Politologu Ukaj flet për zhvillimet e fundit në vend/ Përmend Asociacionin dhe dialogun!

Intervista

Politologu Ukaj flet për zhvillimet e fundit në vend/ Përmend Asociacionin dhe dialogun!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 maj 2024 Në ora: 12:06
Fidan Ukaj

Në lidhje me zhvillimet e fundit në vend në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur politologu Fidan Ukaj.

Ai së pari foli për çështjen e mospërfshirjes së Kosovës në agjendën e KiE-së, duke e parë të padrejtë kushtin për themelimin e Asociacionit.

Sa i përket shkrimit të draftit të Asociaiconit nga Kosova, Ukaj kritikon institucionet e Kosovës që nuk e kanë shkruar më herët një draft – statut dhe ta paraqesin tek faktori ndërkombëtar.

Gjithashtu, Ukaj u pyet për letrën e Gjermanisë, Francës dhe Italisë dërguar Kosovës, ku u shpreh se të njëjtit po kërkojnë tashmë veprime dhe jo zotime nga ana e Kosovës.

Për dialogun Kosovë – Serbi politologu thotë që do të jetë një vit i 'zbehtë' për avancim në këtë drejtim.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni mospërfshirjen e Kosovës në agjendën e KiE-së?

Fidan Ukaj: Ka një kohë të gjatë që nuk kemi anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare dhe njohje nga shtetet mosnjohëse dhe për rrjedhojë na kanë vendosur kushte në rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe në Bashkimin Evropian. Vendosja e këtyre kushte siç është: dërgimi për interpretim i draftit në Gjykatën Kushtetuse dhe zbatimi i akordimit të Brukselit dhe ankesit të Ohrit mendoj që janë të padrejta e në rastin konkret vendosja e kushtit për Asociaiconin në rrugën e Kosovës për në KiE, është një padrejtësi që i bëhet qytetarit të Kosovës, gjë të cilin nuk e kemi parë në Raportin zonjës Bakojani, e poashtu edhe Asambleja Parlamentare e KiE-së e hodhi poshtë me votë.

“Bota sot”: Sa i përket Asociacionit, sa ka gjasë që një draft i tillë të pranohet duke e ditur që vet ndërmjetësit kanë propozuar një draft që tashmë është refuzuar nga Qeveria?

Fidan Ukaj: Ne e kemi dëgjuar Z. Escobar i cili ka thënë se ne kemi pritur një draft nga institucionet e Kosovës dhe deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur, edhe pse nga Qeveria e Kosovës është thënë që një kërkesë e tillë është refuzuar nga facilituesi (ndihmësi) i dialogut z.Lajçak. Mirëpo, tanimë në deklaratën e fundit nga BE thanë se, ne do të shohim se çfarë do të përmbajë drafti i Asociacionit që Qeveria e Kosovës mendon ta shkruaj dhe më pastaj ne do të japim komentet tona rreth draftit. Ndër të tjera, mendoj që është kohë e humbur nga institucionet e Kosovës mos shkrimi i një draft-statuti të cilin institucionet e Kosovës do ta mbanin në sirtatin e tyre dhe ta propozonin para faktorit ndërkombëtar, si përgjigjje në kërkesën për dërgimin në interpretim në Gjykatën Kushtetuese të draftit për Asociacionin, me çka do të përmbushej kërkesa e kahmotshme e faktorit ndërkombëtar për impelementimin e kërkesës për Asociacion, zotim të cilin kryeministri Kurti e ka marrë në marrëveshjen e Brukselit dhe Ankesit të Ohrit.

“Bota sot”: Sa janë gjasat që gjatë mandatit të Qeverisë Kurti të kemi një draft të Asociacionit?

Fidan Ukaj: Mendoj se gjasat që Kosova ta shkruaj një draft para se të shkojmë në zgjedhjet nacionale (të parakohshme) janë minimale dhe jam i bindur që kryeministri Kurti do të jetë ai i cili do ta themeloj Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ashtu siç urdhëroi Agjencinë Kadastrale të Kosovës për kalimin e 24 hektarëve të tokës në pronësi të Manastirit të Deçanit.

“Bota sot”: Para disa ditëve është dërguar një letër nga Gjermania, Italia dhe Franca për themelimin e Asociacionit. Si e keni parë ju këtë çështje?

Fidan Ukaj: Zotime në letra në adresë të Bashkimit Evropian kemi pasur disa herë, e po ashtu kemi pasur edhe zotimin e tre krerëve institucional që do ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Megjithatë, vendet e QUINT-it nuk po kërkojnë zotim por po kërkojnë veprim, gjë të cilën Qeveria Kurti nuk e ka bërë deri më tani. Mbetet të shihet a do të reflekojnë ndaj kësaj kërkese të disa hershme nga ana e shteteve si Gjermania, Italia, Franca dhe SHBA.

“Bota sot”: Një temë e rëndësishme padyshim është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku deri më tani nuk kemi një zbatim të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ankesit të Ohrit. Si e shihni këtë proces të bisedimeve?

Fidan Ukaj: Kishte përpjekje maksimale në fillim të këtij viti, një ofensivë diplomatike e zotit Lajçak edhe zotit Escobar me vizitat e tyre në rajon, Kosovë dhe Serbi në funksion të zbatimit të marrëveshjeve, megjithatë nuk kishte një lëvizje në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dhe mendoj viti 2024 do të jetë vit i ‘zbehtë’ sa i përket presionit ndërkombëtar mbi palët në zbatim të marrëveshjeve të akorduara më herët, për arsyje se zoti Lajçak do të largohet nga facilitimi i procesit dialogues, e poashtu edhe zoti Escobar e me gjasë edhe zoti Borrell. Muaji qershor është muaji zgjedhor në Bashkimin Evropian e fundviti në SHBA, që i bie se ndrrimi i facilituesëve (ndihmuesëve) të procesit dialogues e po ashtu zgjedhjet në BE e SHBA, e minimizojnë angazhimin ndërkombëtarë në presion mbi palët për t’i zbatuar marrëveshjet e dakorduara më herët. Me gjasë edhe në Kosovë, vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme nacionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat