“Bota sot”, një aset i çmuar i informimit dhe komunikimit në standardet e lirisë - Bota Sot
“Bota sot”, një aset i çmuar i informimit dhe komunikimit në standardet e lirisë

Intervista

E enjte, 20 shtator 2018

“Bota sot”, një aset i çmuar i informimit dhe komunikimit në standardet e lirisë

Nga: Dafina Xhemaj Më: 26 qershor 2018 Në ora: 12:19
Ish Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani

Ish Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, në një intervistë ekskluzive, ka dhënë vlerësimin e tij me rastin e 23 vjetorit të themelimit të Gazetës “Bota sot”.

“Bota Sot” ka qenë si një kapilar gjaku që ka ushqyer pa pushim mendjen dhe zemrën e shqiptarëve që nga Kosova në Shqipëri, në çdo trevë shqiptare në Ballkan, nga Evropa në Amerikë. Kudo ndër Botën Shqiptare”, ka thënë Presidenti Nishani.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e gazetës "Bota sot" ndër vite, në përçimin e frymës kombëtare dhe në  realizimin e ëndrrës për Bashkim Kombëtar?

Bujar Nishani: “Bota Sot” Ka qenë një mesazher i jashtëzakonshëm i komunikimit dhe vetëdijesimit të çështjes kombëtare ndër Botën Shqiptare. Përtej izolimit, margjinalizimit dhe kompleksimit të ndërmarrë ndaj shqiptarëve nga lobet dhe platformat shqiptaro-fobe, ndër përpjekjet e bëra për ti zhbërë ato, misioni, kontributi dhe arritjet e “Bota Sot” kanë qenë ndër më evidentet dhe meritojnë mirënjohjen më të madhe. “Bota Sot” ka qenë si një kapilar gjaku që ka ushqyer pa pushim mendjen dhe zemrën e shqiptarëve që nga Kosova në Shqipëri, në çdo trevë shqiptare në Ballkan, nga Evropa në Amerikë. Kudo ndër Botën Shqiptare.

“Bota sot”: Sa ka luajtur rol gazeta “Bota sot”, në politikë?

Bujar Nishani: Dëshiroj ta komplimentoj kulturën dhe profesionalizmin e gazetës “Bota Sot” për hapësirën e lirisë së komunikimit dhe të anti-censurës. Shembulli i “Bota Sot” në triumfin e pushtetit të pavarur medial mbi influencat, korrupsionin dhe censurën që imponohet në shumicën e medieve shqiptare është një tregues shpresëdhënës se modelet korrekte dhe pushteti real i medies në shërbim të interes publik mund të funksionoj.

Ky model i “Bota Sot” ka bërë padyshim që përmes kësaj gazete zërat, opinionet, angazhimi dhe kontributi intelektual të ketë hapësirën e vetë në politik. Kjo mbetet dhe një nga sfidat kryesore sot të procesit të komunikimit shoqëror përtej mureve të pengimit, censurës dhe spekulimit.

“Bota sot”: Cili është urimi apo vlerësimi juaj në 23 vjetorin e themelimit të gazetës “Bota sot”

Bujar Nishani: I uroj jetë të gjatë gazetës “Bota Sot” si një nevojë jetësore për rritjen e frymës dhe vetëdijes kombëtare. Si një aset i çmuar i informimit dhe komunikimit në standardet e lirisë. Veçanërisht urime për drejtuesit, gazetarët, menaxhuesit dhe mbështetësit e gazetës “Bota Sot”. Më lejoni të them se të gjithë ata duhet të ndihen shumë krenar për çka kanë arritur dhe për sa kanë kontribuar ndër Botën Shqiptare.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test