Lutfi Haziri kundër koalicioneve, paralajmëron një listë të madhe të LDK-së në zgjedhje

Intervista

Lutfi Haziri kundër koalicioneve, paralajmëron një listë të madhe të LDK-së në zgjedhje

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 27 prill 2018 Në ora: 18:30
Lutfi Haziri, foto: Bota sot

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryetar i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur rreth një liste të madhe të LDK- së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për lajmet e fundit se ka përçarje brenda partisë, për aktualitetin politik në Kosovë dhe rreth asaj se a do të japë dorëheqje Lutfi Haziri nga qyteti i Gjilanit për postin e Kryeministrit.

“Bota sot” : Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Lutfi Haziri: Politika në Kosovë është në një krizë apo në një ngërç politik në mungesë të shumicës parlamentare në Kuvend të Republikës, sidomos edhe pas humbjes së mbështetjes edhe nga minoritarët, në këtë rast nëntë deputetët e Listës Serbe, të cilët po sillen me ambiguitet duke marrë pjesë në qeveri, e duke mos marrë pjesë në votim. Por, kjo nuk është hera e parë. Ata, edhe kur kanë qenë pjesë aktive e qeverisë si pjesa e tretë përbërëse e koalicionit të PAN, nuk e kanë votuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Kështu që sjellja e tyre vazhdon të jetë e njëjtë. Mirëpo, kjo Qeveri, pa një marrëveshje politike, pa një dialog politik të brendshëm dhe pa arritjen e një konsensusi politik me opozitën, do të jetë vështirë t’i imponojë proceset politike dhe ta shtyjë vendimmarrjen përpara.

“Bota sot” : Mendoni që është e nevojshme në këtë kohë të iniciohet një mocion votëbesimi për qeverinë Haradinaj?

Lutfi Haziri: Mocioni është njëri prej mekanizmave, i cili është bërë trend politik për shpërbërjen e Kuvendit ‘për inati të qeverisë’. Natyrisht, si mekanizëm politik është në konsiderim nga opozita, por ne i kemi dhënë shansin dialogut me partitë politike, i cili do t’i diskutonte çështjet që janë me interes, proceset dhe ligjet që janë në interes. Kosova nuk mund ta ngadalësojë ritmin e integrimeve evropiane, në veçanti, dialogun me Serbinë, çështjen e liberalizimit të vizave, ushtria dhe çështjet tjera që janë kapitale. Por, për një datë të zgjedhjeve të parakohshme është e domosdoshme që palët të merren vesh. Kjo marrëveshje do të jetë në win-win pozicion edhe për partitë që janë në qeverisje do të shtynin proceset përpara, por edhe për opozitën e cila do të bëhej pjesë e vendimmarrjes, duke e ditur qartë një datë të zgjedhjeve të parakohshme.

Bota Sot: Nëse do ta vlerësonit me një fjalë të vetme qeverinë Haradinaj ajo do ishte?

Lutfi Haziri: Qeveri kalimtare.

“Bota sot” : Mendoni që është një koalicion i duhur për të qeverisur me vendin?

Lutfi Haziri: Është zgjedhja e tyre. Ky koalicion është bërë prapa shpinës së LDK-së dhe natyrisht është bërë nga aleatët e vjetër, që në të njëjtën kohë janë edhe rivalët më të mëdhenj politikë. U bashkuan në mocionin kundër LDK-së me mbështetjen edhe të VV-së. Ndërsa, pjesë të qeverisë e kanë edhe armikun shekullor, Listën Serbe, e cila është pjesë përbërëse e Kushtetutës me të drejta të plota. Pra, një Qeveri e rivalëve dhe e partnerëve në të njëjtën kohë, është ditë prej fillimit që ka vështirësi në funksionim, por nuk është pritur kaq shpejt të tregojnë pafuqi në realizimin e proceseve të mëdha. Edhe ligjin për demarkacion pa LDK-në nuk kanë mundur ta realizojnë. Ne i kemi dhënë shtytje për interesa të qytetarëve, jo për ato parti. Nëse e shikoni letrën e Kadri Veselit, ajo është një kopje e LDK- së edhe në iniciativë politike, e edhe në angazhime politike. Vetëm se ka harruar që ai është në qeveri dhe këto procese mund t’i shtyjë. Definitisht, po shihet që është e vështirë të funksionojë, sepse nuk po mund ta realizojë asnjë nga premtimet dhe pritjet e qytetarëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar.

“Bota sot”: Është përfolur që në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje të hyjnë në koalicion së bashku, a ka gjasa të ndodhë kjo?

Lutfi Haziri: Nuk ka biseda për një listë të përbashkët zgjedhore. Koalicioni me AKR dhe Alternativën nuk e solli rezultatin e pritur. Unë si nënkryetar i LDK- së jam pro një liste të madhe të LDK- së dhe vetëm të LDK-së.

“Bota sot”: Pse LDK nuk pranon që SHIK-u të hetohet nga legjislatura aktuale?

Lutfi Haziri: Nuk ka të bëjë me iniciativën e LDK- së dhe gjithçka që është jashtë iniciativës së LDK-së nuk ia realizojmë pritjet askujt, duke përfshirë edhe partitë që janë në Kuvend. Kur LDK e ka kërkuar një lloj të hetimit, askush nuk e ka mbështetur dhe kur është në pyetje LDK në qeverisje, këta që e kanë marrë iniciativën kanë qenë të parët që kanë marrë pjesë në rrëzimin e saj.

“Bota sot”: Si është gjendja aktuale brenda LDK- së z. Haziri, çfarë mund të na thoni për lajmet se ka një përçarje brenda partisë?

Lutfi Haziri: LDK është unike dhe është parti e parë në Kosovë. Ne po rritemi dhe nuk ka shanse politike askush më që ta përçajë LDK-në nga jashtë, të inskenojë teori për përçarje apo për fragmentizim, sepse ne kemi paguar çmimin e përçarjes në vitin 2006 shtrenjt dhe nuk lejojmë asnjëherë të ndodhë një çështje e tillë prapë.

“Bota sot” : Mungesa e Kryetarit Mustafa sikur e la një përshtypje të tillë, çka në të vërtetë i duhet LDK- së që të jetë unike?

Lutfi Haziri: Është përshtypje e gabuar. Kthimi i Isa Mustafës, tashmë edhe fizikisht në Prishtinë e ka mbyllur diçka, që dikush ka mundur të ketë pritje. Ne kemi pasur solidaritet edhe njerëzor, edhe politik dhe për ne Isa Mustafa është kryetar në detyrë me mandat të plotë.

“Bota sot” : Do të hiqnit dorë nga Gjilani juaj për postin e kryeministrit?

Lutfi Haziri: Unë jam falënderues për mbështetjen politike në Gjilan tash e 30 vite dhe kjo mbështetje e madhe mua më ka bërë të përgjegjshëm karshi qytetarëve. Pa i pyetur ata, asnjëherë nuk e liroj detyrën e kryetarit, sepse besimin e tyre nuk e lejoj të thyhet. Por, do të jetë çështje e proceseve në të ardhmen që si do të ecim në këtë drejtim dhe në çfarë platforme do të dalim për zgjedhjet e ardhshme.

“Bota sot” : A do të jeni një nga kandidatët për kryetar të partisë?

Lutfi Haziri: Është pyetje e hershme sepse zgjedhjet e brendshme të LDK- së janë në maj të 2019. Kur të vjen koha, do t’i qartësojmë të gjithë aspiratat tona politike.

“Bota sot” : Mendimi juaj për demarkacionin, do ta votonit po të ishit deputet në Kuvend?

Lutfi Haziri: Natyrisht që demarkacioni ka qenë i domosdoshëm për t’u votuar. Unë mirë që s’kam qenë deputet, sepse ndoshta do t’i kisha dhënë kahje tjetër procesit. Por, procesi si i tillë ka qenë i domosdoshëm për të hapur perspektivë evropiane për Kosovën.

“Bota sot” : Si e vlerësoni dramën e fundit e shkaktuar nga krerët politikë lidhur me shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Lutfi Haziri: Të panevojshme dhe që ka dalë si njollë që po pasqyrohet në Raportin e Progresit në këtë vit.

“Bota sot : Sa jeni te kënaqur me buxhetin që iu nda Anamoravës nga qeveria Haradinaj?

Lutfi Haziri: Buxheti në Gjilan është duke u përmirësuar. Natyrisht është larg asaj që duhet të jetë. Por, shpresoj që rritja e fondit të investimeve dhe zgjedhja e problemeve të stafit në administratë gradualisht do ta përmirësojë edhe shërbimin edhe buxhetin.

“Bota sot” : Si e komentoni deportimin dhe arrestimin e gjashtë shtetasve turq?

Lutfi Haziri: E palejueshme sipas legjislacionit në Kosovë, e panevojshme sipas proceseve që po kalon Kosova dhe e pakoordinuar në mes të krerëve kryesorë në këtë shtet. Në të tri pjesët kemi lënë përshtypje të këqija përkundër marrëdhënieve të mira që ka Republika e Kosovës me Turqinë si shtet aleat dhe si shtet i cili jo vetëm që e ka pranuar të parët Pavarësinë e Kosovës, por ata janë në Kosovë edhe me mision diplomatik, ushtarak dhe humanitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat