Taksa për Autostradën “Ibrahim Rugova”, do t’i “faturohet” Qeverisë së ardhshme

Intervista

Taksa për Autostradën “Ibrahim Rugova”, do t’i “faturohet” Qeverisë së ardhshme

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 17:27
Lutfi Zharku

Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, numri një i MI –së, Lutfi Zharku, ka folur për projektet infrastrukturore, të cilat priten të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjithashtu Zharku, i ka ktyhyer përgjigje edhe Opozitës, e cila në vijimësi e ka shenjëstruar për mostransparencë  të kontratës me Bechtel Enkën për rrugën Prishtinë-Hani i Elezit.

Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhënia e licensës për  terminal të mallrave, djalit të kryeministrit Mustafa nuk përbën konflikt interesi. “Nuk përbën konflikt interesi sepse çdokush është i lirë të punoj. Nuk mundet që sot t`i bëhet dikujt, babai kryeministër apo ministër dhe ti thotë familjarëve të tij mbylli të gjitha bizneset sepse është babai kryeministër ose unë jam bërë ministër dhe t’ju them vëllezërve. Por që ligji duhet respektuar. Më vjen mirë që as qeveria e as kompania,  nuk kanë lidhje me njëra tjetrën pasi asnjë tender nuk e ka në Qeveri”, ka thënë Zharku.

Image
Intervistoi gazetarja, Mimozë Lakna

Bota sot: Z. Zharku, sa  po mund të përmbushni planin si drejtues i kësaj ministrie?

Lufi Zharku: Tash planet i kemi ambicioze sa i përket infrastrukturës rrugore, pa i anashkaluar departamentet tjera për shkak, se shpesh ministria konceptohet vetëm si fushë që merret vetëm me rrugët. Por, janë edhe departamentet tjera që i mbulon ministria siç është transporti, aviacioni për patentë shoferë edhe çështje të tjera të ndryshme. Në spektrin e infrastrukturës rrugore edhe përkundër planeve ambicioze, jam i kënaqur që gjatë këtij viti kemi filluar disa projekte të reja, i kemi përfunduar disa projekte të vitit të kaluar dhe natyrisht po përgatitemi për projektet e vitit të ardhshëm. Mund të përmendim disa më kryesoret. Sivjet kemi filluar projektin më kapital të këtij viti, siç ishte zgjerimi i rrugës Prishtinës-Podujevë. Jemi në përfundimin e rrugës Gjurgjicë-Kijevë, të cilën besojmë se deri në fund të vitit do ta përfundojmë dhe qytetarët do t`i shfrytëzojnë të mirat e asaj rruge. Po besojmë, që deri në fillim të vitit të ardhshëm do ta nënshkruajmë marrëveshjen për rrugën e re prej Kijevit deri në Pejë. Sivjet, përkundër asaj që janë nënshkruar kontratat para dy vjetëve, kemi arritur të fillojmë punë në zgjerimin e rrugës në hyrje të Pejës një investim prej 10 milion euro me gjatësi prej 8.7 km. Në anën tjetër jemi në përfundim e sipër të të gjitha procedurave që të vazhdojmë me selektimin e kompanive për zgjerimin e rrugëve në Gjilan, Ferizaj dhe Prizren dhe shumë e shumë projekte të tjera komunale.

Bota sot: Deri ku kanë arritur punimet në vazhdimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit?

Lufi Zharku: Në autostradën Prishtinë Hani i Elezit, tash jemi afër Babushit. Sipas parashikimeve tona, ne nga fundi i tetorit eventualisht, fillimi i nëntorit do të kemi lëshimin e segmentit Babush deri në Prishtinë, apo deri te kyçja e autostradës Arbër Xhafer, në kyçjen në autostradën Ibrahim Rugova, që është në Fushë Kosovë. Punët po shkojnë mbarë, natyrisht ajo që është publike dhe që e dinë të gjithë qytetarët, është se kemi vështirësi buxhetore në realizimin e projektit në afat. Ne po bisedojmë me kontraktonin Bechtel Enka,  që nëse mundemi, ti kemi dy opsione, ose shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve apo eventualisht shtyrja e pagesave ndërsa punimet të kryhen me kohë. Besojmë që gjatë këtij muaji, eventualisht gjysmës së parë të muajit tetor do ta arrijmë një marrëveshje përfundimtare me kontraktorët tonë. Përndryshe, jemi të kënaqur me zhvillimin e punimeve që i kryen kontraktori.

Bota sot: Opozita ju ka akuzuar për mungesë transparencë në lidhje me mos publikimin e kontratës me Bechtel Enkën për rrugën Prishtinë-Hani i Elezit. A qëndron ky version i opozitës?

Lufi Zharku: Në realitet, kontrata ka qenë publike në kohën që unë nuk kam qenë ministër, por me nënshkrimin e kontratës, ajo është bërë publike, edhe sot kontrata natyrisht që është publike,  për çdo qytetarë që është i interesuar, natyrisht e ka të drejtën e tij për qasje në dokumente zyrtare.

Bota sot: A do të kryhet  pjesa deri në Merdarë, e autostradës për të lidhur Kosovën me Nishin?

Lufi Zharku: Ju e dini që në kuadër të procesit të Berlinit, është një ndër projektet kryesore që i jepet një rëndësi politike, por e ka edhe rëndësinë e saj sa i përket lidhjes me rajonind.m.th. jo vetëm në aspektin politik por edhe në aspektin ekonomik. Është vazhdimi i autostradës prej Prishtinës deri në Nish, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe zhvillim dhe Bankën Investive dhe natyrisht komisionin evropian, jemi në fazën e hartimit të studimit të fizibilitetit. Besojmë se studimi i fizibilitetit do të jetë i gatshëm në tetorin e këtij viti, d.m.th kah fundi i tetorit dhe në përputhje me studimin e fizibilitetit do të vazhdohet edhe me procedurat tjera. Mund të cek, që ka një interesim të jashtëzakonshëm qoftë nga ana e qeverisë serbe, qoftë nga ana jonë por edhe nga ana e qeverisë shqiptare për lidhjen e këtij korridori duke marrë parasysh nevojën e madhe të të gjithë kësaj pjese të Evropës, po flasim për Serbi, për Evropën Lindore me detin Adriatik përmes Autostradës Tiranë e deri në portet e Shqipërisë.

Bota sot: A janë neglizhuar fushat e tjera të zhvillimit në Kosovë, për shkak se ka pasur shpesheherë ankesa, se rëndësia më e madhe i është kushtuar ndërtimit të rrugëve

Lufi Zharku: Në realitet këtu mund të flasim për koncepte të ndryshme politike, për zhvillimin e vendit por edhe konceptet politike për zhvillimin ekonomik. Qeveria e sheh si të domosdoshme zhvillimin e infrastrukturës rrugore, si bazë apo si themel për zhvillimin ekonomik të vendit. Përkundër asaj që absorbon një pjesë të madhe të buxhetit në asfalt, është e domosdoshme kjo pjesë. Natyrisht në përputhje me teoritë ekonomike çdo investim kapital që bëhet rritë bruto produktin e vendit, kështu që kjo ndikon në zhvillimin ekonomik dhe unë besoj, se duhet të përqëndrohemi të gjithë që ta përfundojmë infrastrukturën rrugore, për 4 apo 5 vitet e ardhshme deri në vitin 2020 dhe natyrisht qeveria pastaj të fokusohet në fushat e tjera. Unë jam ministër për infrastrukturë dhe i jap shumë rëndësi këtij segmenti, pa përjashtuar që edhe në fushat e tjera kanë nevojë për investime kapitale jo vetëm kapitale por edhe investime të tjera, siç është shëndetësia, arsimi, bujqësia apo cilado fushë tjetër.

Bota sot: Po sa i përket projekteve për linjat hekurudhore, si kanë ecur punët deri më tash?

Lufi Zharku: Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, ka filluar vitin e kaluar. Procedurat për përzgjedhjen e kompanisë, e cila është duke e kontrolluar projektin në detaj për rehabilitimin së paku të pjesës së parë. Ju e dini, projekti është i ndarë në tre faza, është faza e parë Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë, faza e dytë prej Fushë Kosovës deri në Mitrovicë dhe faza e tretë prej Mitrovice deri në Leshan. Në fazën e parë po punohet në hartimin e projektit detaj dhe jemi në fazën e parakualifikimit të kompanive  për ekzekutimin e punimeve. Në marrëveshje me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim kemi një situatë, në të cilën e kemi ngadalësuar punën e parakualifikimit, për shkak se jemi në fazën e shqyrtimit të mundësisë për futjen në nëntokë të hekurudhës në Ferizaj, një segment prej afër 2 km. Ne besojmë, se deri në fund të këtij viti do të mundohemi ta kryejmë studimin e fizibilitetit për një projekt të tillë dhe pas studimit të fizibilitetit do të dalim me qëndrime konkrete për mënyrën se si do të vazhdohet projekti. Lidhur me këtë projekt janë nënshkruar marrëveshjet për hua me bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim afër 39 milion euro. Marrëveshja tjetër është për Bankën Evropiane Investive prej 41 milion euro që do të thotë se 80 milion i kemi hua. Në anën tjetër mbi 50 milion janë grant nga ana e Komisionit Evropian i cili është zotuar që do të do t`i jap deri në 80 milion e që i bie se gjithë rruga apo rehabilitimi i kësaj rruge të rëndësishme do të bëhet 50% me grante, 50% me hua të buta nga dy partnerët tanë kryesor në këtë fushë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Investive.

Bota sot: Sa mund të jetë e realizueshme linja hekurudhore me Shqipërinë?

Lufi Zharku: Vitin e kaluar kemi pasur një takim me ish-ministrin Haxhinasto në lidhje me këtë çështje dhe interesimi ynë ka qenë që të vazhdohet me procedurat, së pari me hartimin e studimit të fizibilitetit dhe vazhdimin e projektit detaj. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm, që përkundër vullnetit të madh politik që ekziston nga të dyja palët, Kosova e ka pak më të lehtë që ta kryejë këtë punë për shkak se i kemi vetëm 17 km, kurse nga ana e Qeverisë shqiptare janë nëse nuk gaboj 108 km, kështu që është një kosto e madhe për ta. Natyrisht që mbetet si projekt ideor por jemi për një fazë të ardhshme për shkak të kufizimeve buxhetore nga ana e qeverisë shqiptare, nuk kemi mundur të kemi një zotim për fillim të shpejt të punimeve. 

Bota sot: Në kuadër të këtyre projekteve, a po mund ta realizoni kushtin e BE-së për infrastrukturën rrugore?

Lufi Zharku: Të gjitha rrugët e reja që ndërtohen, natyrisht se jemi plotësisht në suaza të plotësimit të të gjitha standardeve evropiane, që kanë të bëjnë me rrugët. Në zgjerimin e rrugëve kemi të bëjmë me më shumë probleme për shkak se që të gjithë kemi ndërtuar shtëpi rreth rrugëve dhe natyrisht është shumë vështirë të bëhet shpronësimi dhe të prishet jeta e njerëzve që kanë jetuar te autostrada, mirëpo rrugët e reja janë plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Bota sot: Pse ka patur zvarritje në tenderin për autostradën Ibrahim Rugova?

Lufi Zharku: Ka pasur zvarritje të ndryshme qoftë për shkak të ankesave të kompanive. Ka qenë një zvarritje prej 7-8 muajsh, kemi pasur të bëjmë me një bord të kaluar të OSHP-së, kemi pasur disa vonesa por tash kompanitë po i kryejnë punët e tyre.

Bota sot: A ka patur reagime  nga OSHP –ja për këtë tender?

Lufi Zharku: Tenderi është kryer vitin e kaluar. Ministria ka përzgjedhur dy kompani shumë të lira. Pas ankesave, OSHP-ja ka vendosur ndryshe. Përkundër mendimeve ndryshe që mund të kemi i respektojmë vendimet e institucioneve publike të Republikës së Kosovës. Në përputhje me vendimet e OSHP-janë zgjedhur edhe kompanitë, në përputhje me rekomandimet e tyre.

Bota sot: A do të ketë taksë rrugore për Autostradën Ibrahim Rrugova?

Lufi Zharku: Qëllimi ynë ka qenë që për një kohë të shohim implementimin e këtij projekti në anën e Shqipërisë. Siç e shihni në anën e Shqipërisë ka pasur disa vonesa, prapë është përzgjedhur një kompani, prapë është anuluar vendimi dhe është përzgjedhur një kompani tjetër. Unë jam ithtarë i asaj që të shohim zbatimin e këtij projekti në anën shqiptare dhe pastaj të vazhdojmë në anën tonë. Natyrisht e shohim si një hap të mirë nga ana e tyre, pasi koncesionimi i vetëm 60 km rrugë nuk besoj se do të na sillte ndonjë ofertë jashtëzakonisht të mirë për vendin tonë. Kështu që do të ishte mirë të presim edhe përfundimin e rrugës për Shkup, autostradës Arbër Xhaferi dhe natyrisht të kemi një ofertë shumë më të mirë, te secili koncesionar. Ndërsa nuk besoj se në afat të shkurtër do të fuqizohet apo do të fillojmë me pagesë për autostradën por gjithsesi do të mbetet me siguri për qeverinë e ardhshme.

Bota sot: Si është duke rrjedhur shpronësimi i pronave, në projektet e autostradave?

Lufi Zharku: Ju e dini që Ministria merret me përcaktimin e trasesë apo me përcaktimin e vijës shpronësuese nga kalon autostrada apo cilado rrugë tjetër, natyrisht në përputhje me elaboratin e shpronësimeve ne e dorëzojmë atë te Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Ata janë të autorizuar apo është kompetencë e tyre është shqyrtimi i elaboratit të shpronësimi dhe natyrisht kryerja e shpronësimeve dhe çështja e vlerësimit është në kompetencë të vlerësuesve të autorizuar nga ana e Ministrisë së financave. Po për çështjen e pagesave dhe shpronësimeve është e autorizuar Ministria e Ambientit dhe natyrisht ne si Ministri e Infrastrukturës nuk kemi qasje në ato çështje.

Bota sot: Sa janë të kënaqur pronarët e tokave me kompensimin?

Lufi Zharku: Nga ajo që shohim dhe që dëgjojmë, banorët janë të kënaqur me çmimet. Natyrisht nuk përjashtohen rastet ku mund të ketë pakënaqësi në vlerësimet e tilla por në parim janë të kënaqur.

Bota sot: Sa përqind të punëve në ndërtimin e Autostradave i kryejnë kompanitë vendore?

Lufi Zharku: Unë besoj se shumicën e punëve i kryejnë, tash me përqindje nuk mund të them, por shumicën e punëve në autostradën tonë i kryejnë kompanitë vendore. Natyrisht jam i vetëdijshëm për ankesat që kanë kompanitë vendore për çmimet e lira, megjithatë duhet sqaruar për të gjitha kompanitë që ai është një aspekt kontrakual i Bechtel-it me ata. Ne nuk kemi kurrfarë të drejte as ligjore as kontraktuale të përzihemi në ato punë. Por, shumica e tyre kryhen nga kompanitë tona, ata kanë obligim që t`i marrin kompanitë tona dhe kanë obligim që ti punësojnë qytetarët tonë dhe natyrisht kanë edhe të drejtë të sjellin ekspertë nga jashtë, por që natyrisht punën e tregut e kanë punën e njëjtë që zakonisht punën  e njëjtë nuk e paguan askush më shumë se sa të merret dikush nga jashtë.

Bota sot: A do të ketë edhe nga pala maqedonase, ndërtim të autostradës dhe sa do të ndikojë ajo në zhvillimin e komunave jugore?

Lufi Zharku: Ne bisedojmë shpesh në takimet e tona në kuadër të Forumit të Ballkanit Perëndimor, shpesh e kemi biseduar edhe me Ministrin e kaluar por edhe me ministrin aktual vazhdimin e autostradës nga Shkupi deri në Han të Elezit, që është 12 deri në 13 km. Sqarimet e tyre kanë qenë se ato e kanë në planet e tyre dhe janë të interesuar por qasja na ndryshon. Ne do të provojmë se pasi që me koncesion ta kryejmë atë çështje dhe nëse nuk gjejmë mundësi ta kryejmë me koncesion atëherë do të angazhohemi që të gjejmë fonde publike. Ne ua kemi bërë të qartë se ajo është e një rëndësie të veçantë që të bëhet lidhja edhe e atyre 12-13 km nga ana e qeverisë. Unë besoj që me qeverinë e ardhshme kjo çështje do të shkoj më tutje dhe do të zgjidhet.

Bota sot: A  ka kontraktuar Ministria ndonjë kompani për mbikëqyrjen e autostradës për Shkup?

Lufi Zharku: Segmentet që i lëshojmë në qarkullim natyrisht ato i mbikëqyrim. por jo edhe segmentet që nuk janë lëshuar ende në qarkullim. Aktualisht e mirëmbajmë vetëm segmentin që fillon prej kyçjes së dy autostradave deri në Veternik. Njëra është e mirëmbajtur, por pjesa tjetër e cila nuk është e kyçur, nuk është e mirëmbajtur natyrisht derisa nuk bëhet pranim-dorëzimi i një segmenti.

Bota sot: Përse ka vonesa në ndërtimin e rrugëve rajonale?

Lufi Zharku: Vonesat kryesisht shkaktohen për shkak të problemeve pronësore. Natyrisht duhet ta pranojmë se kemi probleme edhe një projektimin e rrugëve tona që bëhen nga kompanitë e ndryshme projektuese, por që ato zgjidhen gjatë punës. Ndërsa, problemet kryesore qëndrojnë tek shpronësimet dhe natyrisht plotësimit të kërkesave të ndryshme të banorëve nga kalon një rrugë. Por, jam i kënaqur pasi vitin e kaluar pas një kohe të gjatë e kemi kryer pjesën prej Milloshevës deri në Lummadh apo Stanovc. Kurse, sivjet po shpresojmë që përkundër vështirësive që i kemi pasur po e kryejmë edhe pjesën prej Kijevit deri në Gjurgjicë.

Bota sot: Cilat  janë planet tuaja, sa i përket çështjes së autoshkollave dhe patentshoferëve?

Lufi Zharku: Me ligjin e ri po mundohemi të kemi një transparencë shumë më të madhe me masat që i marrim në rritjen e transparencës dhe aftësimin shumë më kualitativ të kandidatëve për patentë shoferë në mënyrë që të kemi shoferë,  të cilët e japin provimin por natyrisht edhe që i plotësojnë të gjitha kushtet për të ngarë veturat. Kemi bërë një riorganizim të të gjithë departamentit për patentë shofer. Pastaj i kemi dhënë një rëndësi të posaçme ndarjes së Departamentit për patentë shoferë nga departamenti i automjeteve. Pas kësaj ndarje në fillim të këtij viti kemi filluar edhe me aplikimin e sistemit të monitorimit nëpër qendrat ku mbahen provimet për patentë shofer dhe natyrisht sistemin e monitorimit me kamera në vetura apo gjatë pjesës praktike të dhënjes së provimit për patentë shofer. Jemi aktualisht në përfundim e sipër të projektit IShoferi i cili do të ketë një rëndësi të posaçme për autoshkolla, për shkak se tash do të kemi qasje online të Ministrisë së Infrastrukturës me të gjitha autoshkollat, për ta përcjellë punën e tyre, inspektimin apo mbikëqyrjen në mënyrë që ato të kryjnë sa më mirë punën e tyre. Së shpejti do ta aplikojmë edhe sistemin e Itestimit me të cilin do të barazohemi me të gjitha shtetet evropiane për mënyrën e dhënies së provimit për patentë shofer. Natyrisht në pjesën e fundit pra të I- testimit i kemi disa vështirësi të cilat, janë jashtë mundësive tona për shkak se ka disa ankesa prej disa kompanive. Projekti është stërzgjatur, është ende në procedurë të hapur të tenderimit, por që besojmë që pas vendimit të fundit që e kemi marr nga OSHP-ja, do të vazhdojmë tutje me hapje të ofertave për përzgjedhjen e kompanisë. Në momentin që implementohet ky projekt unë besoj se për të gjithë qytetarët do të jetë një e arritur e madhe për shkak se do të kemi një testim kualitativ dhe një aftësim sa më të mirë të të gjithë kandidatëve për patent shofer.

Bota sot: Ka pasur ankesa edhe për ngritje të çmimit, apo shtimit të numrit të orëve?

Lufi Zharku: Nuk është ngritur çmimi sepse çmimi është për orë. Ne me ligjin e ri nuk kemi paraparë lëvizje të çmimit. Çmimi ka mbetur i njëjtë. Në realitet ne kemi propozuar 30 orë për aftësim praktik e që është në përputhje me standardet evropiane. Prej atyre 15 që ka qenë, natyrisht parlamenti ka vendosur për 20 orë dhe me 20 orë do të vazhdohet. Pra është një lëvizje e vogël e çmimit në krahasim me çmimin e kaluar, pra nuk është një rritje ashtu siç ne kemi dashur të jetë në përputhje me standardet evropiane që të kemi një dyfishim të orëve prej aftësimit praktik. Pra jemi dëshmitar që të gjitha aksidentet që i kemi, mbi 50% të rasteve është shkaktarë faktori njeri. Kjo nënkupton, qoftë mospërshtatjen e shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, qoftë mosmbajtja e distancës, qoftë përdorimi i  telefonit. Të gjitha lidhen me sjellje të papërgjegjshme të shoferëve tanë. Kështu që përpos gjobave që tash me ligjin e ri dhe rregullat e trafikut rrugor, aftësimi i duhur i kandidatëve për patënt shofer është i një rëndësie të posaçme.

Bota sot: A ka  hequr  dorë Kosova  nga porti i Shëngjinit  dhe nëse po për çfarë arsyesh?

Lufi Zharku: Tash nuk mund të themi që kemi hequr dorë nga Porti i Shën Gjinit, megjithatë zhvillimet e ndryshme në infrastrukturë mund të japin përshtypjen e tillë. Nga ana e Qeverisë shqiptare ka pasur gatishmëri edhe në kohën sa kam qenë Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, por që duhet të themi se duhet të bëhen disa analiza më të thella për marrjen e portit të Shën Gjinit në përdorim apo në shfrytëzim vetëm nga ana jonë. Nuk mund të merret porti i Shëngjinit në përdorim, nëse në anën tjetër nuk i kemi disa marrëveshje sa i përket tregtisë, që nevojiten për t`i paraprirë kësaj çështjeje. Kështu që kjo është cështje pak më e gjerë. Ne jemi të interesuar që portin e Shëngjinit ta shfrytëzojmë por natyrisht duke i paraprirë të gjitha procedurave ligjore dhe analizave të nevojshme për këtë çështje.

Bota sot: Jeni akuzuar se po i favorizon kompanitë e afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Madje, thuhet se nuk po përfill as rregullat e prokurimit kur është në pyetje dhënia e tenderëve kompanive të afërta me partinë. Cili është version juaj?

Lufi Zharku: Dua të jem i qartë, që respektohet në plotni, absolut ligji i prokurimit. Mund të ju them se sivjet në 90% të rasteve punët ministria i ka shpallur si fituese kompanitë që kanë konkuruar me çmimin më të lirë. Ne nuk e kemi atë problem. Ministria dhe departamenti i prokurimit është e përkushtuar që të zbatohet ligji në përpikmëri dhe natyrisht në ruajtjen e buxhetit. Absolutisht nuk vlejnë dhe nuk kanë kurrfarë baze çfarëdo akuze që bëhet ndaj meje që ka të bëjë me ndarje partiake të tenderëve.

Bota sot: Gjithashtu është thënë, në media se Ministria e Infrastrukturës , ka pajisur me licencë për terminal të mallrave edhe kompaninë e drejtuar nga Arben Mustafa, djali i kryeministrit Mustafa. Si u licensua kompania e djalit të kryeministrit, a nuk ka pasur kërkesa nga kompani të tjera?

Lufi Zharku: Është licensuar sipas procedurave ligjore dhe udhëzimit administrativ që është në fuqi. D.m.th, sikurse çdo terminal tjetër. Ajo kompani ka operuar edhe më herët, natyrisht në përputhje me udhëzimin administrativ. Unë nuk dua të kthehem se përse nuk është licensuar deri atëherë dhe për këtë duhet tjetërkush të përgjigjet tjetërkush se përse nuk është licensuar. Por, kompania tash është licensuar me të gjitha pikë e presje të udhëzimit administrativ që është në fuqi.

Bota sot: Po a mendoni se kjo përbën konflikt interesi?

Lufi Zharku: Jo, nuk përbën konflikt interesi sepse çdokush është i lirë të punoj. Nuk mundet që sot t`i bëhet dikujt, babai kryeministër apo ministër dhe ti thotë familjarëve të tij mbylli të gjitha bizneset sepse është babai kryeministër ose unë jam bërë ministër dhe t’ju them vëllezërve. Por që ligji duhet respektuar. Më vjen mirë që as qeveria e as kompania,  nuk kanë lidhje me njëra tjetrën pasi asnjë tender nuk e ka në Qeveri. Sikurse do të mund të ekzistonte një konflikt interesi por asnjë tender ai terminal nuk ka me qeverinë, që do të mund të krijonte përshtypjen e një favorizimi të caktuar. Tash është Agjencioni Kundërkorrupsion që do ta vlerësoj këtë dhe ta shqyrtoj konfliktin e interesit. Por, nga pikëpamja ime, absolut nuk ka asnjë lidhje.

Bota sot: Le të kthehemi tek situata në partinë ku ju bëni pjesë. A ka përçarje në LDK ?

Lufi Zharku: Përçarje nuk besoj që ka. Mund të ketë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme. Lidhja Demokratike, kam bindjen e thellë, sepse jam pjesë e saj, që është njëmend demokratike dhe çdokush e ka të drejtën dhe e shpreh mendimin e vet në mënyrë publike, pa kurrfarë hezitimi. Ne mund të diskutojmë për çështje të ndryshme, të gjithë anëtarët e kryesisë. Ne nganjëherë nuk pajtohemi për çështjet e ndryshme ndërmjet vete, që nuk kanë të bëjnë me përçarjet, por kanë të bëjnë me kundërshtitë që e çojnë edhe partinë përpara por edhe vendin përpara.

Bota sot: A i ka LDK-ja votat e deputetëve për ta votuar Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi?

Lufi Zharku: Unë besoj se deputetët tanë do të vendosin në të mirën e vendit, jam më se i sigurtë për këtë, se të gjithë deputetët e LDK-së janë të përgjegjshëm dhe do të vendosin në të mirën e vendit në momentin kur demarkacioni është në rend dite.

Bota sot: Po cili është qëndrimi juaj sa i përket kësaj çështjeje?

Lufi Zharku: Opinioni im është që deputetët janë unik në përkrahje të demarkacionit përkundër asaj që kemi rezerva apo mendime të ndryshme për çështje të caktuara.

Bota sot: Si janë raportet tuaja si LDK me partnerin e koalicionin PDK-në?

Lufi Zharku: Besoj që mirë, së paku në qeverisje si partnerë të koalicionit ne bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë. Por, unë besoj se edhe nga aspekti partiak që më shumë e udhëheqin atë çështje e cila i takon nënkryetarit apo sekretarit të partisë, apo brenda grupit parlamentar. Por mund të them se është një raport korrekt dhe të mirë për ndërtimin e vendit dhe për një qeverisje të mirë.

Bota sot: PDK-ja është duke i bërë disa ndryshime Qeveri duke emëruar ministra të rinj, si qëndron puna me LDK-në në këtë aspekt?

Lufi Zharku: Natyrisht se dy partnerët e koalicionit duhet të ulen dhe e vlerësojnë punën e secilit ministër të secilës fushë. Ndryshimet që janë bërë nuk kanë të bëjnë me ndryshime në vlerësim të performancës. Ju e dini që Presidenti ka qenë zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të jashtme dhe natyrisht si ish zv/kryeministër ministër dhe ish ministër i Punëve të Jashtme tash është President dhe janë dy vende të lira në qeveri, të cilat  janë zëvendësuar me zëvendëskryeministrin Kuçi i cili e ka lëshuar postin e Ministrisë së Drejtësisë dhe është zëvendësuar me Ministren Hoxha. Në anën tjetër, Ministri Çollaku ka shprehur dëshirën që të kaloj në Presidencë, gjë që është çështje personale dhe që ka të bëjë me organizmin në PDK. Por, që nuk ka të bëj me vlerësime kjo çështje.

Bota sot: Kur do të ndodhë riformatizimi në bazë të vlerësimeve?

Lufi Zharku: Është çështje ekskluzive e Kryeministrit. Në momentin që Kryeministri e vlerëson që duhet të bëhen qoftë fuzionime, qoftë ndërrime në kabinet etj, ajo është çështje ekskluzive e tij dhe e drejtë kushtetuese e tij dhe natyrisht në momentin që e vlerëson më të mirë do ta kryej këtë çështje.

Bota sot: Në rast se nuk kalon marrëveshja për Demarkacionin, a rrezikon vendi që të shkoj në zgjedhje dhe sa është e gatshme LDK-ja për këtë?

Lufi Zharku: Së pari, LDK-ja është çdoherë e gatshme për zgjedhje. Ne nuk e kemi problemin e zgjedhjeve, as LDK-ja e as koalicioni si koalicion. Por demarkacioni nuk lidhet me zgjedhje. Në zgjedhje mund të shkohet kur nuk i ke 61 vota për kalimin e një çështjeje. Demarkacioni është çështje nacionale që nuk duhet ta lidhim me koalicionin dhe me zgjedhje. Mua personalisht më vjen keq që kemi divergjenca të ndryshme sa i përket opozitës dhe pozitës për çështjen e demarkacionit. Por, demarkacioni nuk është çështje për të cilën vendi duhet të shkoj në zgjedhje, sepse kjo nuk e zgjidhë problemin. Ne duhet bashkërisht të ulemi dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët për kalimin e demarkacionit apo për çfarëdo zgjidhje tjetër për të cilën merren vesh partitë politike. Në zgjedhje mund të shkohet në momentin kur koalicioni nuk i ka 61 vota në Kuvend, apo me vullnetin e të dy palëve po supozojmë që e vlerësojnë se është më mirë që vendi të shkoj në zgjedhje. Por, demarkacioni nuk lidhet me zgjedhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat