Bytyqi: Depolitizimi i shkollave, sfidë që duhet të tejkalohet - Bota Sot
Bytyqi: Depolitizimi i shkollave, sfidë që duhet të tejkalohet

Intervista

E enjte, 20 shtator 2018

Bytyqi: Depolitizimi i shkollave, sfidë që duhet të tejkalohet

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 12:52
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi

Cilësia e cila është në sistemin e arsimit në Kosovë nuk siguron një të ardhme të zhvillimit të vendit, por se është duke u punuar në të gjitha fushat që të kemi ngritje të cilësisë, thotë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Shyqiri Bytyqi.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ai tregon se në shumicën e shkollave ka një politizim ku sipas tij, për ta hapur atë frymëmarrjen e lirë të sistemit arsimor patjetër duhet të bëhet depolitizomi i shkollave.

Radio Evropa e Lirë: Kosova për vite është theksuar se ka cilësi të dobët në sistemin e arsimit. Si ministri keni arritur të identifikoni shkaqet e kësaj cilësie të dobët?

Shyqiri Bytyqi: Nuk është gjendja çfarë do kishim dëshirë të ishte në sistemin arsimor në Kosovë, nuk është edhe ajo gjendje çfarë ne synojmë të jetë në sistemin arsimor. Këtë e kemi konstatuar që nga momenti kur e kemi marrë përgjegjësinë dhe vazhdimisht deri më tani e kemi bërë një analizë të përgjithshme për të kuptuar se ku jemi dhe çka tutje.

Nuk është një cilësi e cila na siguron një të ardhme të sigurt të zhvillimit të vendit. Cilësia në arsim është faktor kyç që ndikon në të gjitha sektorët tjerë të zhvillimit të vendit. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, pasojat mund të jenë të ndryshme.

Tani është koha të merremi më eliminimin e këtyre pasojave, këtyre dobësive që ekzistojnë në sistemin arsimor. Për t’i eliminuar këto duhet një qasje reale e problemeve që ekzistojnë. Së pari duhet të pajtohemi me gjendjen që e kemi në sistemin arsimor dhe pastaj mbi këtë gjendje të marrim hapa konkret për të ndryshuar sistemin arsimor, gjegjësisht ngritjen e standardit në niveli tjetër të cilësisë në arsim.

Ajo çka ne jemi mundur të bëjmë në këtë periudhë përveç sanimeve të disa urgjencave që kanë qenë në sistemin arsimor përfshirë testin PISA që ka qenë në një periudhë e shkurtër është dashur të kemi një parapërgatitje pastaj disa tentime për të ndryshuar gjendjen në testin e maturës.

Këtu po i theksoj testet e maturës se janë dy teste të rëndësishme të cilat na tregojnë se ku e kemi sistemin arsimor. Ne jemi mundur që të eliminojmë kozmetikat që kanë ekzistuar dhe të dalim në informacione bazë se cila është gjendja në arsim dhe çfarë ne duhet të bëjmë.

Tani viti shkollor 2018/2019 ka filluar ne jemi në fazën e përgatitjes së madhe për ndryshime të mëdha që do të ndikojnë direkt në ndryshimin e cilësisë në arsim.

Ajo çka ne kemi konstatuar vazhdon që në shkollat tona të mungojnë praktikat e mira të mësimdhënies dhe mësim-nxënies dhe kjo është hapi i parë që në duhet të ndryshojmë. Pikë e dytë është çështja e menaxhimit të shkollave. Këto janë dy pika tejet të rëndësishme që do të ndikojnë direkt në ndryshimin e cilësisë në arsim.

Kemi edhe çështjen e zhvillimit në karrierë të mësimdhënës trajnimi i mësimdhënës. Në këtë muaj presim që të fillojë për herë të parë matja e performancës së mësimdhënëseve e që kjo do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim.

Derisa, në sistemin universitar kemi nevojë të kemi një strategji të përgjithshme qoftë të sektorit publik qoftë privat.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë tekstet shkollore vazhdojnë të jepen falas për nxënësit e shkollave fillore, por që nga viti në vit këto tekste janë shtuar. Ekspertët tërheqin vërejtjen se janë hartuar shumë tekste shkollore që janë të mbingarkuara, jocilësore dhe në disa raste të panevojshme. Si arsyetohen nga MASHT të gjitha këto tekste shkollore?

Shyqiri Bytyqi: Konsideroj që në kuadër të pikave të rëndësishme të Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK) që është i aprovuar nga Qeveria e Kosovës është edhe çështja e teksteve mësimore përtej numrit të madh që ndoshta mund të jetë edhe një mbingarkesë për nxënës dhe mësimdhënësit, por unë konsideroj që më rëndësi është vlera e këtyre teksteve. Cili ka qenë kualiteti i teksteve, cila ka qenë përputhshmëria me kurrikulat të cilat zbatohen në nevojat e kërkesave për një mësim më praktik më kompetent dhe një mësim më modern i cili zhvillohet në shumë vende të botës.

Librat të cilat aktualisht edhe në këtë vit do të përdoren nuk janë në përputhje së pari më kurrikulat pastaj ka edhe shumë problematika që ndikojnë në të kuptuarin e mirëfilltë të teksteve nga nxënësit dhe mësimdhënësit.

Jemi zotuar se do të kemi tekste të mira në përputhje të plotë me kurrikulën e re që zbatohet sot në gjitha nivelet. Kemi bërë shpallje publike për tekste të reja mësimore.

Këto tekste të reja nga autorë të ndryshme nga shtëpitë botuese do të dorëzohen në Ministrinë e Arsimit deri në fund të këtij viti dhe më pas nga ministria do të emërohen recensentët që do ta kenë rolin kyç në vlerësimin e teksteve të reja shkollore që pritet të përdoren në vitin e ri shkollor 2019/2020.

Ajo çka jemi duke u kujdesur shumë që një punë të madhe e ka bërë Këshilli shkencor i teksteve dhe mjeteve mësimore që recensentët dhe komision të bëjnë një punë profesionale dhe të mos aprovojnë tekste që nuk i plotësojnë së pari përputhshmërinë me kurrikulat e reja dhe pastaj nëse nuk do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të mos pranohen si tekste.

Jemi përkujdesur që të kemi edhe ekspert ndërkombëtarë të cilët do të luajnë një rol në vendimmarrje në veçanti kur flasim për pjesën e standardëve ndërkombëtare të teksteve.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë në vitin shkollor 2019/ 2020 do të ketë tekste te reja shkollore?

Shyqiri Bytyqi: Në vitin 2019/2020 do të kemi tekste që janë në përputhje me kurrikulat, por njëkohësisht do të jenë tekste me vlerë.

Jemi duke e finalizuar draft ligjin për tekste dhe mjete mësimore, ku në kuadër të këtij ligji të ri do të parashihen që të kemi edhe libra alternativ, kjo do të thotë që shtëpitë e ndryshme botuese botore të kenë mundësi të konkurrojnë këtu brenda në Kosovë dhe pastaj ne të bëjmë një formule së bashku me prindërit, mësimdhënësit se si do të bëjmë përzgjedhjen e teksteve mësimore.

Në veçanti kur flasim për shtëpitë botuese ndërkombëtare duhet t’i kushtojmë rëndësi shkencave natyrore sepse kemi pasur dobësi në librat e shkencave natyrore. Duhet që t’i marrim ato libra që janë më të përshtatshme për të ia ofruar një kompetenc më të mirë nxënësve, sepse nxënësit tanë janë duke u përballur më një konkurrencë të madhe, nuk po flasim vetëm për tregun e brendshëm duhet të mendojmë për tregun e jashtëm sepse çdo ditë e më shumë kemi një globalizim të tregut dhe kjo konkurrencë duhet të jetë e barabartë.

Konsideroj që kurruikulat e reja që janë në zbatim janë vlerësuar si mjaft të mira dhe të qëndrueshme. Korrikulat që në i kemi përpiluar si të qëndrueshme janë marrë edhe nga Shqipëria. Shqipëria është duke i zbatuar ka krijuar tekste të reja që janë në përputhshmëri me kurrikulat. Ata po ashtu kanë bërë edhe një vlerësim me ekspert ndërkombëtare që kanë treguar që kurrikulat e reja e kanë një qëndrueshmëri deri në vitin 2030.

Konsideroj që tekstet e reja do të në përputhshmëri me kurrikulën do të jenë ato të cilat do të jenë të nevojshme për nxënësin dhe nuk do ta mbingarkojnë në forma të panevojshme edhe nxënësit edhe mësimdhënësit.

Radio Evropa e Lirë: Si po arrihet të mbahet mësimi tani me kurrikula të re e me tekste të vjetra?

Shyqiri Bytyqi: Në këtë vit kemi arritur të përgatisim udhëzues për mësimdhënës e cila do të ju shpërndahet të gjitha shkollave dhe në këto udhëzues mësimdhënësit do të kenë mundësinë shumë më të lehët të gjenden për t’i përshtatur tekstet e vjetra bazuar në kurruikulat e reja. Çka do të thotë se kemi kombinim të teksteve.

Ky udhëzim e lehtëson situatën e mësimdhënësve dhe do të kalojmë këtë vit ndoshta jo ashtu sikur t’i kishim tekstet e reja, por që do të jetë më lehtë se në vitin e kaluar.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës për vite ka vendosur prioritet në politikat e saj çështjen e arsimit, por në aspektin financiar a ka pasur mbështetje?

Shyqiri Bytyqi: Të them të drejtën edhe ne në momentin kur kemi ardhur, ka qenë një lloj teorie e vazhdueshme që arsimi do të jetë dhe është prioritet i vazhdueshëm i qeverisë. Konsideroj se është tentuar që të jetë prioritet i qeverisë, me gjithë përkushtimin e Qeverisë Haradinaj dhe neve si ministri, nuk kemi arritur që ta kemi buxhetin e nevojshëm, pavarësisht që e kemi futur si prioritet në çdo dokument arsimin.

Por, është e pamundur të realizohen të gjitha objektivat, sidomos objektivat që janë të parapara në PSAK 2017-2020, për t'i realizuar ato objektiva në mungesë të buxhetit.

Konsideroj që këtë vit është bërë një presion pozitiv, kemi pasur një fushatë për arsim më të mirë ku janë mbledhur shumë nënshkrime nga qytetarë që e ka kaluar mbi 124 mijë nënshkrime që të kemi një buxhet më të madh të arsimit. Se sa do të arrijmë këtë vit që të kemi një buxhet më të lartë, të shohim kur do të diskutohet buxheti.

Por, ajo çka është arritur e që unë konsideroj që është arritje pozitive, këtë vit është bërë që të gjithë aktorët të flasin për arsimin. Në gjithë Kosovën është folur për arsimin, si në nivelin lokal, qendror, qoftë edhe nga qytetarët, qoftë edhe nga mediat, pra është një hap shumë më pozitiv se që ka qenë herëve të tjera.

Pse po e them është pozitiv, sepse ky diskutim megjithatë i bën presion edhe qeverisë edhe neve si ministri edhe pushtetit lokal që e ka një përgjegjësi të madhe që megjithatë harrohet se pushteti lokal e ka përgjegjësinë më të madhe në menaxhimin e shkollave dhe në cilësinë e arsimit.

Gjithçka drejtohet tek Ministria e Arsimit që në fakt është edhe pjesë e pushtetit lokal, por sido që të jetë, ajo që kam thënë nga dita e parë dhe që iu kam bërë thirrje të gjithë aktorëve është që të bëhemi bashkë për ta ndryshuar gjendjen në sistemin arsimor, konsideroj se është e vetmja rrugë që mund ta ndryshojë gjendjen në arsim, përfshirë këtu edhe një buxhet shumë më të lartë.

Prioriteti i parë i qeverisë të jetë arsimi, angazhimi i të gjitha niveleve, angazhimi edhe i qytetarëve, prindërit pastaj duhet ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm arsimor, pastaj ne si prioritet të madh që i kemi vendosur vetit është një sfidë që duhet ta tejkalojmë është depolitizimi i shkollave. Pra, ne e dimë që në shumicën e shkollave kemi një politizim, për ta hapur atë frymëmarrjen e lirë ne patjetër duhet të bëjmë depolitizim.

Gjëja e parë qe ne duhet ta bëjmë këtë vit, duhet ta diskutojmë edhe me prindër, është gjetja e një formule e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave. Nëse ne arrijmë ta gjejmë menaxherin e duhur që të menaxhojë me shkollën, themi që jemi në një rrugë të mbarë që shkollat të jenë në konkurrencë mes vete fillon të ndryshojë cilësia në shkolla.

Në momentin kur ne ta kemi këtë formulë, do t'i zgjedhim njerëzit adekuatë në menaxhimin e shkollave, patjetër që duhet t'i japim edhe kompetenca shumë më të larta drejtorëve të shkollave, sepse drejtorët e shkollave edhe në matjen e performancës së mësimdhënësve luajnë një rol të rëndësishëm.

Nëse krejt këtë do ta arrijmë, atëherë themi se jemi në rrugë të mbarë të synimit tonë që sistemi arsimor të jetë në rrugëtimin e sistemeve tjera evropiane.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test