“Vuçiq në panikë”, eksperti ia jep lajmin e keq presidentit serb: Ja pse duhet t’i besojmë Kurtit dhe Osmanit për sulmin e ri

Intervista

“Vuçiq në panikë”, eksperti ia jep lajmin e keq presidentit serb: Ja pse duhet t’i besojmë Kurtit dhe Osmanit për sulmin e ri

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 janar 2024 Në ora: 12:00
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Eksperti i çështjeve të sigurisë Arben Dashevci, vlerëson se gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, është e brishtë.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi direkt nga Serbia në Kosovë, pasi sipas tij, nëse Aleksandar Vuçiq e merr këtë vendim, ai do të ballafaqohet me NATO-n.

Dashevci ka theksuar se presidenti serb është në panikë dhe po propagandon për konsumin e tij të brendshëm në Serbi.

Image
Arben Dashevci

Në këtë intervistë, eksperti ka folur edhe për dy lajme të mira për Kosovën.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni aktualisht gjendjen e sigurisë në territorin e Kosovës, veçanërisht në veri?

Arben Dashevci: Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës, veçanërisht matan lumit Ibër, është momentalisht e qetë, por e brishtë, që do të thotë vigjilencë maksimale. Pra, në aspektin e sigurisë gjendje e portokalltë, do të thotë vigjilencë maksimale dhe organet tona të sigurisë po e bëjnë një punë të shkëlqyeshme.

“Bota sot”: Krerët shtetërorë në Kosovë kanë paralajmëruar se Serbia, po përgatitet për një sulm të ri në vend pas atij të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas jush, a ekziston një rrezik i tillë?

Arben Dashevci: Ne si qytetarë të Republikës së Kosovës jemi të prirur dhe duhet t’i besojmë institucionit që quhet President/e dhe Kryeministër/e, sepse ata pranojnë informata kredibile nga organet tona të sigurisë. Vlen të ceket se organet tona të sigurisë kanë kapacitete të plota për veprim në çdo kohë dhe në çdo cep të Republikës së Kosovës, gjithmonë në bashkëveprim me reaguesin e tretë KFOR dhe reaguesin e dytë EULEX, në partneritet dhe koordinim të plotë me SHBA-të.

“Bota sot”: A mund të ndihet “i motivuar” Vuçiq për një sulm të ri në Kosovë, marrë parasysh që Sebia nuk u ndëshkua nga ndërkombërarët dhe hetimet për këtë sulm ende nuk kanë përfunduar?

Arben Dashevci: Vuçiq nuk ndihet i motivuar, përkundrazi është në panikë dhe propagandon për konsumin e tij të brendshëm atje, sepse ky mbijeton me propagandë kur dihet se ka qenë ministër propagande i kasapit të ballkanit Millosheviq. Ai e din që nëse e sulmon Kosovën, e sulmon NATO-n dhe ballafaqohet me aleancën. Kështu që, unë mendoj se sulm direkt/ frontal nga Serbia nuk mund të ketë, por propagandë dhe luftë hibride po.

“Bota sot”: Çka do të thoë për Kosovën miratimi nga Departamenti amerikan i shtetit, për blerjen e 246 raketave anti-tanke “Javelin”, në kohën e tensioneve me Serbinë?

Arben Dashevci: Raketat e porositura “Javelin”, janë lajm i mirë për shtetin e Kosovës. Ushtria e Kosovës po forcohet dhe po furnizohet me armë që kanë karakter mbrojtës, sepse ne tek e fundit nuk e kemi sulmuar askënd në histori, por jemi mbrojtur dhe vazhdojmë ta bëjmë atë si shtet në 24/7. Dhe ky proces i armatimit nuk ndalet deri në aritjen e kapaciteteve të plota mbrojtëse dhe vetëm mbrojtëse.

“Bota sot”: Si e shihni nismën e kryetarit të Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, i cili dorëzoi në Kuvend një amendament për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin, pasi kërkon rialokim të rreth 50 milionë eurove ndihmë ushtarake për Kosovën?

Arben Dashevci: Nisma e kryetarit të Partisë Demokratike është e rëndësisë së veçantë dhe duhet përshëndetur si ndihmë e vëllaut për vëllanë kur paraqitet nevoja, pasi ne kemi nevojë për ndihmë. Andaj, është një lajm i mirë dhe shpresoj të aprovohet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Bota sot”: Vrasja makabre e Liridona Ademajt tronditi vendin dhe ende vazhdon misteri. A besoni se një ditë do të zbulohet motivi i këtij krimi "të planifikuar" nga bashkëshorti i saj Naim Murseli - ish-këshilltar i Behgjet Pacollit, i cili dy ditë më parë në Gjykatë ka dhënë një version ndryshe mbrojtës, nga ajo që u raportua më parë në media?

Arben Dashevci: Vrasjet makabre në Kosovë po ndodhin pothuajse çdo ditë rasti i Pejës (Djali ia preu kokën nënës), rasti që ju po e përmendni (Burri porost vrasjen e gruas) dhe rasti në Podujevë, ku jetimi goditet me shkop bejsbolli në mënyrë brutale nga bashkmoshatarët dhe si pasojë vdes pas 7 ditësh.

Ne duhet t’i lëmë organet e rendit ta bëjnë punën e tyre, hetuesit janë shpresa dhe zëri i viktimave. Hetuesit tanë në çdo rast po e kryejnë punën e tyre profesionalisht, drejtë dhe në kohë rekorde. Andaj, në këso raste makabre, por edhe në çdo rast tjetër, Policia e bën punën e vet profesionale dhe ne duhet përkrahur vazhdimisht 24/7.

Vlen të ceket në fund, se ne kemi Policinë më profesionale në rajon, andaj e ka përkrahjen maksimale nga populli, sepse është pjesë e popullit dhe buron nga populli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat