Ekskluzive/ Zyrtarja e Parlamentit Evropian: Serbia nuk do të ndëshkohet, ky shtet po i bllokon sanksionet!

Intervista

Ekskluzive/ Zyrtarja e Parlamentit Evropian: Serbia nuk do të ndëshkohet, ky shtet po i bllokon sanksionet!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 tetor 2023 Në ora: 14:30
Federica Woelk

Federica Woelk, Asistente e Akredituar e Parlamentit Europian ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit është i tmerrshëm, i planifikuar mirë dhe shumë më i madhe sesa pritej.

Woelk në një intervistë për gazetën “Bota sot”, shprehet se edhe sikur Radojçiqi të kishte “zhvilluar” planin gjithëpërfshirës, ai nuk do të mund ta kryente sulmin në këtë shkallë i vetëm dhe pa dijeninë apo pëlqimin e qeverisë serbe, prandaj sipas saj, Serbia ka qenë e përfshirë në të.

E pyetur nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, zyrtarja e Parlamentit Evropian thotë se nuk do të ketë, të paktën jo tani.

Image
Federica Woelk

Woelk thotë se pas 24 shtatorit dialogu ka dështuar dhe sulmi i tillë është dëshmi që ai nuk ka funksionuar.

Në intervistë Woelk flet edhe rreth njëanshmërisë së BE-së në dialog, përsëritjes së mundshme të një sulmi terrorist dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Intervistoi: Naile Ejupi

“Bota sot”: Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, komenti juaj rreth këtij sulmi dhe si e  vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë?

Federica Woelk: Ka qenë një sulm i tmerrshëm, i planifikuar mirë dhe shumë më i madh se sa pritej. Mendoj se shumë implikime ende nuk dihen plotësisht. Ka kaq shumë detaje që ende duhet të zbulohen – por tashmë ato që ka nxjerrë qeveria e Kosovës janë shumë shqetësuese. Jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Një sulm i tillë rrezikon edhe vende të tjera.

“Bota sot”: Autoritetet e Kosovës e akuzuan Millan Radojçiqin për aktin terrorist dhe Serbinë për përfshirje në të. Beogradi zyrtar e mohon këtë, ndërkohë e bën të dyshuar Radoiçiqin për disa vepra penale lidhur me blerjen e paligjshme të armëve dhe “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, por jo për veprat e lartpërmendura, për të cilat ai akuzohet nga Kosova. Tashmë është krijuar përshtypja se autoritetet në Serbi u detyruan të nisin një hetim për shkak të presionit ndërkombëtar, cili është komenti juaj rreth kësaj?

Federica Woelk: Jam dakord që Serbia nuk ka nisur hetimet sepse ka dashur, por është detyruar nga presioni ndërkombëtar. Por unë gjithashtu mendoj se provat e dhëna nga qeveria e Kosovës janë shumë të besueshme. Për momentin në Kosovë ka shumë armë të cilat qartazi vijnë nga Serbia dhe janë futur nga dikush në Serbi. Edhe sikur Radojciqi të kishte “zhvilluar” planin gjithëpërfshirës, ​​ai nuk do të mund ta kryente sulmin, në këtë shkallë, i vetëm dhe pa dijeninë apo pëlqimin e qeverisë serbe. Prandaj, po, mendoj se Serbia ka qenë e përfshirë në të.

“Bota sot”: Pas sulmit në Banjskë janë gjetur sasi e madhe armatimi, armët janë me origjinë nga Serbia, a mund të jetë argument ky se Serbia qëndron pas sulmit?

Federica Woelk: Nuk është prova përfundimtare, por sigurisht është një argument që Serbia e dinte në çfarëdo mënyre për këtë sulm dhe së paku i dha ndihmë Radojcicqit. Duhet të presim rezultatet e hetimeve, por duke parë edhe qëndrimin politik të Serbisë në lidhje me Dialogun me Kosovën, është fare e qartë se prioriteti i saj kryesor është destabilizimi i Kosovës me çdo mjet të mundshëm. Dhe kjo duhet dënuar ashpër. Një dialog nuk mund të funksionojë nëse pas tij ka dhunë.

“Bota sot”: Autoritetet në Kosovë thonë se sulmi ishte agresion i Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkojnë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, por nga BE presin përfundim të hetimeve, a mund të ketë masa ndëshkuese dhe çfarë do të ishin ato?

Federica Woelk: Pyetje shumë e mirë. Në fakt, dhe fatkeqësisht do të thosha jo, nuk do të ketë masa ndëshkuese. Të paktën jo tani. Çështja kryesore në lojë është fuqia e vetos që ka çdo MS: Hungaria po bllokon sanksionet ndaj Serbisë. Mund të merren masa të tjera, por duhet të ketë vullnet edhe nga Komisioni dhe për momentin nuk e shoh.

Parlamenti Evropian aktualisht është duke diskutuar një rezolutë për Kosovën, e cila do të votohet të enjten. Duhet të presim dhe të shohim nëse ata kërkojnë sanksione apo masa – mendoj se nuk ka gjasa. Fatkeqësisht, edhe dënimi i sulmit terrorist në Kosovë ka qenë shumë i dobët këtu në Bruksel. Jam shumë e trishtuar për këtë sepse e kuptoj plotësisht zhgënjimin që po rritet në Kosovë për shkak të pozicionimit të BE-së.

“Bota sot”: Sipas deklarimeve në Kosovë pa masa ndaj Serbisë mund të përsëriten veprime të ngjashme si i 24 shtatorit, madje kërkojnë masa ndëshkuese pastaj vazhdim të dialogut. A duhet shqetësuar për përsëritje të një sulmi terrorist dhe si duhet të veprohet me dialog?

Federica Woelk: Po, duhet të shqetësohemi për përsëritjen e një sulmi terrorist, sepse ai ishte i një përmasash dhe përgatitjesh aq të madhe sa që definitivisht ekziston një qëllim konkret për destabilizimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të vazhdojmë të komunikojmë informacione të sakta për sulmin dhe cilat mund të jenë pasojat e mundshme, në mënyrë që të ndërgjegjësohet edhe në BE, sepse tani është dukshëm në hije nga lufta në Izrael. Sipas mendimit tim, dialogu mund të vazhdojë vetëm nëse Serbia më në fund e pranon se nuk mund të marrë gjithçka dhe ta lë Kosovën pa asgjë; ose e njeh Kosovën të paktën de fakto, ose pranon që ASM-ja nuk është prioritet tani, ose fillon duke u dhënë më shumë të drejta shqiptarëve në Serbi. Por diçka duhet të japë Serbia, përndryshe ne mund të ndalojmë ta quajmë dialog dhe të fillojmë ta quajmë monolog. Kosova tashmë është duke i zbatuar disa ndryshime të kërkuara dhe po përgatit zgjedhjet në komunat veriore. Prandaj, është koha e fundit që Serbia të tregojë përkushtimin e saj ndaj procesit. Albin Kurti ka të drejtë; dialogu nuk mund të funksionojë nëse vetëm njëra palë duhet të zbatojë gjithçka dhe tjetra thjesht shikon procesin.

“Bota sot”: Vëzhguesit ndërkombëtarë, veçanërisht disa analistë amerikanë thonë se Uashingtoni dhe Brukseli ishin shumë të ashpër në qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, por jo ndaj Serbisë. Kujtojmë këtu që Kosovës i janë vënë disa sanksione për shkak të tensioneve në veri dhe ende nuk i janë larguar, ndërsa ndaj Serbisë nuk ka ndonjë masë, si e komentoni këtë?

Federica Woelk: Jam plotësisht dakord. Ishte një qasje kaq e padrejtë dhe e pa balancuar, ishte padyshim një përpjekje për ta mbajtur Serbinë afër BE-së dhe SHBA-së dhe larg Rusisë dhe Kinës. Një qasje e dështuar, nëse mund të them kështu, sepse në fund e dimë që Vuçiq po luan me të dyja palët, sa herë që i përshtatet më së miri. Unë gjithashtu mendoj se ka një mungesë të përgjithshme të njohurive se çfarë ndodh në terren në Kosovë dhe si trajtohen minoritetet në realitet. Pa këtë njohuri, nuk ka mundësi të kuptohet se kush kë po kërcënon vërtet këtu. Por në çdo rast sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë, sidomos pas këtij sulmi.

“Bota sot”: Duke parë zhvillimet e fundit në veri, përfshijmë këtu edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit, a ka dështuar dialogu Kosovë- Serbi dhe kujt duhet t’i lihet faji në rast të dështimit?

Federica Woelk: Sigurisht që ka dështuar, pasi ka pasur sulm dhe kjo është dëshmi se Dialogu nuk funksionoi. Por kjo nuk ishte përgjegjësi e Kosovës. Për mendimin tim, Serbia kurrë nuk ka dashur realisht të ketë një dialog të barabartë dhe të drejtë; ambicia e saj është vetëm të ndalojë njohjen e Kosovës. Pra, Vuçiq duhet fajësuar për dështimin e Dialogut dhe dialogu mund të rifillojë vetëm në momentin kur ai e kupton seriozisht se qasja e Serbisë në BE është në rrezik.

 “Bota sot”: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka “akuzuar” ndërmjetësit e BE-së, Miloslav Lajçak, për njëanshmëri në dialog, gjithashtu ka pasur kërkesa për përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së.  Komenti juaj rreth këtyre deklarimeve?

Federica Woelk: Jam dakord. Lajçak dhe Borrell për fat të keq e kanë mbështetur Serbinë në vend që të mbajnë një qëndrim neutral. Propozimet e tyre favorizuan konkretisht Serbinë. Ata nuk e pranuan propozimin e Kosovës për deeskalim që në fakt ishte një propozim shumë i mirë dhe i drejtë. Mendoj se së paku duhet të marrin përgjegjësinë për faktin se Dialogu dështoi në atë mënyrë të mjerueshme.

Megjithatë, nuk e di nëse SHBA mund të bëjë një punë më të mirë në ndërmjetësim. Ne e dimë edhe nga situata në Bosnje dhe Hercegovinë se edhe SHBA-të nuk kanë gjithmonë qasjen më të mirë.

Më duket se situata është shumë komplekse.

“Bota sot”: A mund të ketë ndonjë lëvizje në ditët në vazhdim për të çuar përpara dialogun. A ekziston ndonjë plan?

Federica Woelk: Mundet nëse BE-ja dhe Serbia ndryshojnë qëndrimet e tyre. Është vetëm nevoja për një hap të vogël drejt Kosovës: heqja e sanksioneve të vendosura. Dhe qartë nevoja për të diskutuar përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist; kjo nuk mund të tolerohet apo pranohet në kuadër të Dialogut.

“Bota sot”: Kur jemi të dialogu, marrëveshja e asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështja e cila nuk gjen pajtim mes palëve, Kosova nuk pajtohet për një asociacion me kompentenca ekzekutive. Cila mund të jetë zgjidhja e kësaj marrëveshjeje?

Federica Woelk: Përsëri, Kosova kërkon njohje nga Serbia. Mendoj se nëse Serbia do ta zhvendoste qëndrimin e saj për këtë pak drejt Kosovës, do të ishte shumë më e lehtë të pranonte gjëra të tjera. Dialog do të thotë kompromis mes pozicioneve të ndryshme, jo thjesht imponim i një pozicioni.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të funksionojë, por vetëm nëse nuk është një mënyrë e Republika Srpska për zgjidhjen e çështjeve dhe vetëm nëse ka garanci të caktuara nga qeveria e Kosovës. Ne e shohim atë në BeH, kjo vetëm sa i dha Serbisë më shumë ndikim dhe më shumë mënyra për të paralizuar një vend.

“Bota sot”: Për fund, a mund të jetë Rusia e përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, për të larguar vëmendjen prej luftës në Ukrainë?

Federica Woelk: Është e mundur dhe e besueshme. Ende nuk ka siguri për këtë, por sigurisht që nuk do ta përjashtoja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat