjaft të gjatë për partitë politike.
Kohën e fundit ata kanë bërë diçka dhe ia kanë dorëzuar kuvendit që të merret me këtë. Ka reagime që thonë se nuk është reformë e duhur dhe siç thatë ju, nuk ka kohë tash të merren
me atë dhe është bërë me nxitimi, mu para zgjedhjeve. Edhe pse kanë pasur mjaft kohë.
A mendoni që kjo është e mundur dhe si i shihni zgjedhjet e ardhme pa reformë?

Peter Blomeyer: Mendoj që të gjithë ekspertët politikë këshillojnë të mos nxitohet me reformën zgjedhore. Mendoj që çfarëdo që duhet të bëhet tash, në periudhën e ardhshme të legjislaturës duhet të bëhet një reformë e plotë. Pra, nëse ka ndryshime tash, ato mund të jenë vetëm të natyrës teknike dhe do të duhej t’i shmangeshin çdo gjëje, që do të përjashtonin apo ndryshonin spektrin e votimit në këtë vend. Kjo ka rëndësi parësore. Në fakt, mendoj që nuk do të ishte e dëmshme nëse do të shtyhej e tëra deri pas zgjedhjeve.

RTK: E përmendët që partitë politike tash kanë shumë aktivitete të cilat shihen si fazë parazgjedhore. Si e shihni spektrin politik në Kosovë. A ju duken të përgatitur që t’i përmbushin pritjet e popullatës së Kosovës?

Peter Blomeyer: Mendoj që tashmë kanë filluar disa ethes parazgjedhore. Kjo shihet gjithandej. Andaj mendoj që duhet përqendruar në çështjet të cilat akoma duhet të përmbushen brenda kësaj periudhe. Duhet përqendruar në këtë dhe pastaj faktorët politik duhet të gjejnë mënyrë se si ta caktojnë datën për zgjedhjet e ardhshme. Kjo varet nga ata por gjithnjë duhet pasur parasysh çështjet urgjente, si zgjatja e mandatit të EULEX-it dhe të themelimit të Task Forcës speciale të hetimeve dhe të disa subjekteve të tjera, duhet të bëhen.

RTK: Meqë e përmendët EULEX-in, si e shihni të ardhmen e tij?

Peter Blomeyer: Mendoj që shumë njerëz të këtij vendi kanë kuptuar që EULEX-i e shton vlerën e sistemit këtu dhe perceptimi i EULEX-it besoj, ka ndryshuar. Ky vend ka nevojë për EULEX-in. Është ky kontribut i Bashkimit Evropian në zhvillimin e sundimit të ligjit në këtë vend që çmohet shumë dhe mendoj se kur EULEX-i të largohet nga ky vend, atëherë brenda sundimit të ligjit, masa kritike e ndërtimit të institucioneve duhet të arrihet, ashtu që sistemi të mund të punojë dhe funksionojë më vete. Akoma s’e kemi arritur këtë pikë dhe EULEX-i duhet të vazhdojë të qëndrojë në këtë vend. Duhet t’i japë gjithnjë e më shumë kompetenca institucioneve të Kosovës sipas ndërtimit të kapaciteteve brenda institucioneve kosovare
dhe ngadalë kompetencat mund të kalojnë te kosovarët.
Por duhet që së paku t’i zgjidhin çështjet të cilat janë ende mbi tavolinë dhe ka edhe shumë punë për t’u bërë nga aspekti i monitorimit dhe këshillimit. Besoj që është në interes të Kosovës të përfitohet nga ky institucion sepse gjithashtu do t’i ndihmojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj drejt Evropës. Prandaj mendoj që EULEX-i duhet të qëndrojë këtu dhe t’ia përshtatë punën kapaciteteve kosovare.

RTK: Të bisedojmë pak se si mund të duket Kuvendi në të ardhmen, në mandatin tjetër. Sipas planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës, tash e tutje nuk duhet të ketë vende të rezervuara për komunitetet, ndërsa nga ana tjetër i kemi subjektet politike serbe të cilat këmbëngulin në vendet e rezervuara për edhe së paku 4 vjet?.

Peter Blomeyer: Këshilla jonë ishte të zgjatej periudha për vendet e rezervuara për së paku
një periudhë legjislative sepse është e vërtetë që plani i Ahtisarit qe planifikuar vetëm për dy periudha të cilat kanë përfunduar tash, por duhet që gjithashtu të marrim parasysh situatën politike. Tash jemi në një situatë ku dëshirojmë ta integrojmë veriun dhe nuk është dhuratë e mirëseardhur për njerëzit të cilët vinë tash dhe duan të integrohen në këtë vend që të fillohet me skadimin e kësaj rregulloreje edhe nëse është kushtetuare. Prandaj këshilla jonë, e komunitetit ndërkombëtar, ishte të zgjatej kjo së paku edhe për një mandat por është e vështirë të pranohet nga disa parti të mëdha politike në Kosovë.
RTK: Është edhe kundër kushtetutës...

Peter Blomeyer: Nuk mendoj që kushtetuta do të shkelej nëse kjo shtyhet edhe për një periudhë, me 2/3 e shumicës.
RTK: Sa të sigurt mund të jemi që komuniteti, të themi serbët në veri, mund të integrohen nëse u japim subjekteve serbe, partive politike, vende të rezervuar për edhe 4 vjet. Kjo s’ka ndodhur në të kaluarën. Tash i kemi zgjedhjet e fundit lokale dhe i kemi qeveritë e reja lokale në veri duket të kenë vështirësi të integrohen në institucionet kosovare?
Peter Blomeyer: Duhet të pranojmë që komunave në veri në këto 14-15 vitet e fundit u është thënë se ato i përkasin Serbisë, që nuk do të hiqej dorë nga ato dhe tash më në fund e kuptuan që duhet të integrohen në Kosovë, dhe natyrisht ky është një proces i vështirë
nëpër të cilin po kalojnë. Është një proces që ndikon në secilin person në veri. Vetëm duhet dhënë kohë atyre. Mendoj që ata duhet të dinë se do të jenë pjesë e Kosovës tash përfundimisht.
Por, institucionet ne Prishtinë gjithashtu duhet t’ia zgjatë dorën në krijimin e besimit dhe t’i mirëpret dhe t’i qetësojë. Për këtë qëllim unë do ta mirëprisja zgjatjen e vendeve të rezervuara vetëm edhe për një mandat që ata ta shohin se janë të mirëseardhur në këtë vend.
RTK: Ka shumë debate për tribunalin i cili duhej të merrej me rastet e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë. A mendoni që Kosova ka nevojë për një gjykatë tjetër që të merret me këtë çështje?

Peter Blomeyer: BE-ja dhe Kosova janë duke i negociuar detajet për krijimin e kësaj gjykate
dhe mendoj që janë shumë afër gjetjes së zgjidhjes. Është diskutuar nëse kjo gjykatë do ta njolloste ose jo reputacionin e Kosovës dhe të UÇK-së. Mendoj që pikërisht kundërshtimi i themelimit të gjykatës do ta damkoste reputacionin e UÇK-së dhe Kosovës, sepse njerëzit do të fillonin të thoshin :”Ata po fshehin diçka.”. “Pse nuk duan ta kenë këtë gjykatë?”. Mendoj që një Kosovë që ka vetëbesim do të pajtohej me themelimin e gjykatës ngase gjithashtu do të kontribuonte në justifikimin e Kosovës. Sa herë që të ndodhë një krim, ai duhet të hetohet dhe drejtësia duhet të ngadhënjejë. Shtrohet pyetja: A nuk mund të ndodhë kjo brenda sistemit gjyqësor të Kosovës? Duhet ta kuptojmë që dëshmitarët nuk i besojnë mjaftueshëm sistemit të drejtësisë në Kosovës që të mund t’i bindim ata që të dëshmojnë këtu. Prandaj besojmë që është e nevojshme të themelohet një gjykatë e re për krimet të cilat Task Forca është duke i
zhvilluar dhe pastaj drejtësia do ta thotë fjalën e saj.

RTK: Ka diskutime dhe ide që nëse kjo gjykatë duhet të themelohet jashtë Kosovës shkaku
i sigurisë së dëshmitarëve, atëherë pse dëshmitarët nuk mund të shkojnë dhe të dëshmojnë nga jashtë. Këto raste kanë ndodhur në gjyqësi?.

Peter Blomeyer: Disa nga këto çështje janë duke u diskutuar mes BE-së dhe Kosovës dhe mendoj që duhet të presim përfundimin e negociatave dhe ta shohim zgjidhjen. Unë vetëm mund të them çka është e nevojshme që ta themelojmë këtë gjykatë gjithashtu për të treguar gatishmërinë e Kosovës që të përgjigjet me krenari dhe vetëbesim në këto pretendime. Të mos i frikohen këtyre hetimeve dhe pastaj gjykata të merret me ato dhe nëse njerëzit e kyçur në këtë çështje, më shumë se ne dy, besojnë që është e nevojshme që kjo gjykatë apo një pjesë e kësaj gjykate të jetë jashtë vendit mendoj që duhet t’u besojmë ngase fundja nuk varet nga lokacioni i gjykatës por çdo gjë varet nga procedura e mirë e cila ua mundëson dëshmitarëve të dëshmojnë dhe të kryhet procedura pa asnjë presion jashtë gjyqësisë.

RTK: Por, gjykime të çështjeve të këtilla kanë ndodhur në të kaluarën në Gjykatën e Hagës
dhe akoma ka raste që ndodhin brenda sistemit kosovar?

Peter Blomeyer: Duhet ta kemi këtë gjykatë të re që të merret vetëm me pretendimet të cilat Task Forca speciale e hetimeve i ka ngritur dhe mendoj që Kosova është këshilluar për hir të reputacionit të saj të mirë, të jetë e gatshme ta themelojë këtë gjykatë. Duhet të pranojmë që
besimi ndaj sistemit këtu është ngritur, por jo deri në atë masë ku mund ta trajtojmë këtë çështje brenda sistemit përkundër gjithë punës së mirë që EULEX-i është duke e bërë këtu.
Pra, mendoj që kjo duhet të pranohet dhe nuk mendoj që reputacioni i Kosovës do të dëmtohej nga kjo gjykatë. Do të dëmtohej nëse nuk do të themelohej gjykata.

RTK: Të flasim për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa marrëveshje janë arritur, disa përballen me vështirësi për t’u përmbushur. Cili është këndvështrimi juaj ndaj dialogut tash?

Peter Blomeyer: Mendoj që dialogu në interesin më të lartë kombëtar të Kosovës. Dialogu është njëri nga kushtet që Kosova të shkojë në Evropë. BE-ja bazohet në idenë që pas luftërave të pafund të popujve të Evropës ato të pajtohen dhe të bëhen partnerë dhe ndoshta në fund edhe miq. Çdo vend që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet të angazhohet për pajtim dhe bashkëpunim.Kjo gjithashtu kërkohet nga Serbia si dhe nga Kosova. Që të dyja janë përcaktuar për këtë dhe duhet të bisedojnë me njëra-tjetrën. Për kosovarët ekziston edhe një arsye tjetër. Dialogu është shumë i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.
Kosova ka përfituar nga dialogu, me rritjen e numrit të njohjeve dhe ata që së s’e kanë njohur akoma, brenda dhe jashtë BE-së, po i përcjellin nga afër veprimet e Kosovës. Dhe nëse Kosova ndërmerr qasje konstruktive ndaj dialogut me Serbinë mendoj që kjo është mënyra më e mirë për t’i bindur vendet që s’e kanë njohurKosovën që ta ndërrojnë mendimin dhe tash ta njohin dhe kjo gjithashtu do të kontribuojë që Kosova t’i bashkohet institucioneve rajonale dhe ndërkombëtare. Andaj këto arsye janë jetike për dialogun, andaj Kosova këshillohet ta vazhdojë dialogun.

RTK: Ekspertët politikë kanë thënë që deri më tash institucionet e Kosovës kanë investuar mjaft shumë në këtë dialog me Beogradit dhe nuk është shpërblyer nga BE-ja. Çështja e parë që ata e përmendin është liberalizimi i vizave?.

Peter Blomeyer: Ndonjëherë e dëgjoj këtë argument por, duhet ta konsideroj këtë një perceptim të gabuar dhe një keqkuptim për dialogun. Para së gjithash duhet parë që Kosova ka përfituar. Siç thashë më parë ka përfituar shumë në suaza ndërkombëtare. Numri i njohjeve që kemi tani do të kishte qenë i pamundur pa dialogun. Gjithashtu Kosova i ka filluar negociatat për MSA-në që presim të përfundojë shumë shpejt. E kemi planin strategjik deri te liberalizimi i vizave. Gjithashtu Kosova është duke e zgjeruar sovranitetin e saj edhe në veri të vendit dhe strukturat paralele janë shpërbërë. Tash i kemi zgjedhjet që mbahen në tërë vendin, përfshirë veriun. Prandaj një mori zhvillimesh pozitive mund të shihen. Natyrisht ende i kemi disa sfida. P.sh. tash duhet t’i implementojmë marrëveshjet të cilat do të bëhen mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.
Duhet ta integrojmë mbrojtjen civile në Kosovë. Akoma na duhet marrëveshja për statutin e asociacionit të komunave serbe, që natyrisht duhet të bëhet në bazë të ligjit të Kosovës dhe t’i pasqyrojë as më pak dhe as më shumë kompetencat e komunave. Për rundin tjetër të dialogut kemi edhe tema të tjera, çështjet pronësore dhe përfshirjen e Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare sportive ose ato kulturore, siç është konkursi evropian i këngës. Ka ende sfida por jemi në rrugë të mirë dhe nëse mund të them këtë, rishtazi është luajtur ndeshja e futbollit në Mitrovicë kundër Haitit. U ndjeva krenar dhe i lumtur kur e shikova atë ndeshje
ngase për herë të parë Kosova merrte pjesë në një ndeshje të atillë dhe nuk do të jetë e fundit.
Parashikoj që një ditë Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, por kjo do të jetë e mundur vetëm nëse Kosova e vazhdon këtë dialog, me durim dhe në vazhdimësi gjatë
viteve të ardhme.

RTK: Kemi dëgjuar se qeveria së fundi ka thënë që ajo e ka përmbushur obligimin e saj
për liberalizimin e vizave dhe thonë se BE-ja po i trajton në mënyrë të padrejtë shtetasit e Kosovës duke mos ua mundësuar atyre të udhëtojnë jashtë vendit?.

Peter Blomeyer: Ajo që mund të them për këtë është se kjo nuk duhet të përzihet me dialogun.
Kjo është një çështje tjetër. BE-ja dhe Kosova e kanë hartuar një plan për liberalizimin e vizave, pra, kaq ligje duhet të ndryshohen, ose të miratohen dhe të implementohen. Delegacionet nga BE-ja vijnë në Kosovë. Vështrojnë dhe e vlerësojnë përparimin dhe kur të konsiderohet që është arritur mjaft përparim, atëherë do të bëhet liberalizimi i vizave. Nuk është e mundur të jepet një datë e saktë se kur do të bëhet kjo, por Kosova është në rrugë drejt liberalizimit të vizave. Kuptoj që njerëzit s’kanë durim. Para ambasadës sonë, çdo mëngjes kur vij, shoh radhë njerëzish...edhe në mesditë... dhe natyrisht, do të doja që njerëzit të
udhëtonin lirshëm, por e kemi këtë marrëveshje me Kosovën që duhet të implementohet
dhe ne angazhohemi në këtë drejtim, pra Gjermania, Bashkimi Evropian, dhe kjo do të vijë. Ka arritur për vendet e tjera, do të arrijë edhe për Kosovën. E pranoj që për Kosovën është
paksa më e vështirë ngase përvojat jo te mira që i kemi pasur me vendet e juaja fqinje janë
përfshirë në këtë plan.

RTK: Do të thotë ne po e paguajmë çmimin për atë që ka ndodhur në vendet e tjera?

Peter Blomeyer: Jo që ju jeni duke e paguar çmimin, por duhet ta konsideroni këtë që është
në interesin tuaj që t’i zhvilloni këta mekanizma sepse është pjesë e zhvillimit drejt BE-së.
Është një lloj ushtrimi për shtetin tuaj por mendoj që nuk duhet të dekurajoheni fare dhe liberalizimi i vizave do të vijë. Duhet të përpiqeni për këtë gjë. Ne po ju ndihmojmë në këtë drejtim. P.sh. EULEX-i po ju ndihmon në këtë drejtim. Gjithashtu edhe zyra e BE-së dhe e
Përfaqësuesi Special i BE-së të cilët i kemi këtu. Ata po punojnë në këtë drejtim. Kemi njerëz në Bruksel që punojnë me ju dhe vetëm mund të them: kini pak durim dhe liberalizimi do të vijë, dhe punoni më shumë.

RTK: Parashtrohet një pyetje e madhe pikërisht shkaku i kësaj. Dialogu po vazhdon, ju i keni dëgjuar debatet në fillim lidhur me atë nga partitë opozitare, nga grupet e interesit, duke thënë se, çfarë po fiton Kosova nga ky dialog, nga kjo përmbushje obligimesh të cilat janë përcaktuar me planin strategjik të BE-së siç e përmendët. A mendoni që durimit mund t’i vije fundi?

Peter Blomeyer: Por Kosova nuk është një fëmijë e cila shpërblehet me ëmbëlsira për atë që e ka bërë. Gjërat nuk bëhen kësisoj. Kosova e ka planin strategjik për liberalizimin e vizave kur duhet ta ndryshojë sistemin, siç është dashur ta bënin këtë edhe vendet e tjera. Kur të kryhet kjo, atëherë liberalizimi i vizave do të vijë. Sa për dialogun, mendoj se ka rëndësi të madhe që të gjithë ta kuptojnë. Dialogu është të krijosh një besim ndaj fqinjit tënd, nuk është një loje me rezultat zero, ku njëri fiton atë që tjetri e humb. Jo. Ideja e BE-së, dhe kjo vërtet
ka rëndësi që të kuptohet, është se të dyja palët fitojnë, ngase bëhen partnerë. Dhe bashkë, do të jenë më të fuqishëm. Pastaj nëse jeni partnerë, do të keni këmbim ekonomik dhe keni
zë më të fortë brenda BE-së, dhe Kosova dhe Serbia synojnë të bëhen anëtarë të BE-së dhe
ideja e të gjitha shteteve anëtare të BE-së është të jemi partnerë.
Andaj pyetja se çfarë fitoj nga kjo, nuk është qasje e drejtë ndaj kësaj. Qasja e drejtë është të shohim se si mund të zhvillohemi dhe të bëhemi një vend përparimtar, paqësor, ku sundon ligji, dhe i cili vend jeton në bashkëpunim të mirë me fqinjin e tij. Ky është qëllimi dhe ky është përfitimi kryesor që do ta ketë Kosova nga dialogu.

RTK: Tani ka zhvillime të reja në Serbi, tash pas zgjedhjeve. Partia e Vuçiqit doli e para.
Si e shihni të ardhmen e dialogut mes Prishtinës dhe qeverisë së re të Serbisë?

Peter Blomeyer: Para së gjithash, është lajm i mirë që rezultati...

RTK: Duke i njohur edhe pikëpamjet politike të Vuçiqit në të kaluarën për Kosovën
dhe komunitetet e tjera në ish Jugosllavi...

Peter Blomeyer: Lajmi i mirë për rezultatet e zgjedhjeve në Serbi është se vetëm partitë politike të angazhuara për rrugën e Serbisë drejt Evropës kanë arritur të jenë në parlament.
Të gjitha partitë radikale ose partitë që janë kundër dialogut ose kundre BE-së nuk fituan numër të mjaftueshëm votash për të qenë në parlament. Mendoj që ky është një lajm shumë i mirë. Sa për z. Vuçiq dhe partinë e tij, ai dhe partia e tij janë angazhuar për të ardhmen evropiane të vendit të tyre dhe për dialogun. Mendoj që edhe ky është një lajm i mirë.
Natyrisht presim që tash t’i përmbushin këto dhe të tregojnë një qasje konstruktive
përbrenda dialogut. Jam optimist që ata do t’i kontribuojnë suksesit të dialogut mu siç presim kjo të ndodhë dhe cilado parti që të fitojë në zgjedhjet kosovare, të jetë gjithashtu konstruktive në dialog dhe ta vazhdojë me këtë.

RTK: Ambasador, ju personalisht jeni angazhuar shumë herë në diskutime dhe tryeza
lidhur me çështjet e zhvillimeve ekonomike në Kosovë. A mendoni që Kosova është në rrugë të drejtë të zhvillimit të ekonomisë?.

Peter Blomeyer: Mendoj që ka disa zhvillime pozitive, por ka edhe disa sfida ose mund të thuhet edhe çështje shqetësuese. Mendoj që Kosova ka disa përparësi relative siç është popullata e re e cila dëshiron të merr pjesë në zhvillimin ekonomik. Pastaj janë njerëzit me aftësi të mira gjuhësore. E keni një sistem të lehtë, të thjeshtë dhe taksa të ulëta. Gjithashtu pagat janë të ulëtaqë mund të mos jetë gjë e mirë për individin, por është gjë e mirë për ekonominë e gjithëmbarshme ngase është e rëndësishme për kompanitë që vijnë dhe investojnë. Ka disa faktorë të cilët janë pozitiv. Ka edhe disa zhvillime pozitive në administratën ekonomike. jeni renditur me larte, sipas raportit te bankës botërore, për nuk e di sa vende, brenda 2 viteve për më shumë se 30, gjë që është shumë mirë. Por akoma jeni në nivelin i cili nuk është i kënaqshëm. Keni përparuar shumë, por niveli është larg të qenit i mjaftueshëm. Gjithashtu i shoh edhe disa probleme të rënda. Çështja më problematike është lufta kundër korrupsionit.
Pastaj duhet të jeni më mikpritës ndaj investitorëve të huaj. E kishim çështjen e privatizimit të PTK-së. Ishte një investitor gjerman me një grup investitorësh ndërkombëtarë me kapacitete të larta i cili e dha ofertën e tij dhe fitoi në tender, por në fund nuk iu dha kontrata. Natyrisht ky është një sinjal shumë negativ për komunitetin e investitorëve në Gjermani dhe gjetiu. E shikojnë Kosovën dhe thonë, “Çfarë po bëjnë atje?”. Dhe ishin të gatshëm të nvestonin shumëpara këtu. Për mua, pra, nuk është e kuptueshme se pse forcat politike në këtë vend nuk mund t’ia jepnin kontratën. Andaj mendoj që vërtet është e nevojshme të shihet se cilat ishin arsyet dhe të përmirësohet kjo. Andaj mendoj që ka...

RTK: Shqetësime për korrupsionin?

Peter Blomeyer: Po, korrupsioni mendoj që është dhe duhet të jetë ndër prioritetet më të mëdha...
RTK: Qeveria shumë herë ka shpallur luftë të pa kompromis kundër korrupsionit ndërsa në anën tjetër kemi shumë kritika që në Kosovë ka shumë korrupsion?.

Peter Blomeyer: Por, e keni keqësuar pozitën tuaj në treguesin e vetëdijesimit ndaj korrupsionit. Ky është një sinjal shumë i keq dhe nëse shikoni përreth, atëherë natyrisht e kemi këtë pasurim të pashpjegueshëm të disa njerëzve i cili gjithashtu është një sinjal shumë i keq. Pastaj i kemi këto kriza të vazhdueshme ose skandale. Nëse e shikoni universitetin, sektorin e mjekësisë, atë të ndërtimit. Kjo pra gjithashtu është shqetësuese. Por mendoj që sa për korrupsionin, ai fillon në nivel shumë të ultë, në nivelin ditor. Dhe nëse flas me kosovarët ,ata pranojnë që të gjithë e kanë dikë, një shok apo fqinj ose të afërm i cili është duke e ndërtuar shtëpinë pa leje. Dikë që u jep para arsimtarëve për t’u dhënë nota më të mira fëmijëve të tij, ose për ta marrë ndonjë leje burokratike të cilën s’duhet ta ketë. Dhe njerëzit në administratë ose kudo që e kërkojnë, paguajnë për këtë.
Kjo është gjë shumë e keqe ngase kjo po përhapet në tërë shoqërinë si kancer dhe mendoj që duhet të ketë vetëdijesim për këtë. Na duhen njerëz të guximshëm të cilët do të ngrihen kundër kësaj dhe kur t’i kërkohet të paguajnë ryshfet, do të refuzojnë ta bëjnë dhe do të shkojnë në polici ose të telefonojnë në numrin ku lajmërohet një gjë e këtillë. Të gjithë duhet të ngrihen kundër kësaj madje edhe nëse pësojnë gjëra të pakëndshme. Përndryshe kjo shoqëri nuk mund të shërohet nga ky kancer. Dhe nevojitet që të rritet numri i
njerëzve që ngrihen kundër kësaj derisa të arrihet numri kritik dhe të mos guxojë askush të bëjë gjëra të këtilla më. E di që kjo është shumë e vështirë, por vetëm mund t’ju bëj thirrje të gjithëve në Kosovë që të marrin pjesë në këtë, të luftojnë kundër korrupsionit, sepse nuk mund të tregoni me gisht në drejtim të politikanëve që ata e bëjnë këtë nëse edhe vet e bëni këtë.

RTK: Dhe natyrisht korrupsioni luftohet edhe me informacion të mirë. Ambasador, çfarë mendoni për lirinë e mediave në Kosovë. Së fundi kemi pasur disa zhvillime
dhe besoj që ju e dini këtë?.

Peter Blomeyer: Natyrisht, liria e mediave është njëra nga të drejtat themelore më të rëndësishme në kushtetutëdhe duhet të respektohet. Nëse mendoni për institucionin tuaj,
mendoj që është e nevojshme që brenda dhe jashtë institucionit të ndërtohet një autonomi.
Stafi juaj brenda RTK-së duhet t’i rezistojë çfarëdo presioni të jashtëm dhe gjithashtu të keni guxim dhe të mos e humbni guximin , por në anën tjetër duhet t’i tregoni tërë botës që jeni autonom, që nuk e favorizoni një parti ndaj një partie tjetër. Mendoj që në nëntor kur u mbajtën zgjedhjet e kishim edhe misionin vëzhgues. Ata i dhanë disa këshilla. Do ta lexoja këtë me kujdes dhe do t’i përmbahesha kësaj dhe mendoj që do të keni një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme dhe aty do të keni rast të dëshmoni që jeni një institucion autonom dhe i paanshëm.

RTK: Dhe pyetja e fundit. Çështja kulturore...Ambasador, çfarë është bashkëpunimi mes
Gjermanisë dhe Kosovës në këtë drejtim?

Peter Blomeyer: E kemi një bashkëpunim intensiv kulturor i cili përfshin mësimin e gjuhës.
E kemi degën e re të institutit Gete në qytet i cili mban trajnime gjuhësore. Pastaj kemi shkëmbime shkencore dhe kulturore. Ambasada jonë në veçanti fokusohet në muzikë. Muzika i bashkon njerëzit. Ajo është një gjuhë e përbashkët e cila nuk duhet të përkthehet si unë që mbase do të përkthehem në emisionin tuaj këtu, por po të bënim muzikë këtu të gjithë do ta kuptonin pa pasur nevojë për përkthim. Do të kemi një ngjarje shumë të rëndësishme këtë javë në Sallën e Kuqe, në orën 20:00. Një pianist i famshëm gjerman, Joja Wendt,
do të vijë dhe do të interpretojë këtu dhe shpresoj që do të vijnë shumë njerëz për ta shijuar këtë koncert, i cila është një lloj porosie e Gjermanisë për Kosovën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat