Fillim vjeshta e këtij viti, kohë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja - Bota Sot
Fillim vjeshta e këtij viti, kohë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Intervista

E enjte, 20 shtator 2018

Fillim vjeshta e këtij viti, kohë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 26 qershor 2018 Në ora: 10:28
Naser Rugova

Deputeti I Lidhjes demokratike të Kosovës (LDK) Naser Rugova në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, ka vlerësuar se alternativa e vetme që vendi të del nga kjo gjendje, është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Kjo pasi, sipas tij Qeveria Haradinaj e ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin elektoral. Rugova po ashtu ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk behet me pazare politike, por duhet të jetë kategori kushtetuese dhe se deri më tani kemi pasur vetëm premtime pompoze elektorale.

Ai po ashtu ka shpjeguar se rreth platformës se bisedimeve duhet të ketë konsensus të gjerë politik.

Bota sot: Pas tryezave politike më gjitha partitë, LDK prapë është shprehur e bindur se dëshiron zgjedhje të reja, mendoni se kjo mund të arrihet si dhe kur?

Naser Rugova:  Është qëndrim zyrtar i LDK-së se ky koalicion qeverisës e ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin elektoral, nuk e ka shumicën në kuvend, legjislativi i vendit nuk e ka përmbushur planin e punës as 20%, andaj vlerësoj se kjo qeveri nuk mund të vazhdoj më kështu, alternativa e vetme janë zgjedhjet e reja, ky ishte edhe qëllimi i tryezës se organizuar nga LDK-ja, kohë optimale do të ishte fillim vjeshta e këtij viti.

Bota sot: Në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, ku e shihni ju LDK-në këto zgjedhje?

Naser Rugova: LDK-ja është më unike dhe më e fortë se kurrë si parti, e para më numër të komunave të fituara, e para më votë popullore dhe jemi grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Republikës se Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme do të dalim bindshëm partia më e fuqishme në vend.

Bota sot: Aktualisht kryetari I LDK-së Isa Mustafa nuk është se po shihet shumë në publik, na tregoni si qëndron me shëndet ai dhe kush mendon se mund ta merr pozitën e të parit të LDK-së?

 Naser Rugova: Kryetari po rehabilitohet dita ditës, jemi në koordinim të plotë si grup parlamentar më kryetarin dhe kryesinë, zgjedhjet në LDK do mbahen vitin e ardhshëm dhe ka të drejtë kandidimi secili anëtar i LDK-së që i plotëson kriteret e parapara më statutin e LDK-së.

Bota sot: Qeveria e Kosovës më kryeministër Ramush Haradinaj, deri më tani është përcjellë me shumë skandale, si e vlerësoni ju deri më tani punën e kësaj qeverie?

Naser Rugova: Është një qeveri më shumë partner, më mospajtime të mëdha mes vete, kjo edhe është dëshmuar, më apetite glomaze dhe mentalitet mesjetar, më mjaft vendime arbitrare dhe jo kushtetuese, me skandale dhe dëmtim të buxhetit të shtetit, thjeshtë qeveri që çdo ditë po e degradon shtetin dhe imazhin e Republikës si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Bota sot: Kur mendoni se Kosova do të mund ta ketë Ushtrinë e vet kur tashmë po dihet edhe kundërshtimi i ashpër i Listës Serbe në lidhje më këtë. Si mund ta bëjë Kosova ushtrinë?

Naser Rugova: Se pari ushtria nuk behët me pazare politike, me propozime pompoze elektorale me do nisma ligjore që ishin vetëm balona mediatik e asgjë më shumë. Ushtria e Kosovës duhet të jetë kategori kushtetuese dhe duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese, sikurse të gjitha shtetet normale që i kanë në kushtetutat e tyre Forcat e Armatosura. Pa dyshim që mbështetja e miqve tonë strategjik është e domosdoshme.

Bota sot: Kush mendon se duhet të udhëheqë me bisedimet më Serbinë. A mendoni se Hashim Thaçi është njeri i duhur për ketë pasi që ka kundërshtime të shumta?

Naser Rugova: Unë mendoj se rreth platformës se bisedimeve duhet të ketë koncenzus të gjerë politik. Duhet të dakordohemi për vijat e trasha se çka nuk guxohet të negociohet, pastaj parimet bazë të negociatave, interesi shtetëror dhe nacional i Kosovës, limitet kohore dhe garancat e realizimit të marrëveshjes dhe elemente tjera që kërkojnë konsensus, përgatitje dhe qasje pragmatike, më të rëndësishme e konsideroj përmbajtjen, cilësinë e platformës sesa kush e udhëheqë delegacionin, por një gjë është e vërtetë se presidenti aktual nuk e ka mbështetjen e nevojshme politike dhe institucionale që të na përfaqësoj në një proces të tillë të rëndësishëm.

Bota sot: Po flitet se është faza e fundit e dialogut më Serbinë, mendoni së nga ky dialog mund të përfundoj njohje të Serbisë ndaj Kosovës?

Naser Rugova: Vlerësoj se parimi i reciprocitetit dhe njohjes se shtetit të Kosovës nga Serbia do të duhej të ishte epilog real i përmbylljes se këtij dialogu mes dy shteteve. Besoj se ketë tanimë ja kanë bërë të qartë lidershipit serb edhe bashkësia ndërkombëtare, ky proces do duhej të ndodhte në kohë optimale.

Bota sot: Mendoni se Kosova do të humb në rast se Kosova e pranon asociacionin e komunave serbe në Kosovë, pasi që Serbia po proklamon se Kosova do të jetë humbëse në këtë?

Naser Rugova: Asociacioni i komunave serbe do të formohet vetëm në suaza të kornizës se Kushtetutës se Republikës se Kosovës dhe pasi që për ketë statut të këtij asociacioni ta legjitimojë me vendim Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kjo parashihet edhe në marrëveshjen e nënshkruar ne Bruksel, asnjë propozim tjetër nuk ka legjitimitet politik e as ligjor. Këtu kompromis nuk ka.

Bota sot: A mendoni së brenda këtij viti vendi do të mund ta ketë liberalizmin e vizave? Sa ka gjasa që kjo të ndodhë?

Naser Rugova: Konsideroj se qytetareve dhe shtetit të Kosovës ju është bërë një izolim dhe padrejtësi e madhe. Pothuajse të gjitha kriteret janë përmbushur. Për disa politikanë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar nuk duhet të ndëshkohet një popull i tërë. Pres reflektim nga Brukseli dhe shpresoj që nga një janari shtetasit e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën shengen.

Bota sot: Pse mendoni se Republika e Kosovës nuk po ka sukses në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si Interpol etj?

Naser Rugova: Mendoj se ka pasur neglizhencë, mungesë dinamike, mungesë të qasjeve pragmatike nga ana e institucioneve përkatëse të vendit. Kjo qasje duhet të ndryshohet, të angazhohen të gjitha kapacitetet politike, diplomatike, intelektuale, profesionale dhe ndikimi i miqve tonë. Është momenti i fundit.

Bota sot: Po ashtu Kosova ka ngecja në njohje të reja, mendoni se fushatat e ashpra kundër shtetësisë së Kosovës kanë ndikuar në rënien e njohjeve të reja?.

Naser Rugova: Serbia ka punuar shumë në pengimin e njohjeve të reja për Kosovën sidomos në Afrikë dhe Amerikën Jugore. Edhe në ketë aspekt diplomacia e jonë duhet të jetë dukshëm më aktive dhe më dinamike.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test